Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Parqet eolike, ERE tërhiqet nga vendimi

Enti Rregullator i Energjisë gjatë vitit të kaluar nisi procesin për heqjen e licencave për gjashtë kompani të cilat ishin autorizuar për ndërtimin, instalimin, shfrytëzimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga centralet eolike. Bëhet fjalë për licencat e shoqërive “HERA” sh.p.k (projekti KAPPPET), subjektin ALB WIND ENERGY (projekti VISU dhe TERPAN), “ERS – 08 (Projekt në Kavajë), Biopower Green Energy (Parqet BPGE 1 dhe BPGE 2), “E Vento S.R.L Albania” sh.p.k dhe “Albanian Green Energy”.

Por duket se ERE është tërhequr nga vendimi i tij që hiqen licencat e kompanive pas argumenteve të dhëna nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në çdo rast ligji parashikon që licencat nuk mund të hiqen nëse subjektet kanë arsye objektive dhe kështu është konstatuar nga ana e institucioneve, çka ka çuar edhe në një tërheqje pas të ERE.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shkresën nr. 2018/1 Prot, datë 26.12.2017, protokolluar me tonën nr. 736/1 Prot, datë 27.12.2017, sqaron mes të tjerave se : duhet të merren masa që shtyrja e afatit të ndërtimit të këtyre aplikimeve të bëhet vetëm në rast provueshmërie për arsyet objektive që nuk kanë lejuar realizimin e projekteve brenda afatit të tyre, me qëllim që në vijim të bëhet i mundur vlerësimi dhe prioritaizimi i tyre në përputhje me dispozitat e VKM 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, i ndryshuar” thuhet në vendimin e ERE-s.

Kompanive iu është kërkuar që të plotësojnë kushtet që u janë përcaktuar që në vendimin fillestar të dhënies së licencës ku disa datojnë që nga viti 2008. Mes kërkesave përfshihet oponenca tekniko- ekonomike nga ekspertë të licencuar. Po kështu të paraqitet një marrëveshje e nënshkruar me OST para fillimit të ndërtimit të objektit, ku të jenë të specifikuara detyrimet e ndërsjella, që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit. Për plotësimin e këtyre kushteve dhe të tjera shtesë afati që ka vendosur ERE është 15 nëntori 2019.

Edhe pse ka pasur një seri lejesh për parqe eolike si dhe shprehje interesi sot në vend nuk ka asnjë të tillë funksional. Qeveria miratoi në vitin 2017 një çmim nxitës për parqet eolike deri në 3 MW prej 76 euro MW ndërsa pjesa e projekteve të përmendura më sipër janë projekte më të mëdha për të cilët nuk ka një çmim të përcaktuar.

Revista Monitor,  25.01.208