Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia e HEC-eve të vogla rrezikon nënstacionin e Zëmblakut

Energjia e prodhuar nga HEC-et e vogla është duke rrezikuar rrjetin e tensionit të lartë 400 kilovolt në nënstacionin e Zëmblakut.

Operatori i Sistemit të Transmetimit raportoi në Entin Rregullator të Energjisë se po ndeshet kohët e fundit me nivele të tensionit në rrjetin 400 kV në vlera mbi limitet maksimale të lejuara, në orët e minimumit të ngarkesës.

Këto nivele tensioni mund të shkaktojnë dëmtimin e pajisjeve të nënstacioneve 400 kV dhe minimalisht vjetërsim të përshpejtuar të izolacionit të tyre, sqaron OST, e cila është në procedura të blerjes së një reaktori për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të rrjetit.

Futja në operim kohët e fundit të HEC-eve lokale me prodhim të pakontrolluar dhe me prioritet dispacimi po absorbojnë fuqinë e linjave dhe nënstacionit, sqaron OST.

Energjia e HEC-eve po krijon mbingarkesë në orët e minimumit edhe në nyjet e sistemeve fqinjë ku lidhen linjat tona të interkoneksionit.

“Në këto kushte, gjenerimi i kapaciteteve të rrjetit transmetues nuk mund të absorbohet plotësisht nga ngarkesa dhe humbjet në elementët e rrjetit. Fluksi i tepërt i fuqisë reaktive, nëpërmjet linjave të interkoneksionit 400 kV dhe 220 kV qarkullon për tek fqinjët, çka do të thotë që niveli i tensionit në nyjet e linjave tona të interkoneksionit që fusin fluksin reaktiv tek fqinjët, është më i lartë së në nyjet e sistemeve fqinjë ku lidhen linjat e interkoneksionit” sqaron më tej OST.

Veprimi nëpërmjet ndryshimit të degëzimit të transformatorëve me rregullim të tensionit nën ngarkesë 400/220 kV dhe 220/110 kV, ka ndikim në nivelin ë tensionit në hallkat e poshtme të transformimit, por ndikimi në rrjetin 400 kV që përfaqëson nyjet më të fuqishme dhe stabël, të lidhura më rrjetin rajonal, është I papërfillshëm.

OST sqaron se në këto kushte alternativat e mundshme për uljen e nivelit të tensionit në rrjetin 400 kV janë:

-Stakimi i disa prej linjave të transmetimit për të ulur gjenerimin kapaciteteve dhe njëkohësisht për të rritur shkallën e ngarkimit të linjave që mbetën në operim.

– Instalimi i reaktorëve pranë nyjeve me nivelin më të lartë të tensionit.

Por OST vlerëson se alternativa e parë nuk është aspak komode sepse do të kërkonte stakimin nga të dy anët të një numri të madh linjash të transmetimit, duke konsideruar instalim e reaktorit.

Paralajmërimi i BE

Në Shqipëri, rritja e ndjeshme e ngarkesës vjetore për shkak të burimeve të reja gjeneruese po ushtron presion mbi sistemet aktuale të transmetimit – vë në dukje analiza e KE-së. Kjo është bërë shkak për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët vendas dhe bizneset.

Komisioni Europian vë në dukje se sistemet ekzistuese të transmetimit nuk do të jenë në gjendje për të përballuar burimet e reja gjeneruese të planifikuara për t’u zhvilluar në Jugun e Shqipërisë (p.sh., hidrocentraleve në Devoll, Vjosë, dhe kaskadat e lumit Osum dhe HEC-et e tjera të vogla në lumenjtë e Jugut).

Revista Monitor,  27.02.2018