Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE drejt rimëkëmbjes totale

Flet z. Adrian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

 

OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin e saj final, sigurimin në mënyrë të plot dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon….

 

Në vitin 2016, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)ka forcuar pozitat drejt rimëkëmbjes totale. Administratori i saj, z.Adrian Çela pohon se përmirësimi i situatës financiare i ka mundësuar kompanisë që të jetë agresive në kryerjen e investimeve, të cilat do të vazhdojnë, pavarësisht situatës së pafavorshme hidrike.

Çela shton se për projektet e reja, OSHEE ka rishikuar planin, duke kryer kryesisht rialokime, dhe duke përzgjedhur objektet strategjike, si ndërtim nënstacionesh apo rrjete të reja elektrike 20 kV, në varësi të eficiencës, popullatës, kërkesës në rritje të konsumit, apo vjetërsisë së rrjetit.

Si e vlerësoni ecurinë e OSHEE-së në vitin 2016 dhe pjesën e deritanishme të 2017-s. Si kanë qenë treguesit financiarë, në lidhje me parashikimin?

Viti 2016, për OSHEE mund të themi që është viti i konsolidimit të shoqërisë në rrugën e saj drejt rimëkëmbjes totale, pas një periudhe disavjeçare mjaft të vështirë që OSHEE kaloi gjatë viteve të mëparshme.

Për të dytin vit radhazi, si dhe të dytin në historinë e shoqërisë, OSHEE regjistroi një rezultat financiar mjaft pozitiv, i cili u bë i mundur si rrjedhojë e arritjes, madje tejkalimit, të të gjithë objektivave që OSHEE kishte për vitin 2016, ku më kryesorët janë reduktimi i Nivelit të humbjeve në nivelin e 28.04% apo realizimi i Arkëtimeve në mbi 60 miliardë lekë.

Ky rezultat i vitit 2016 ka bërë të mundur që OSHEE të planifikojë një plan investimesh edhe më agresiv se ai i vitit 2015, me qëllim kapjen e kohës së humbur të viteve të mëparshme për sa i përket gjendjes së rrjetit të shpërndarjes. Rrjeti i shpërndarjes së OSHEE, si pasojë e një mungese investimesh për shumë vite me radhë, u përball me një degradim të tejskajshëm të gjendjes së tij teknike, duke krijuar një situatë mjaft të renduar për sa i përket:
-furnizimit me energji elektrike, në mënyrë të pandërprerë dhe cilësore të klientëve në të gjithë Shqipërinë
-krijimin e mundësive për abuzime të konsiderueshme nga klientët, me qëllime dashakeqe ndaj shoqërisë OSHEE SH.A.

Nëse do të përmendim disa prej treguesve financiarë të regjistruar gjatë vitit 2016, mund t’ju themi që:
-Niveli i Humbjeve, edhe për vitin 2016, u arrit të reduktohet më tej me 3.3%, duke zbritur në nivelin e 28.04%, ulje e ardhur si rezultat i: a) vazhdimit të masave organizative dhe menaxheriale për identifikimin e klientëve abuzivë; b) reduktimit të humbjeve teknike, si efekt i investimeve të reja që OSHEE ka realizuar në rrjet.

-Niveli i Arkëtimeve vazhdon në ecurinë pozitive edhe për vitin 2016, duke shkuar në nivelin e 93.8% të faturës korente. Kuptohet që në vlera absolute, viti 2015 ka qenë më lart si rezultat i reformës së ristrukturimit të borxhit, por viti 2016 ka regjistruar rritje të mëtejshme në % të arkëtimit të faturës korente, e cila është tregues thelbësor për stabilitetin financiar të shoqërisë.

Gjatë 2016-s, OSHEE regjistroi vitin e dytë radhazi në historinë e shoqërisë, me një rezultat financiar pozitiv, i cili u arrit si rrjedhojë e rritjes së mëtejshme të të “Ardhura nga Energjia”, si dhe reduktimit të shpenzimeve të Energjisë, që erdhi nga ulja e nivelit të humbjeve, si dhe çmimit mesatar të blerjes së saj.

Konkretisht për vitin 2016, Rezultati Financiar nga aktiviteti i saj ishte të nivelin e 6.5 miliardë lekë nga 6 miliardë në vitin 2015 (ky rezultat është i zhveshur nga efektet e të Ardhurave të Tjera të Jashtëzakonshme).
Gjatë 2016-s, OSHEE ka paguar 100% detyrimet ndaj furnitorëve të saj, përfshi këtu dy kryesoret si KESH dhe OST, duke mos krijuar borxhe të reja, si dhe ka paguar këstin e radhës ndaj CEZ prej 21.1 milionë eurosh.
Niveli i investimeve të realizuara gjatë 2016-s ka shënuar shifrën rekord prej 9.6 miliardë lekësh, duke bërë të mundur që më në fund, OSHEE të frenojë amortizimin e mëtejshëm të rrjetit elektrik, si dhe duke përmirësuar në zona të caktuara cilësinë e shërbimit ndaj klientit.

Në përmbledhje sa më sipër, treguesit financiarë të vitit 2016 vazhduan të jenë në trendin pozitiv të vitit 2015, duke forcuar stabilitetin financiar të shoqërisë.

Edhe gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2017, OSHEE arrin të regjistrojë tregues të tjerë pozitivë, duke shënuar më tej reduktim humbjesh të energjisë në nivelin e 0.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, si dhe duke arritur një nivel arkëtimi të faturës korrente (0-90 ditë) në masën e 96.2%.

Rezultatet e sipërpërmendura janë një tregues i qartë që OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin e saj final, sigurimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon.

Këtë vit, OSHEE po përballet me një situatë të vështirë për shkak të thatësirës, duke e detyruar të shpenzojë një pjesë të të ardhurave për blerjen e energjisë për importe. Si ka ndikuar kjo në planet për investime?

Viti 2017, krahasuar me vitet e mëparshme, ka një veçanti, sepse prodhimet e energjisë hidrike në vend janë në nivele mjaft të ulëta historike, pas dy vitesh të njëpasnjëshme mjaft të mira, dhe kjo situatë ka krijuar që OSHEE t’i drejtohet tregut të lirë dhe kryesisht importit për sigurimin e plotë të sasisë së energjisë së nevojshme për furnizimin e klientëve të saj.
Kuptohet që çmimet e energjisë në treg të lirë në sasi kaq të mëdha, sa kanë qenë të nevojshme gjatë muajve të verës, kanë shkaktuar që dhe kosto e blerjes së energjisë së OSHEE të rritet ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Pavarësisht këtij fakti, OSHEE si rezultat i një konsolidimi të situatës së saj financiare gjatë 2015-2016, në asnjë moment nuk ka qenë e rrezikuar për të mos siguruar furnizimin e klientëve të saj 24 orë pa asnjë ndërprerje, për shkak mungese energjie, ashtu siç ka ndodhur në vitet e mëparshme me situata të ngjashme hidrike.

Pavarësisht kostove për blerjen e energjisë, OSHEE nuk ka ndalur ritmin e investimeve, të paktën për kontratat e lidhura më herët. Punimet vijojnë normalisht në pjesë të ndryshme të vendit dhe këtu mund t’ju përmend një listë të gjatë projektesh, të cilat shumë shpejt do të promovohen.

Për projektet e reja, OSHEE ka rishikuar planin, duke kryer kryesisht rialokime, dhe duke përzgjedhur objektet strategjike, si ndërtim nënstacionesh apo rrjete të reja elektrike 20 kV, në varësi të eficiencës, popullatës, kërkesës në rritje të konsumit, apo vjetërsisë së rrjetit.
OSHEE do të vazhdojë në mënyrë të vazhdueshme planin e saj të investimeve për të bërë të mundur rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së furnizimit të klientëve të saj në të gjithë vendin me energji elektrike, si dhe reduktimin e mëtejshëm të humbjeve të energjisë, dy tregues që kanë ndikim të drejtpërdrejtë nga niveli i investimeve që realizohen në rrjet.

Cilat janë planet për investime për periudhën në vijim (2017 dhe 2018)?

Me kapacitetet investuese që OSHEE ka arritur të sigurojë nëpërmjet rezultateve mjaft të mira financiare si dhe mirëmenaxhimit të fondeve të veta, OSHEE gjatë 2015 dhe 2016, duke vijuar edhe më 2017-n, siç tregojnë të dhënat e nivelit të Arkëtimeve dhe uljes së Humbjeve, ka regjistruar investime në nivele rekord për historinë e OSHEE. Por pavarësisht këtij fakti, gjendja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë së OSHEE ngelet një prej rrjeteve më të vjetra dhe më të amortizuara në rajon. Nevojiten të paktën 350 milionë euro në vit investime, për të arritur shërbimin e standardit bashkëkohor.

Pra, ngritja e këtij rrjeti në standardet normale të vendeve të rajonit apo atyre europiane, kërkon investime të konsiderueshme, të cilat OSHEE i ka të pamundura t’i përballojë me fondet e veta në një periudhë mjaft të shkurtër. Bazuar në këtë fakt, OSHEE ka përgatitur një Plan Investimesh prioritare, të cilat bëjnë të mundur përmirësime të dukshme në cilësinë e furnizimit, të cilat konsistojnë në:

Shndërrimin e rrjetit aktual mjaft të vjetër dhe problematik 6 kV dhe 10 kV në nivelin e tensionit 20 kV me kabllo ABC
Investime të vazhdueshme në Kabina të reja si dhe përmirësimin e atyre ekzistuese, për një shpërndarje më të mirë të ngarkesave në rrjet.

Përmirësimin gradual të gjendjes së Nënstacioneve në vend, të cilët kanë moshë të pajisjeve të tyre në shifra historike, duke i shndërruar ata në nënstacione bashkëkohore, për të siguruar një nivel tensioni më të qëndrueshëm dhe shmangien e defekteve të rënda në to.

Hedhjen e hapave të para në ndërtimin e sistemeve bashkëkohore të administrimit dhe komandimit të rrjetit (si SCADA) që do të bëjnë të mundur rritjen e eficencës së menaxhimit të rrjetit dhe reduktimin e amortizimit të shpejtë të tij si pasojë e sistemit të komandimit manual të tij.
Konkretisht për vitin 2017, OSHEE planifikon të realizojë investime në nivelin e 10 miliardë lekëve, dhe është duke vlerësuar me kujdes në bashkëpunim dhe me Qeverinë, nivelin e investimeve për vitin 2018, duke pasur parasysh situatën hidrike të vitit 2017, e cila në mënyrë të pashmangshme ka afektuar financat e OSHEE-së.

ERE ka vendosur të aplikoni në fund të këtij muaji tregtimin e energjisë online? Si do të funksionojë, çfarë synon dhe a jeni gati të aplikoni këtë sistem?

Jemi përgatitur, së bashku me operatorët e tregut, për realizimin e këtij objektivi, dhe presim që procedura e blerjes së energjisë për muajin tetor të realizohet krejtësisht online. Lidhur me procedurat e funksionit të kësaj platforme, të gjithë subjektet do të dërgojnë ofertat e tyre pas njoftimit nga OSHEE të publikuar në kalendarin mujor e vjetor që do të jetë në website www.oshee.al.
Duke e realizuar me procedurë online, presim që ofertat të jenë më efikase dhe më të shpejta, madje me çmim më të mirë se procedurat që ne realizojmë sot.

Si po shkon liberalizimi i tregut të energjisë për klientët 35 dhe 20 kilovolt. A e keni bërë gati infrastrukturën teknike dhe sa klientë pritet të dalin në tregun e lirë të energjisë këtë vit?

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një proces i gjatë i sanksionuar, edhe në ligjin për sektorin e energjisë. Shkëputja nga furnizimi me energji i klientëve të lidhur në rrjetin 35 kV është drejt përfundimit.
Është instaluar sistemi i leximit të konsumit me bazë orare online, si dhe janë specifikuar klientët, të cilët në fund të këtij viti do të furnizohen në tregun e parregulluar të energjisë.

Revista Monitor,  02.10.2017