Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHELL në prag të marrëveshjes për bllokun 4

Kompania SHELL, e cila po realizon operacionet e nxjerrjes së naftës në zonën e Beratit në tre puse, tani është në përfundim të negociatave me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të arritur një marrëveshje hidrokarbure për Bllokun 4, që shtrihet në zonën mes Sarandës dhe Gjirokastrës.

Dje u zhvillua raundi i radhës së negociatave ndërmjet AKBN dhe SHELL. Burimet zyrtare në AKBN bënë me dije se ky ishte takimi i radhës së grupit negociator të të dyja palëve, mbas negocimit mbi Marrëveshjen Hidrokarbure të Bllokut 4 të kërkimit, e cila tashmë po shkon drejt finalizimit.

Drejtor Ekzekutiv i AKBN-së, Viktor Tushaj, u shpreh se “mbas disa negociatash, po shkojmë drejt finalizimit të Marrëveshjes Hidrokarbure, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për SHELL në lidhje me kërkimin e naftës dhe të gazit në pusin e Shpiragut për Bllokun 2-3”.

Ai tha se “ne jemi munduar të krijojmë një kontratë model edhe për kontrata hidrokarbure që do vijjnë më pas, duke pasur parasysh interesat e shtetit shqiptar, si dhe nga ana tjetër t’i lejojë SHELL për të punuar në kushte të qeta dhe të sigurta. Ne urojmë që kjo kontratë të finalizohet sa më shpejt”.

Rohan D‘Souza, përfaqësuesi i SHELL Upstream Albania, shpreson që shumë shpejt të ketë një marrëveshje hidorkarbure të finalizuar për Bllokun 4 të kërkimit.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure nga SHELL arrijnë në rreth 270 milionë USD.

AKBN, në mes të vitit 2015, ftoi të gjitha kompanitë hidrokarbure të aplikonin për blloqet e lira (tokësore) të naftës, përkatësisht Blloku 4 dhe Blloku i Dumresë.

Revista Monitor,  18.05.2017