Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i energjisë për HEC-et private, 8.56 lekë/kwh

Çmimi vjetor i blerjes së energjisë elektrike që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi për vitin 2018 ka rezultuar në 8.56 lekë/kwh nga përllogaritet e bëra sipas metodologjisë dhe i miratuar sot nga Enti Rregullator i Energjisë. Ky çmim do t’i paguhet prodhuesve privatë të HEC-ve nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me të cilin kanë edhe kontratë. Në raport me vitin 2017 dhe 2016 kur çmimi ishte i njëjtë, fiksuar në 7.4 lekë kemi një rritje me 15.6 për qind. E ndërsa për prodhuesit ky çmim është një lajm i mirë duket se për buxhetin e OSHEE-së nuk do të jetë kështu.

Pak vite më parë qeveria rishikoi mënyrën sesi përllogaritej çmimi për hidrocentralet private e cila sipas saj ishte dukshëm e lartë. Konkretisht në vitin 2013 ky çmim ishte 9.73 lekë/kwh. Kjo nismë do të zgjonte debate të gjëra sidomos mes investitorëve që kishin projekte HEC-esh në vend dhe që sipas tyre minonte planet e biznesit .

Çmimi i vitit 2018 jo rastësisht ka një kërcim të tillë të dukshëm pasi kjo lidhet me metodologjinë e ndryshuar pak vite më parë ku në bazë ishte çmimi vjetor mesatar në bursën Hungareze për vitin paraardhës. Për shkak të importeve të larta të vitit të kaluar dhe një situatë me verë por edhe vjeshtë të thatë çmimet rezultuan dukshëm të kripura. OSHEE-së ju desh të importonte 120 milionë euro më shumë energji sesa në 2016-ën.

Çmimi për 2018 është më i larti në pesë vitet e fundit gjithësi për të mos e lënë çdo gjë në dorë të bursës metodologjia ka kufizimet e veta.

Llogaritja e çmimit , metodologjia

Në vendimin e miratuar nga qeveria, ku caktohet edhe metodologjia për llogaritjen e çmimit të energjisë që do të aplikohet për prodhuesit me përparësi, ka dy kufizime për nivelin minimal dhe maksimal.

Niveli minimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i ulët se i çmimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë për vitin 2016 për këta prodhues. Niveli maksimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i lartë se 15% e çmimit të miratuar nga ERE për vitin 2016 për këta prodhues.

“Metodologjia për llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike është si më poshtë: Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), I energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kwh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.30 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit” thuhet në vendim.

Revista Monitor,  20.01.2018