Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konferenca e EITI, transparencë për investitorët e huaj

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse(EITI) organizuan konferencën me temë “Taksat dhe kuadri ligjor i industrive nxjerrëse – rasti i Shqipërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”. Në këtë konferencë ishin të pranishëm Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Enis Aliko, Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse z. Ardit Kamberi, Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë znj. Maryam Salim, si dhe z.Ervin Mete Drejtor Kabineti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

EITI është një koalicion i përbërë nga 51 vende, që synon optimizimin e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore (Minerare, Hidrokarbure dhe Hidroenergjetike) dhe ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, t’i sigurojë institucioneve dhe qytetarëve një bazë për të vlerësuar përdorimin e drejtë burimeve natyrore.

Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse z. Ardit Kamberi në fjalën e tij u shpreh se e sheh EITI-n si një vitrinë për investitorët e huaj duke nxitur transparencën si edhe për të ndikuar drejtpërdrejt në thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

“Fokusi i EITI-t, përqendrohet në trajektoren ndërmjet burimeve natyre dhe përftimit publik, ku natyrisht koncentrohet në të ashtuquajturin zinxhiri i vlerave, i cili nis me procedurat koncensionare, me prodhimin mbledhjen e të ardhurave dhe deri te kontributi social dhe ekonomik. EITI kërkon të forcojë shëndetin dhe imunitetin e sistemeve qeveritare si edhe të biznesit po ashtu të nxisë debatin dhe transparencën për interesin publik”, – u shpreh Kamberi.

Duke përgëzuar EITI-n Shqiptar për rezultatet e arritura, Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Enis Aliko gjatë fjalës së mbajtur para të pranishmëve renditi disa rezultate nga raporti paraprak i vlerësimit.

“Kështu, me kënaqësi vërej se nga 28 kapituj të shqyrtuara nga vlerësuesi, në 50% të kapitujve kemi ecuri mjaft të mirë, në gati 45% të kapitujve kemi ecuri të mjaftueshme dhe vetëm 5% janë vlerësuar si të pamjaftueshme ose pa progres. E gjitha kjo është shumë pozitive, por në të njëjtën kohë na ngarkon edhe me përgjegjësi të madhe për ruajtjen e këtij standardi dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij. Në procesin e vlerësimit i është kushtuar rëndësi veprimtarisë së Grupit Ndërinstitucional të Punës për EITI-n dhe rolit të tij në udhëheqjen e proceseve strategjike EITI-t në Shqipëri. Dua të theksoj se një nga aspektet kryesore është raportimi dhe mbledhja e të dhënave në kohë, si edhe cilësia e të dhënave”, nënvizoi Aliko.

Zëvendësministri kërkoi një angazhim akoma më të madh edhe nga shoqëritë civile të cilat sipas tij janë jashtëzakonisht të dobishme për këtë Nismë Transparence. Z.Aliko ndër të tjera theksoi se EITI është në procesin e miratimit të draft ligjit “Për transparencën e veprimtarive të industrive nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në Republikën e Shqipërisë”.

“Qëllimi i këtij ligji është të nxisë dhe sigurojë rritjen e transparencës në veprimtaritë e industrive nxjerrëse në veçanti dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në përgjithësi, përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare EITI. Një ndër objektivat e EITI është edhe rritja e transparencës mbi pronarët ose përfituesit përfundimtarë të aktiviteteve të industrisë nxjerrëse dhe brenda vitit 2020 do të krijohet edhe regjistri i përfituesve përfundimtarë, raportimi i të cilëve do të jetë i detyrueshëm”, u shpreh Aliko.

Një tjetër aspekt për t’u përmirësuar sipas z.Aliko është edhe përshtatshmëria e marrëveshjeve, lejeve dhe koncesioneve ekzistuese, minerare apo hidrokarbure, me situatën e tregut ndërkombëtar të mineraleve e të naftës dhe me zhvillimet e fundit të kuadrit fiskal dhe ligjor në Shqipëri.

“Nga ky këndvështrim jemi të ndërgjegjshëm se modelet e marrëveshjeve të nënshkruara para 20 ose 25 vjetësh nuk janë të përshtatshme për optimizimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore. Për këtë jemi duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e specialistëve ndërkombëtare, duke synuar hartimin e rregullave të reja për mënyrën e tërheqjes së investuesve, për mënyrën e dhënies në kërkim apo shfrytëzim të zonave e blloqeve ekzistuese apo të reja dhe për shpërndarjen sa më të drejtë të përfitimeve nga aktivitetet nxjerrëse. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrencës së lirë dhe këtu përqendrohen përpjekjet tona,” e përfundoi fjalën e tij zëvendësministri Aliko.

energjia.al  26.12.2017