Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjykata pezullon drejtorin e Albpetrol

Gjykata e Vlorës ka pezulluar nga detyra administratorin e Albpetrol, Endri Puka për çështjen e vendburimit të Amonicës. Vendimi, i cili mban datën 2 qershor ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë së Vlorës.

Organi i akuzës pretendon se Endri Puka ka shkelur ligjin pasi nuk rishtetëzoi në kohë vendburimin e Amonicës, duke favorizuar shoqërinë private “Phoenix”.

Vendburimi i Amonicës iu dha me konçesion kompanisë “Phoenix” pak muaj para zgjedhjeve të vitit 2013.

Por në mars të këtij vitit, Albpetrol e rishtetëzoi vendburimin me pretendimin se kompania “Phoenix” nuk kishte respektuar kontratën konçesionare, duke mos kryer investimet, si dhe duke mos paguar miliona dollarë detyrime ndaj shtetit.

Por sipas Prokurorisë së Vlorës, Albteptrol duhet t’i kishte shtetëzuar puset që në qershor të vitit të kaluar, pra 9 muaj më parë. Në kërkesën drejtuar gjykatës, prokuroria thotë se duke mos e rishtetëzuar në kohë këtë vendburim, Albpetrol ka favorizuar shoqërinë “Phoenix”.

Për këtë arsye Prokuroria e Vlorës ka kërkuar pezullimin e Pukës dhe gjykata e ka pranuar atë. Por ky nuk është hetimi i vetëm për këtë çështje.

Endri Puka është nën hetim për vendburimin e Amonicës edhe nga Prokuroria e Tiranës. Por ndryshe nga ajo e Vlorës, që e akuzon për favorizim të kompanisë private “Phoenix” duke e prishur marrëveshjen e konçesionit me vonesë, Prokuroria e Tiranës e akuzon për të kundërtën, pra se ka dëmtuar kompaninë “Phoenix” duke e prishur marrëveshjen para afateve ligjore.

Në një vendim të prillit të këtij viti, prokurori Gjergji Tako vendosi të marrë të pandehur Endri Pukën me akuzën se ka shkelur afatet për prishjen e njëanshme të marrëveshjes me “Phoenix”, si dhe ka përdorur organe dhune si Policia e Shtetit për të marrë nën kontroll shtetëror vendburimin e naftës në Amonicë.

Top Channel,  08.06.2017