Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregtarit të kromit, sekuestro 10 prona

Biznesmenit të kromit Sokol Nasufi, që momentalisht ndodhet në “arrest shtëpie” për rimbursim “TVSH”-je nëpërmjet faturave fiktive, i janë sekuestruar 10 pasuri me një vlerë kapitale prej 2 milionë e 375 mijë euro.

Kërkesa për sekuestrimin e këtyre pasurive është bërë nga prokurorja Antoneta Sevdarasi, e cila në muajin Maj i është drejtuar gjykatës së Tiranës, duke kërkuar sekuestrimin e 10 pasurive që ndodhet në emër të biznesmenit, Sokol Nasufi, gruas së tij, dy fëmijë dhe kompanisë “Euro Trade Mineral Group”.

Sipas prokurorisë së kryeqytetit, Sokol Nasufi, si dhe shoqëritë “Eurospeed Trans Chrom” dhe “Euro Trade Minerals”, akuzohen për ”Krijim të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerёn e shtuar”, ”Falsifikimit të formularëvë” dhe ”Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Sipas prokurorisë së Tiranës, personi nën hetim Sokol Nasufi ka kryer blerjen e disa pasurive, duke lidhur kontrata të dyshimta me subjekte të ndryshme. Duke qenë se këto shuma parash dyshohet se burojnë nga transaksione të dyshimta, si dhe duke qenë se dyshohet se poseduesit e këtyre llogarive kanë mundësi të veprojnë me këto llogari apo depozita për vazhdimin e transaksioneve të tilla, gjykata çmoi se kerkesa e organit procedues për marrjen e masës së sigurimit pasuror dhe vendosjen e sekuestros preventive ndaj tyre është e bazuar.

Hetimet e prokurorisë

Sipas dosjes së prokurorisë, shoqёria ”Elidon-06” sh.p.k, në pronësi të Mehmet Dautit ushtron aktivitetin e saj të nxjerjes së mineralit të kromit nga fshati Golaj, Vllahen Has. Pranё kёsaj shoqёrie ёshtё ushtruar kontroll Tatimor nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranё gjate vitit 2014. Inspektori i kontrollit tatimor ka kёrkuar tё evidentojë gjёndjen fizike tё disa mallrave, tё cilat janё deklaruara si tё blera gjatё vitit 2014 nga shoqёria ”Elidon-06”.

Administratori i shoqёrisё, pasi ёshtё njohur me faturat e deklaruara si blerje nga shoqёria e tij, ka deklaruar  se mallrat e pasqyrura nё këto fatura tatimore nuk janё blerё nga shoqёria qё ai administron dhe si rrjedhojë mallrat e përshkruara në këto fatura nuk janë gjëndje fizike. Mbi bazën e konstatimeve të gjetuara në subjekt është përfunduar raport kontrolli për subjektin juridik “Elidon 06” sh.p.k, nga i cili kanë rezultuar detyrime tatimore në shumën prej 50.703.613 lekë (përfshirë këtu gjoba dhe interesa).

Gjashtë faturat fiktive

Referuar faturave të blerjes të shoqërisë “Elidon 06” sh.p.k, në periudhën tatimore Maj- Gusht të vitit 2013 janë kryer blerje të shumta nga subjekte të ndryshëm tregtarë, blerje të cilat nuk i kanë shërbyer aktivitetit të kësaj shoqërie.

Administratori i shoqërisë i pandehuri Mehmeti Dauti ka deklaruar në mënyrë permanente se këto mallra nuk janë blerë asnjëherë nga shoqëria, pavarësisht se janë gjetur 6 fatura blerje.

Ai ka pretenduar gjatë hetimit se faturat tatimore të blerjes për periudhën në fjalë janë deklaruar nga zyra e kontabilitetit të tij pa dijeninë e tij. Po ashtu, rezulton se përafërsisht në të njëjtën periudhë kohore, subjekti “Elidon 06” ka lëshuar dhe deklaruar në tatime 6 fatura shitje në vlerën totale përfshirë TVSh 123.160.878 lekë, për shoqëritë “Eurospeed Trans Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals” në pronësi të Sokol Nasufit.

Nga kqyrja e ekstraktit të “Elidon 06”, rezulton se ky subjekt ka pasur pagesa pjesore për këto fatura dhe menjëherë këto kreditime kanë kaluar kryesisht për pagesën e rentës minerare. Këto pagesa janë bërë nga subjektet “Eurospeed Trans Chrom” dhe “Euro Trade Minerals”, me qëllim që të paguahej renta minerare nga ana e subjektit shitës “Elidon 06”, kusht ky që duhet të plotësohet për zhbllokimin e mallit në doganë, me qëllim eksportimin e tij. Veprimet kryesisht në bankë për llogari të subjektit “Elidon 06” i ka kryer i pandehuri Rexhep Dauti, aksioner i subjektit dhe njëkohësisht vëllai i administratorit.

Procesi gjyqësor për pagesat e faturave

Pas kryerjes së kontrollit tatimor, dhe nxjerrjes së detyrimeve në vlera të larta për shoqërinë, administrator I shoqërisë “Elidon 06”, i pandehuri Mehmet Dauti ka paditur shoqëritë  “Eurospeed Trans Chrom” dhe “ Euro Trade Minerals”, me objekt padie: “Detyrimin e pales se paditur “EURO SPED TRANS CHROM “SH.P.K të paguajë çmimin për shitjen e mallit në vlerën 43.740.000 lekë. Detyrimin e palës së paditur “EURO TRADE MINERALS GROUP SH.P.K” të paguajë çmimin për mallin e shitur në vlerën 41.227.290 lekë.

Mirëpo shoqëria e Sokol Nasufit, në Gjykatë nuk i kanë pranuar këto fatura duke deklaruar se malli i faturuar sipas katër faturave të sipërcituara nuk është marrë në dorëzim nga këto shoqëri dhe kjo është arsyeja pse ato nuk e kanë paguar çmimin e deklaruar në këto fatura. Në përfundim të shqyrtimin gjyqësor gjykata ka vendosur në 16 korrik 2015 të rrëzojë pretendimin e paditësit duke arsyetuar se malli nuk është dorëzuar. Ky vendim i gjykatës është në unison me provat e administruara gjatë hetimit të kësaj çështje penale nga e cila rezulton se faturat e subjektit “Elidon 06” janë fiktive.

U shit mineral kromi sa për 150 rrugë me kamion

Kështu nga kqyrja e faturave tatimore të shitjes të lëshuara nga subjekti “Elidon 06” për dy subjektet në pronësi të shtetasit Sokol Nasufi, rezulton se sipas secilës prej faturave janë shitur sasi shumë të mëdha minerali me një faturë të vetme, ku nga një përllogaritje paraprake dhe e përafërt e kapacitet të mjeteve të shënuara në faturë, do të duheshin të bëheshin 150 rrugë për transportin e mineralit. Pra nuk kemi të dokumentuar mënyrën e transportit nga shoqëria shitëse te shoqëritë blerëse, fakt ky që bëri të dyshohet se këto fatura janë fiktive.

Nasufi pranon fiktivitetin

Kryerja e pagesave pjesore për këto fatura, pikërisht në momentin kur duhet te eksportohej malli nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim Sokol Nasufi, është një e dhënë tjetër që tregon fiktivitetin e fatuarve të sipërcituara.

Këto fatura fiktive të analizuara si më sipër, të pranuara si të tilla dhe nga i pandehuri Sokol Nasufi, janë deklaruar në doganë si fatura justifikuese për eksportet e kryera nga shoqeritë “ Eurospeed Trans Chrom” dhe“ Euro Trade Minerals Euro trade”. Ato janë deklaruar në librat e blerjes së këtyre shoqërive, është kredituar TVSh-ja në vlerën 20.526.813 lekë për tre nga të cilat është kërkuar edhe rimbursim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, rimbursim i cili është marrë.

Pasuritë e sekuestruara

Pasuri e Paluajtshme në pronësi të të pandehurit Sokol Nasufi, e cila është blerës sipas Kontrates Shitje Pasurie te Paluajtshme, nr.620 Rep, nr.346/2 Kol,datë 30.03.2015, në emër të me vlerë 140.840 Euro.

Pasuri e Paluajtshme, zona kadastrale nr.8160, volum 42, faqe 139, për numrin e pasurisë 6/410+1-8 në pronësi të të pandehurit Euro Trade Mineral Group me vlerë 142.455 Euro.

Pasuria paluajtshme zona kadastrale nr.8160, volum 42, faqe 135, per numrin e pasurisë 6/410+ 1-4, në pronësi të të pandehurit “Euro Trade Mineral Group” e cila rrjedh Kontrate Shitje Pasurie te Paluajtshme, nr.623 Rep, nr.367/2 Kol, date 30.03.2015, në vlerën 361.455 Euro.
Pasuria e Paluajtshme në pronësi të të pandehurit Euro Trade Mineral Group e cila rrjedh Kontrate Shitje Pasurie te Paluajtshme, nr.621 Rep, nr.365/2 Kol, date 30.03.2015, në vlerën 218.145 Euro.

Pasuria e Paluajtshme me Nr.Reference 14566, zona kadastrale nr.8160, volum 42, faqe 136, per numrin e pasurise 6/410+1-5, ne pronesi te te pandehurit te Euro Trade Mineral Group në vlerën 207.000 Euro.

Pasuria e Paluajtshme në pronësi të të pandehurit Euro Trade Mineral Group me vlerë 219.345 Euro.
Pasurisa e Paluajtshme me Nr.Reference 17459, zona kadastrale nr.8160, volum 42, faqe 222, për numrin e pasurisë 6/410+1-91, në pronësi të Xhek Sokol Nasufi e përfituar sipas kontratës së dhurimit me Kusht. Vlera e pasurise 362.115 Euro.

Pasuria e paluajtshme me nr.reference 17457 ,ZK 8160 ,vol 42, fq.206, për numrin e pasurisë 6/410+1-75, përfituar sipas kontratës së dhurimit me nr.2061 Rep, Nr.731 Kol, datë 06.04.2017, në pronësi të Luljeta Nasufi (bashkëshortja e Sokolit) me vlerë të pasurisë 362.715 Euro.

Pasurisë së Paluajtshme me Nr.Reference 17458, zona kadastrale nr.8160, volum 42, faqe 230, për numrin e pasurisë 6/410+1-99, në pronësi të Flavia Sokol Nasufi e përfituar nga kontrata e dhurimit, vlera e pasurisë 361.455 Euro.

Shqiptarja.com  10.07.2017