Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shiu shkaktoi prodhim të lartë të energjisë

Shqipëria prodhoi 7.1 miliardë kWh energji elektrike gjatë vitit 2016 si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit dhe rritjes së prodhimit nga hidrocentralet private, prodhimi i dytë më i lartë i shënuar në histori.

 

Prodhimi i Energjisë elektrike gjatë vitit 2016 arriti 7.1 miliardë kWh, si pasojë e shirave të bollshëm dhe hyrjes në rrjet të hidrocentraleve të reja private, bëri të ditur Instituti i Statistikave në raportin mbi bilancin e energjisë elektrike të vendit.

Prodhimi prej 7.1 miliardë kËh është i dyti më i lartë i shënuar në historinë elektroenergjetike të vendit pas prodhimit prej 7.6 miliardësh të realizuar në vitin 2010, vit kur reshjet qenë gjithashtu të larta dhe shkaktuan përmbytje në një pjesë të konsiderueshme të ultësirës Perëndimore, më së shumti në Shkodër.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është i varur në masën 100 për qind nga hidrocentralet, ku sasia e reshjeve dhe menaxhimi i prurjeve janë përcaktuesit kryesorë të sasisë së prodhimit. Gjatë vitit 2016, niveli i Fierzës qe pranë maksimumit historik maksimum që është regjistruar gjithashtu në vitin 2010.

Por gjatë vitit të kaluar, përveç reshjeve qe edhe prodhimi privat i cili u rrit me 44 për qind duke arritur në 2 miliardë kWh, ose 28 për qind të të gjithë prodhimit.

Për shkak të varësisë nga reshjet, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri luhatet në shkallë të konsiderueshme. Në vitin 2007 u shënua prodhimi më i ulët në dy dekada në masën 2.9 miliardë kWh.

Shtimi i hidrocentraleve të reja, veçanërisht kaskadës së Devollit, pritet të rrisë prodhimin e energjisë gjatë viteve të ardhshme. Pavarësisht shtimit të prodhimit privat gjatë viteve të fundit, Shqipëria mbetet vend deficitar dhe ka nevojë të mbulojë një pjesë të konsumit me importe. Vitet 2010 dhe 2016 bëjnë përjashtim nga ky rregull kur prodhimi mbuloi të gjithë konsumin.

Gjatë vitit 2016, konsumi i energjisë elektrike qe 7.1 miliardë kWh. Nga këto, afro 2 miliardë qenë humbje teknike dhe vjedhje apo konsum vetjak i në prodhim dhe transmetim. Konsumi i faturuar i energjisë elektrike qe 5.1 miliardë kWh i ndarë përgjysmë në konsum familjar dhe konsum të biznesit e të institucioneve publike. Konsumi i faturuar i familjeve u rrit me 2.5 për qind ndërsa konsumi i sektorit jofamiljar ra me 1 për qind. Rënia e konsumit jofamiljar u shkaktua në masë të gjerë nga mbyllja e përkohëshme e prodhimit të çelikut në Elbasan nga kompania Kurum, e cila është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në vend.

Reshjet e shumta të shiut gjatë fillimit të vitit 2016 shkaktuan përmbytje dhe viktima në janar dhe nëntor2016.

Revista Monitor,  26.03.2017