Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshime në marrëveshjen mes furnizuesve dhe OSHEE

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka bërë së fundmi disa ndryshime në marrëveshjen për shërbimin universal të energjisë elektrike ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Furnizuesit të Energjisë Elektrike. Ndryshimi i parë referuar draftit të nxjerrë për konsultim ka të bëjë me afatin e hyrjes në zbatim të rregullores që është data 1 janar 2019 duke nënkuptuar se me shumë gjasa deri atëherë do të kemi të konkretizuar edhe ndarjen e vetë OSHEE.

Së dyti ndryshimi i propozuar nga ERE ka të bëjë me kompensimin e energjisë mes operatorëve kur ajo rezervohet por nuk shpërndahet. Po kështu për rastet e ndërprerjeve nga forca madhore OSHEE do të ketë një afat kohor më të gjatë për të njoftuar Furnizuesin mbi detajet teknike. Më herët ky afat ishte një ditë ndërsa tashmë do të jetë 6 ditë.

Në rastet e remonteve operatorët duhet të zbatojnë procedurën standarde sipas planit vjetor dhe njoftimi duhet të jetë jo më pak se 20 ditë nga nisja. “Në mënyrë që të lejohet Furnizuesi të marrë masat e përshtatshme, OSHEE, në përputhje me programin vjetor të remonteve, të rakorduara mes Palëve (OSHEE, OST, palë të treta të interesuara), do të informojë me shkrim Furnizuesin jo më vonë se 20 ditë para fillimit të muajit në të cilin parashikohet kryerja e punimeve të mirëmbajtjes, duke specifikuar zgjatjen e punimeve, objektin (vendin) ku do të kryhen këto punime si dhe konsumatorët që parashikohet tu ndërpritet furnizimi” thuhet në draft marrëveshjen e ERE.

Për të mos lejuar problematika apo menaxhim më të mirë logjistik për konsumatorin fundor i cili do të furnizohet me energji nga Furnizuesi, ERE ka vendosur të shtojë edhe numrin e ditëve kur OSHEE dhe Furnizuesi njoftojnë njëri-tjetrin për lidhjet e reja. Ky afat më herët ishte një ditë ndërsa tani është trefishuar. “ Furnizuesi duhet të njoftojë OSHEE-në se ka lidhur kontratë të furnizimit me një Klient të ri Fundor, jo më pak se tri ditë pune përpara datës së furnizimit” thuhet në marrëveshje.

Revista Monitor,  24.02.2018