Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

EITI, Konferencë ndërkombëtare për industrinë nxjerrëse

Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) organizoi për herë të parë një Konferencë Ndërkombëtare, mbi kuadrin financiar dhe ligjor në industrinë nxjerrëse në Shqipëri, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Të pranishëm në një tryezë të rrumbullakët në konferencë ishin zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko, zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, drejtori i Sekretariatit Shqiptar EITI, Ardit Kamberi, përfaqësues titullarë të Bankës Botërore, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë, partnerë ndërkombëtarë, grupet e interesit nga biznesi, organet shtetërore dhe shoqëria civile, të cilët diskutuan mbi transparencën dhe mundësitë që ofrohen nga pjesëmarrja në Nismën EITI.

Drejtori i Sekretariatit shqiptar EITI, Ardit Kamberi gjatë fjalës falenderoi të pranishmit në konferencë dhe diskutoi mbi sektorin e industrisë nxjerrëse në Shqipëri.

Gjithashtu, ai radhiti një sërë shqetësimesh mbi të cilat do të duhet vëmendje në të ardhmen, si dhe përcolli një video mesazh nga drejtuesi i sekretariatit Ndërkombëtar të EITI, Jonas Moberg.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, gjatë këtij takimi foli mbi ecurinë e nismës EITI ndër vite duke u ndalur në vitin 2014, si një nga vitet që ka pasur arritjet me të mëdha në objektivat e vëna.

Ai sqaroi se burimet natyrore në Shqipëri janë të shumta po jo të pafundme dhe sugjeroi sigurimin e një legjislacioni të qëndrueshëm për zbatimin e EITI në Shqipëri. Eksperti ndërkombëtar për çështjet financiare, Luca J. Uberti, nëpërmjet një prezantimi tregoi performancën ekonomike të industrive nxjerrëse gjatë periudhës së tranzicionit, duke u fokusuar në sektorin e minierave.

Ai tha se minierat duhet të konsiderohen si një histori e suksesshme e zhvillimit industrial në Shqipërinë post-socialiste dhe shtjelloi disa alternativa të trajektores së rritjes, duke u fokusuar në faktorët ndërkombëtarë dhe vendas. Uberti në fjalën e tij preku çështje si korrupsioni, të drejtat pronësore, marrëdhëniet industriale dhe rregullimin e hyrjes. Ai e përfundoi fjalën duke sugjeruar disa politika strategjike për përmirësimin e qeverisjes së sektorit minerar në të ardhmen.

Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Eneida Bezhani tha se mbështet nisma të tilla të cilat nxisin transparencën si dhe luftojnë korrupsionin dhe burokracitë. Ajo shprehu disa nga qëllimet kryesore të organizatës që ajo përfaqëson si uljen e burokracisë, bashkëpunimin e grupeve të interesit, rritjen e transparencës dhe standardeve. Ndërsa përfaqësues të Albpetrol treguan mbi ristrukturimin që po i bëhet kësaj kompanie dhe rëndësisë që ajo ka si kompania e vetme shtetërore që operon në industrinë e hidrokarbureve.

Scan Tv,  22,12,2017