Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nënshkruhet me SHELL marrëveshja e kërkimit për bllokun nr. 4

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesi i kompanisë SHELL z. Jon-Henk van Konijnenburg firmosën sot marrëveshjen hidrokarbure për kërkim nafte në bllokun nr.4 në tokë. Një proces gare dhe më pas një periudhë intensive 2 vjeçare negociatash e paraprinë firmosjen e kësaj marrëveshjeje me ndarje prodhimi. Në ceremoninë e zhvilluar në zonën e Shpiragut, aty ku SHELL po kryen operacione kërkimi në kuadër të marrëveshjeve për blloqet nr.1 dhe nr.2, ishte i pranishëm edhe Kryeministri z. Edi Rama.

“Kjo marrëveshje përbën një ndarje nga koha kur buxheti i shtetit përfitonte prej tyre vetëm rentën minerare. Tani kemi një marrëveshje që është një garanci e qartë dhe afatgjatë për përfitim reciprok patjetër në interes të kompanisë, por dhe në interes të popullit shqiptar”, u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas tij, marrëveshja që firmoset është rezultat i një procesi interesi të ndërsjelltë dhe një këmbëngulje e ndërsjelltë për të arritur në një proces ku jo vetëm garantohen përfitime reciproke po sigurohet gjenerimi që në vitet e para e qindra vendeve të punës, ndërkohë që tërësia e projektit vlerësohet të ketë një impakt me një rëndësi të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare.

Ministri Gjiknuri vlerësoi ecurinë e deritanishme të investimit të SHELL në kërkimin e naftës për marrëveshjen e bllokut nr.1 dhe nr.2. Në këtë drejtim, ai tha se ceremonia e sotme përbën një fazë të re të rritjes së vëmendjes së kompanisë për Shqipërinë.

“Kjo kontratë është e para në fakt që SHELL e bën drejtpërdrejtë me qeverinë shqiptare. Është një shenjë besimi që investitorët seriozë kanë ndaj mjedisit të biznesit në Shqipëri. Sektori hidrokarbur në vendin tonë vazhdon të zgjojë interesin e kompanive të tilla dhe ky është një lajm shumë i mirë. Ka interes dhe nga kompani të tjera. Prezenca e SHELL në Shqipëri dhe vazhdimi i operacioneve të kërkimit do të ndikojë edhe në ardhjen e kompanive të tjera. Ne angazhohemi se do të bëjmë më të mirën të mirëpresim këto kompani që të investojnë në Shqipëri”, theksoi Gjiknuri.

Ministri tha se operacionet hidrokarbure nuk kanë rëndësi vetëm për fazën e parë të investimit por mbi të gjitha shpresojmë që ky operacion i suksesshëm dhe vlerësimet e pritshme për këtë fushë nafte do ta kthejnë Shqipërinë në një aktor jo vetëm në rajon.

“Edhe kjo kontratë e re që po nënshkruhet ka disa elementë shumë më të mirë se sa kontratat e mëparshme. Kemi patur një negociatë të gjatë, disa vjeçare me kompaninë SHELL dhe kjo kontratë bën të mundur që nëse do të dalë naftë dhe do ketë edhe në bllokun nr.4, qeveria shqiptare që në fillim merr diçka nga fuçia e parë e naftës. Kjo nuk ka qenë në kontratat e tjera dhe ne duam që këtë model të mirë për qeverinë shqiptare por edhe investitorët e huaj ta promovojmë edhe në fushat e tjera”, vlerësoi Gjiknuri.

Zv.Presidenti i SHELL, përgjegjës për operacionet e eksplorimit në Evropë z.Max Brouëers deklaroi se “nënshkrimi i bllokut nr.4 është shumë i rëndësishëm, është kontrata e parë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL. Ky dokument parashikon se si do punojmë sëbashku shpresoj në dekadat që vijnë. Fazat e para të punës do të jenë përgatitja dhe planifikimi për të kuptuar më mirë potencialin e nëntokës. Më pas do kalojmë tek eksplorimi dhe shpimi e nëse ato janë të suksesshme atëherë do jetë fillimi i investimeve të rëndësishme ekonomike dhe infrastrukturore të cilat krijojnë përfitime ekonomike në gjithë vendin”.

Të dhënat teknike për marrëveshjen:

Në mënyrë të përmbledhur ja çfarë përfaqëson kjo Marrëveshje:  Kërkimi i naftës në këtë Bllok do të kryhet në 3-faza;

– Gjatë Fazës së Parë e cila do të zgjasë 3 vjet do të kryhen 125 km punime seismike 2D dhe ripërpunim i 125 km profileve seismike 2D. Angazhimi financiar minimal për Fazën e Parë shkon në rreth 8.5 milion USD

– Faza e Dytë do të zgjasë 2 vjet. Gjatë kësaj faze do të kryhen 300 km punime seismike 2D dhe ripërpunim i 200 km profileve seismike 2D. Gjatë kësaj faze është opsional shpimi i një pusi kërkimi me thellësi 3000 m. Angazhimi financiar minimal për Fazën e Dytë shkon në rreth 20 milion USD.

– Faza e tretë do të zgjasë 2 vjet. Gjatë kësaj faze do të kryhet shpimi i një pusi kërkimi me thellësi minimale 3000 m dhe Angazhimi financiar minimal për këtë fazë arrin në 14 milion USD.

Kohëzgjatja e Kontratës për rastin nëse do të kemi një zbulim të ri, pra periudha e Zhvillim-Prodhimit, do të jetë deri në 25 vjet me të drejtë zgjatje.

Të dhëna për kompaninë SHELL:

Royal Dutch Shell përfaqëson një kompani lider në botë në sektorin e hidrokarbureve, me kapacitete dhe potenciale të jashtëzakonshme, që zotëron ekspertizën e nevojshme dhe mundësitë financiare për tu angazhuar në operacione kërkimi. Royal Dutch Shell e themeluar në vitin 1907 është sot një nga shoqëritë më të mëdha në botë në fushën e energjisë dhe ushtron veprimtarinë e saj në më shumë se 70 shtete. Historia e Shell në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen për eksplorim të dy blloqeve “B” dhe “F”. Shell Upstream Albania B.V. përfundoi kërkimet sizmike, por nuk arriti të shpojë puse për shkak të trazirave të vitit 1997, të cilat e detyruan Shell që për arsye madhore ta zgjidhte kontratën e vet me ndarje prodhimi.

Në vitin 2012, Shell Upstream Albania B.V. u rikthye në Shqipëri për të kërkuar naftë në dy blloqe kërkimi, ato 2 dhe 3, fillimisht me 50% të interesave bashkë me Petromanas dhe më pas, që nga marsi 2016, Shell operon i vetëm duke pasur 100% të interesave në këto blloqe. Në një kohë kur Shell tkurri aktivitetin në shumë vende të botës si rezultat i uljes drastike të çmimit të naftës, kjo nuk ndodhi me Shqipërinë ku vazhdoi investimin dhe tashmë po zgjerohet edhe me një tjetër bllok kërkimi.

energjia.al  21.02.2018