Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervistë e drejtorit ekzekutiv të AKBN z.Adrian Bylyku për Tv Klan

Pas 10 vitesh që kërkon naftë në detin Jon në zonën e quajtur blloku 5, kompania Capricorn, e cila më vonë ndryshoi emrin në Orion Limited, është në fazën e mbylljes së kontratës me palën shqiptare.

Në një intervistë për televizionin Klan, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Adrian Bylyku thotë se tashmë janë marrë të dhënat e kërkimeve që ka bërë firma konçesionare mbi rezervat që ka kjo zonë dhe se Joni 5 shumë shpejt do të lirohet. “Shumë shpejt blloku Joni5 do të shpallet i lirë, patjetër do të vendoset për t’u hapur për interes për investitorët”.

Por cilat janë rezervat e naftës në detin Jon që ka Shqipëria? Bylyku thotë se shifrat janë konfidenciale, por ka të dhëna potenciale për sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi në këtë zonë. “Paraqesin potenciale naftëmbajtëse të cilat duhet të konkretizohen nëpërmjet konkludimit të projekteve të kërkimit”.

Ai sqaron se blloku Joni 5 së bashku me rezervat natyrore, janë pasuri e territorit shqiptar, të cilat nuk do të ndryshojnë, njësoj si ajo e rezervave që ka Greqia në zonën 1 dhe 2. “Blloku Joni 5 është bllok në territorin shqiptar, kurse blloku 1 dhe blloku 2 nuk bëjnë pjesë në territorin shqiptar. Saktësimi i ndarjes midis dy blloqeve është një element i cili do të sqarohet, por kurrsesi nuk cënon pjesën e interesit të hidrokarbureve”.

Kreu i Agjencisë së Burimeve Natyrore thotë se për çështje ditësh, qeveria shqiptare do të firmosë marrëveshjen me kompaninë Shell e cila do të nisë kërkimin e naftës në bllokun 4 në tokë, mes Gjirokastrës e Delvinës. Delek Group është tërhequr nga negociatat me qeverinë shqiptare për marrjen e 2 zonave naftëmbajëse në tokë, ndërsa qeveria shumë shpejt do të rihapë edhe njëherë thirrjet për investitorët.

energjia.al  26.02.2018