Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në Liban, ku lufta është mes paneleve diellore dhe mafias së gjeneratorëve

Në qytetin libanez të Zahle, qindra panele diellore ndriçojnë në majë të çative me tjegulla të kuqe dhe shtrihen në kodrat e luginës Bekaa që e ka majën të mbuluar nga bora. Një njeri mund të mendojë se ky shtet është në prag të një revolucioni të energjisë së gjelbër, por në fakt jashtë periferisë së Zahle, burimet e rinovueshme të energjisë zhduken.

Prej këtej i gjithë vendi zhytet në një xhungël kabllosh elektrikë që shtrihen nga një shtyllë në tjetrën dhe mbizotëron zhurma e motorëve me benzinë, të zotëruar nga personazhet më famëkeqe në vend, të quajtur si “mafia e gjeneratorëve”.

Këta pronarë të gjeneratorëve privatë janë një mbetje e luftës civile të viteve 1975-1990, për të mbushur boshllëkun energjetik të lënë nga shkatërrimi i rrjetit  kombëtar. Ekspertët vlerësojnë se hendeku mes furnizimit dhe konsumit në Liban llogaritet në rreth 1 gigawatt, për një vend me vetëm 4 milionë banorë, që do të thotë se qytetarët mbeten pa energji elektrike nga rrjeti zyrtar për 12 orë në ditë.

Megjithatë, mbështetja që po fiton terren ndaj energjisë së rinovueshme dhe bumi global i teknologjisë diellore po nis të gërryejë fuqinë e gjeneratorëve.

 

Llogaritet se “mafia e gjeneratorëve” kontrollon sot një treg që vlen1.5-2 miliardë dollarë, çka i ka dhënë asaj fuqi të mjaftueshme politike dhe ekonomike për të penguar çdo reformë në energji. Shumica e pronarëve të gjeneratorëve kanë fituar influencë mbi zyrtarët, politikanët e aktivistët mjedisorë, përmes rryshfeteve dhe donacioneve.

Në fund, çmimin për këtë rrjet interesash e paguajnë qytetarët libanezë, ekonomia libaneze dhe zhvillimi i vendit.

Por, para tre vitesh, Zahle ia doli të thyejë ciklin. Kompania private vendase, Electricite de Zahle (EDZ) solli disa gjeneratorë nga Britania dhe energjinë e prodhuar e rifuti në rrjetin elektrik, duke bërë që banorët të zgjedhin të paguajnë një faturë më të lirë se sa faturën ndaj shtetit dhe faturën e kripur ndaj bizneseve private të gjeneratorëve.

Kjo i çoi drejt falimentit qindra pronarë të vegjël, ndaj mafia reagoi duke djegur goma e duke bllokuar rrugët. Por, falë mbështetjes së gjerë nga publiku, protestat u shuan dhe EDZ mundi të vazhdonte projektin.

Prej atëherë, Zahle është bërë qyteti i vetëm në Liban ku individët mund të shesin në rrjet energjinë shtesë të prodhuar nga panelet e tyre diellore. Kjo ka bërë që firmat e instalimit të këtyre paneleve të instalojnë nga 3 panele në vitin 2013, në mbi 150 panele në vitin 2017.

 

Megjithatë sfida më e madhe qëndron sërish përpara. Jashtë Zahle, pronarët e gjeneratorëve refuzojnë matjen e energjisë së futur në sistem nga panelet diellore, nga frika e humbjes së të ardhurave. Nëse individët nuk do të kenë mundësi të shesin një pjesë të energjisë së prodhuar nga këto panele, atëherë ato bëhen joekonomike në termin afatshkurtër.

Pavarësisht interesave që e mbajnë jofunksional rrjetin e Libanit, e ardhmja duket e qartë në favor të energjisë së rinovueshme. Vendi me dalje në Mesdhe sheh mbi 300 ditë me diell në vit, kushte ideale për energjinë diellore.

Një politikë e Bankës Qendrore për kredi me interesa të ulëta për projektet diellore ka sjellë qindra instalime. Në vitin 2020 vendi pritet që të ofrojë 12% të energjisë së tij nga projektet e rinovueshme. Gjithashtu një tender për tre ferma eolike duke shfrytëzuar erën është shfaqur si model për  kompanitë private që të investojnë në shkallë të gjerë në energji.

Kritikët nga ana tjetër shprehen se këto projekte janë shumë larg potencialit të vërtetë të Libanit. Jordania, Egjipti, Maroku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ferma diellore që i bëjnë të duken të papërfillshme edhe projektet më të mëdha të Libanit.

Investitorët kërkojnë që qeveria të konsiderojë një projekt diellor në shkallë shumë të madhe, pasi me këtë ritëm, thjesht do të mbulohet rritja në konsumin e energjisë, por hendeku do të jetë sërish i njëjtë.

Një tjetër ide është që të shmanget kjo luftë mes gjeneratorëve dhe energjisë së rinovueshme. Impiantet diellore eventualisht do të fitojnë, është çështje kohe. Por për të përshpejtuar procesin disa mendojnë se duhen përfshirë në planifikim edhe pronarët e gjeneratorëve, të cilët kanë kapitalin për të investuar dhe për të qenë pjesëmarrës në ekonominë e gjelbër.

Scan Tv,  28.02.2018