Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përfitimi nga krijimi i qyteteve të gjelbra

Më shumë se 50 për qind e popullsisë së botës tani është përqendruar në qytetet e mëdha.

Deri në vitin 2050, ky numër pritet të rritet në 66 për qind. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Ushqimin dhe Agrikulturën (FAO) zhvendosja nga zonat rurale në ato urbane lidhet me faktorët e varfërisë dhe socio-ekonomik.

Por çfarë ndodh me zgjerimin e qyteteve?

Nëse do të vëmë re Tiranën, në dekadën e fundit ajo është zgjeruar në të gjitha ‘cepat’, dhe hera herës pa ndonjë strategji të planifikimit dhe përdorimit të tokës. Ndërtimi i banesave dhe zënia e tokave me këtë infrastrukturë betoni ka dëmtuar më së shumti pyjet, peizazhet, si dhe zonat e gjelbra. Të gjitha këto kanë ndikuar në ndryshimet klimatike, rritjen e ndotjes dhe sëmundshmërisë.

Të ndodhur përballë këtyre çështjeve dukës se edhe qeveria shqiptare ka nisur të marrë një sërë nismash.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka nisur aksionin në mbarë vendin për pastrimin nga mbetjet, nga ana tjetër edhe mbjelljen e rikuperimin e kurorave të gjelbra.

Kështu deri në vitin 2020 ministri Blendi Klosi ka premtuar një Shqipëri të gjelbër, ku synon të realizojë projektin për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë.

Nga ana tjetër edhe bashkitë e vendit janë vënë në lëvizje.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa fushata për mbjelljen e pemëve. Po realizohet edhe pylli Orbital. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj synon që deri më 21 mars 2018 (dita ndërkombëtare e pyjeve) të jenë mbjellë 100 mijë pemë në kryeqytet.

Botërisht është pranuar se pemët mund të ndihmojnë për të zbutur disa nga ndikimet negative dhe pasojat sociale të urbanizimit, dhe kështu t’i bëjnë qytetet më elastike ndaj këtyre ndryshimeve.

 

Cilat janë disa nga përfitimet që qytetet marrin nga mbjellja e pemëve dhe krijimin e zonave të gjelbra?

1.Pemët mund të kontribuojnë në rritjen e produkteve frutore vendase. Druri i tyre, nga ana tjetër, mund të përdoret për gatim dhe ngrohje.

2.Pemët luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e biodiversitetit urban, duke siguruar bimët dhe kafshët.

3.Një pemë e vjetër mund të thithë deri në 150 kg CO2 në vit. Si rezultat, pemët luajnë një rol të rëndësishëm në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Sidomos në qytete me nivele të larta të ndotjes, pemët mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit, duke i bërë qytete vende më të shëndetshme për të jetuar.

4.Vendosja strategjike e pemëve në qytete mund të ndihmojë në ftohjen e ajrit në mes të 2 dhe 8 gradë Celsius, duke zvogëluar efektin urban “të ngrohjes” dhe duke ndihmuar komunitetet urbane që të përshtaten me efektet e ndryshimeve klimatike.

5.Pemët e larta janë filtra të shkëlqyeshëm për ndotësit urbanë dhe grimcat e imëta. Ato thithin gazra ndotës (të tilla si monoksidi i karbonit, oksidet e azotit, oksidet e ozonit dhe sulferit) dhe filtrojnë grimcat e imëta si pluhuri, papastërtia ose tymi nga ajri duke i kapur ato me gjethet

6.Hulumtimet tregojnë se jetesa në afërsi të hapësirave të gjelbra urbane mund të përmirësojnë shëndetin fizik dhe mendor, për shembull duke ulur presionin e lartë të gjakut dhe stresin.

7.Pemët e rritura rregullojnë rrjedhën e ujit dhe luajnë një rol kyç në parandalimin e përmbytjeve dhe zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore. Një pemë e rritur me gjelbërim të përjetshëm, për shembull, mund të kapë më shumë se 15 000 litra ujë në vit.

8.Pemët gjithashtu ndihmojnë për të reduktuar emetimet e karbonit duke ndihmuar në ruajtjen e energjisë. Për shembull, vendosja e duhur e pemëve rreth ndërtesave mund të zvogëlojë nevojën për ajër të kondicionuar me 30 për qind dhe të reduktojë faturat e ngrohjes dimërore me 20-50 për qind.

9.Planifikimi i peizazheve urbane me pemë mund të rrisë vlerën e pronës, deri në 20 për qind, dhe të tërheqë turizmin dhe biznesin.

Scan Tv,  12.02.2018