Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bolunmaz Petrol braktis pronat që kishte në hipotekë

Historia e një firme turke në fushën e naftës, që u hap në fund të 2013-s, u rrit me shpejtësi, duke pasur xhiro rreth 14 milionë dollarë në 2015-n, mori dy kredi në total 11 milionë dollarë dhe u zhduk në janar të këtij viti. Pronari i saj ishte pjesë e një grupi që u procedua për kontrabandë nafte në Greqi në 2009-n…

Banka Kombëtare Tregtare ka kërkuar sekuestron e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë Bolunmez Petrol, pasi kjo e fundit nuk i ka kthyer kredinë, ndërkohë që banka ka vënë në ruajtje pronat e hipotekuara, teksa kompania ka ndalur punën dhe i ka braktisur këto prona.

Bolunmez Petrol, me aktivitet në fushën e naftës, që zotëronte depozitat e karburantit në Shëngjin, ka marrë fillimisht një kredi prej  rreth 2.4 milionë dollarë në qershor 2014 dhe më pas një kredi në janar 2016 , prej rreth 8.5 milionë dollarë. Për të dyja kreditë ka hyrë dorëzanës edhe kompania ORYAP ORM.INS.SAN.VE.TIC.

Mosshlyerja e kredive ka detyruar BKT-në që në nga tetori 2016 të çojë çështjen në përmbarim dhe të kërkojë ekzekutimin e pronave të shumta që janë vënë në hipotekë.

Nga raporti rezulton se të gjitha pronat janë braktisur. “Në datën 19.01.2017 njoftohemi nga pala kreditore, që pronat janë braktisur nga pala debitorë dhe nga shoqëria private e rojeve e kontraktuar nga pala debitorë, duke mos u kujdesur për pronat e hipotekuara në favor të palës kreditore të cilat janë objekt i ekzekutimit. Ky fakt u konstatua në vend nga përmbaruesi gjyqësor në favor të palës kreditore dhe forcave të rendit, ku u konstatua se pronat nuk ishin në punë, duke mos pasur asnjë gjendje inventari dhe nuk kishte energji elektrike, duke mos realizuar të ardhura. Të gjitha dyert e objektit janë të mbyllura, të cilat u vulosën dhe me vulën përmbarimore”, thuhet në raportin e kompanisë përmbarimore Justicia.

Për këtë arsye, përmbaruesi ka vendosur caktimin e një kompanie sigurie (Octapus Security) për të ruajtur pronat.

Pronat e vëna në hipotekë janë pesë depozita karburanti në Shëngjin, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, tubacione nafte, si dhe truall e ndërtesa, të gjitha në Shëngjin.

Rritja dhe rënia e shpejtë e një kompanie

Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionare me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania, sipas ekstraktit në QKB ka si objekt kryesor të aktivitetit krijimin, instalimin, dhe vënien në shfrytëzim sipas kushteve teknike, të pajisjeve, impianteve, stacioneve, reparteve dhe linjave të ushtrimit dhe tregtimit të hidrokarbureve brenda dhe jashtë vendi. Sipas mediave turke, në vitin 2009 Mehmet Murat Bolunmez ka qenë pjesë e një grupit të hetuar për kontrabandë nafte në Greqi. http://www.hurriyet.com.tr/suleyman-bolunmez-serbest-birakildi-11298838

Kompania Bolunmez Petrol ka parë një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të madhë në vend (e 154-a).

Pavarësisht rritjes së shpejtë në 2015-n, viti 2016 ka qenë problematik për kompaninë. Në fund të tetorit të vitit të kaluar BKT filloi marrjen e masave, duke e çuar çështjen në përmbarim dhe duke kërkuar vënien e sekuestros konservative në aktivitetet e palës debitore.

Nafta, ky treg i paqëndrueshëm

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.

Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies. Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta.

Taçi Oil (më pas I.S.C. Petroleum -IT Oil) , Tea Construction & Petrol kanë qenë dy nga kompanitë tipike, që pasi arritën xhiro të larta vjetore, falimentuan, duke lënë pas një mal me detyrime e kredi.

Revista Monitor,  03.02.2017