Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari, shpresë për përfitim nga Gazprom

Bullgaria pretendon të përfitojë nga marrëveshja e përkohshme midis Komisionit Europian dhe gjigantit rus të energjisë, Gazprom, por ekspertët kanë frikë se vendi mund të mos arrijë plotësisht të përfitojë nga kjo marrëveshje.

Për herë të parë, Gazprom-i ka pranuar se kompania ka shkelur rregullat e BE-së për rieksportimin e gazit nga një shtet anëtar në tjetrin, tha për BIRN, Martin Vladimirov, një analist në Qendrën për Studimin e Demokracisë.

Ai theksoi se mundësia që kjo marrëveshje të arrihet në mënyrën më të mirë të mundshme është shumë e madhe, por gjithashtu vuri në dukje se një grup ekspertësh ndihen të shqetësuar në lidhje me mënyrën sesi kjo marrëveshje do të zbatohet në Bullgari, kundër skenarit të ndikimit shkatërrues të Rusisë mbi sektorin energjetik të Bullgarisë.

Pas ankesave të shumta të disa vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore se kanë çmime më të larta të gazit në krahasim me vendet në Europën Perëndimore, një marrëveshje e përkohshme e shpallur muajin e kaluar do t’i lejojë Brukselit të sigurojë një treg më konkurrues të gazit në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe Bullgarinë.
Brukseli filloi hetimin në vitin 2012, pas bastisjeve së zyrave të Gazpromit vitin e kaluar dhe ngritjes së akuzave të shumta kundër kompanisë ruse në vitin 2015.
Kompania ruse, jo vetëm që i mohoi akuzat dhe u përpoq që të shmangte edhe shlyerjen e një gjobe tejet të lartë, por ajo ngriti vetë një sërë akuzash, duke përfshirë këtu edhe premtimet për të lehtësuar kufizimet në shitjet e gazit midis shteteve anëtare të BE-së, si dhe çmime më të mira të gazit sipas kushteve të kontratës.

“Gazprom-i është i mirëpritur të shesë gazin e tij në Europë, por sipas rregullave të BE-së, duke përfshirë edhe rregullat tona të konkurrencës”, tha muajin e kaluar në Bruksel, Margrethe Vestager, komisionerja e konkurrencës e BE-së.

Duke u përballur me konkurrencën e ashpër brenda dhe jashtë vendit dhe një rënie drastike të çmimeve globale të naftës, Gazprom, i cili furnizon rreth një të tretën e gazit të BE-së, duket i gatshëm të bëjë disa lëshime. Edhe pse konsumi i gazit në Europë ra në dekadën e fundit nga 489 miliardë metra kub në vitin 2006 në 397 miliardë në vitin 2015, Bashkimi Europian është ende një treg i rëndësishëm për kompaninë ruse.

Revista Monitor,  02.05.2017