Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, dosje penale për Shkëlzen Berishën

Komisioni Hetimor për CEZ do i kërkojë Kuvendit në seancë plenare dërgimin e kallëzimit në Prokurori për Shkëlzen Berishën pas refuzimit të dëshmisë për skandali CEZ.

Kryetari i Komisioni Hetimor për CEZ Taulant Balla i ka bërë thirrje sot prokurorisë që të procedohet penalisht Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas Ballës, djali i ish-kryeministrit rrezikon deri në 3 vite burg. Kallëzim penal ka edhe Nue Kalajn, pasi nuk u paraqit në Komisionin Hetimor.

Shkëlzen Berisha u paraqit tre herë para komisionit hetimor, por refuzoi të betohej se do të thoshte të vërtetën rreth rolit të tij në procesin e privatizimit.

Rezulton se me këto refuzime Shkëlzen Berisha ka shkelur tre nene të Kodit Penal dhe Procedurës Penale, konkretisht nenin 307 dhe 310 i Kodit Penal si dhe nenin 165 të Kodit të Procedurës Penale.

Si pasojë ai mund të dënohet me gjobë ose me burg dhe ky i fundit parashikon dënimin nga 1 deri në 3 vite në qeli.

Ne 13 Mars, Komisioni Parlamentar mbylli hetimet, duke deklaruar përgjegjësit për abuzimet në këtë privatizim dhe kryesorin ndër ta kanë listuar ish-kryeministrin Berisha.

Po ashtu në listën e gjatë të përgjegjësve ndodhet dhe djali i tij Shkëlzeni dhe Ministrat e Ruli e Mima.

“Kemi gjetur përgjegjësi ndaj personave Sali Berisha, ish-kryeministër, Genci Ruli, ish-ministër i ish-Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, Eno Bozdo, Shkëlzen Berisha, person privat i lidhur me këtë proces privatizimi. Suzana Guxholli, Florian Mima, Nue Kalaj ju bëj me dije se të gjitha gjetjet e këtij komisioni do t’i dërgohen Prokurorisë së përgjithshme të Republikës së Shqipërisë”, tha Balla.

Dëmi që i është shkaktuar shtetit shqiptar nga privatizimi tek çekët e CEZ-it kap vlerën e 414 milionë eurove.

Por Shkëlzen Berisha mund të procedohet penalisht edhe për rolin që ka pasur në privatizimin e OSSH-së, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me sekserin Nuel Kalaj.

“VKM-të e firmosura nga qeveria e asaj periudhe kanë favorizuar kompaninë fituese. Përgjegjësia për dëmin ndaj shtetit prej 450 milionë euro bie mbi ish-kryeministrin Sali Berisha”, tha Balla.

Deputetët e maxhorancës votuan raportin e prezantuar një javë më parë. Në votim mungonte opozita.

Emaili qe implikon Shkelzen Berishen
Megjithatë, publikisht, Shkëlzeni ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Por, një dokument dhe një dëshmi, konfirmojnë të kundërtën.

Bëhet fjalë për një e-mail që ish-drejtori i CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i dërgon  nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth një takimi të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe djalin e tij, me ndërmjetësimin e Nuel Kalajt. Së dyti, për një lidhje të mundshme mes Shkëlzen Berishës dhe sekserit Nuel Kalaj, ka folur edhe dëshmitari Romeo Kara. Ndërkaq, vetë Kalaj, ndonëse refuzoi të dëshmonte, ka pranuar takimet me Sali Berishën, por jo me Shkëlzenin.

E-maili i plotë i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pelskac

Dërguar: E enjte, 28 Janar 2010, 22-40 PM
Nga: Josef Hejsek
Te: Tomas Pelskac
Subjekti: Shqipëri-Përgatitja e takimit me kryeministrin
Rëndësia: E lartë
Mirdita Tomas,
Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj.
Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP.
Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë.
Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit).
Çfarë duhet të presim nga kryeministri?
Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje).
Rezultatet e tyre nuk janë akoma të mbaruara apo përfundimtare. Ai më siguroi se përfundojnë shpejt dhe pas kësaj do ulemi sërish.
Si përfundim, sapo detajet e negociatave do jenë gati, do të fitojmë MR në Tiranë (Martin Roman). Gjithë të mirat.

Dy dosje për Shkëlzen Berishën

Dosja e parë
Referuar raportit të përfundimtar të hetimeve, komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’, në emër të Parlamentit, i kërkon prokurorisë të ndjekë penalisht Shkëlzen Berishën, me argumentin se ka refuzuar katër herë për të dëshmuar para komisionit, duke konsumuar veprën penale të refuzimit për të dëshmuar parashikuar në nenin 3007 të Kodit Penal. “Komisioni hetimor, gjatë zhvillimit të hetimeve, ka thirrur në cilësinë e dëshmitarit Shkëlzen Berishën për të dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen objekt shqyrtimi dhe hetimi. Ky dëshmitar është paraqitur katër herë në komision dhe në asnjë rast nuk ka pranuar që të dëshmojë. Kodi Penal e parashikon si vepër penale refuzimin për të dëshmuar. Në nenin 307 të Kodit Penal përcaktohet se “Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet”. Në këto kushte, komisioni çmon se jemi në kushtet kur shtetasi Shkëlzen Berisha ka konsumuar elementet e veprës penale “Refuzimi për të dëshmuar”, parashikuar nën nenin 307 të Kodit Penal dhe i rekomandon prokurorisë fillimin e çështjes penale për këtë shtetas”, thuhet në raport.
Detyrimi për të dëshmuar
Sipas raportit, detyrimi për të dëshmuar nuk është një e drejtë e dëshmitarit, por një detyrim ligjor, mosrespektimi i të cilit është i dënueshëm nga legjislacioni penal. “Nga ana tjetër, Kodi i Procedurës Penale, mbi bazën e të cilit funksionon komisioni, në nenin 165 të tij, përcakton se “Kur dëshmitari ngul këmbë për mospranim për të dëshmuar ose kur del se dëshmitari bën dëshmi të rreme, gjykata i kërkon prokurorit që të procedojë sipas ligjit”, thuhet në raport.

Dosja e dytë
Komisioni hetimor, në raportin përfundimtar, i kërkon Parlamentit të kallëzojë penalisht Shkëlzen Berishën si person i përfshirë në privatizimin e OSSH. Komisioni ka përfshirë djalin e ish-kryeministrit në listën e personave përgjegjës, për privatizimin abuziv të OSSH, i konsideruar si privatizimi më i dështuar në historinë e pluralizmit shqiptar. Tre janë provat e komisionit hetimor kundër Shkëlzen Berishës. Prova kryesore është një e-mail i ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, drejtuar nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, ku flitet për një takim të planifikuar me Shkëlzen Berishën. E-maili flet për njohje të Nuel Kalajt me Shkëlzenin. Ky i fundit ka deklaruar se takimi nuk është zhvilluar kurrë, por fjala e fundit i takon prokurorisë. Gjithashtu, komisioni do të referojë në prokurori dëshminë e Romeo Karajt dhe lëvizjet e Shkëlzen Berishës jashtë vendit.

Shqiptarja.com  21.03.2017