Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dalin sërish në ankand pronat e ARMO-s

Pasi ka dështuar ankandi i parë, kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol, ka nxjerrë për herë të dytë në shitje disa prona të shoqërisë së përpunimit të naftës ARMO.

Data e zhvillimit të ankandit është 27 shkurt dhe çmimi i ri i shitjes është rreth 18 milionë lekë (rreth 130 mijë euro), ndërsa në të parin, ku nuk pati asnjë interes ishte rreth 25 milionë lekë.

Për shitje ofrohet një sipërfaqe truall prej rreth 31 mijë metra katrorë, në të cilin janë vendosur sipërfaqe ndërtimi 151 m2.

Edhe kompani të tjera i janë drejtuar përmbarimit, pasi nuk po arrijnë të marrin pagesat nga kompania ARMO, që ndonëse rifilloi punë në tetor të vitit të kaluar, pas ndryshimit të menaxhimit, nuk po shlyen detyrimet.

Shoqëria Arb Security ka kërkuar përmes përmbarimit kthimin e shumës prej 47.5 milionë lekë, pasi ARMO nuk i është përgjigjur kërkesës së vazhdueshme për kthimin e shumës. ARMO-s i është lënë 10 ditë kohë për ekzekutim vullnetar, përndryshe do të fillojë ai i detyrueshëm.

Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.

Në tetor të vitit të kaluar, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Kompania nënshkroi dhe një marrëveshje me prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.

Që pas këtij lajmi, kreditorët kanë vërshuar të kërkojnë detyrimet e tyre përmes përmbarimit. Bankat kanë riaktivizuar urdhrat e sekuestros, ndërsa dhe prodhuesi shtetëror i naftës Albpetrol ka vënë në vazhdimisht në sekuestro objekte, teksa detyrimi që i ka ARMO arrin në rreth 50 milionë euro.

Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Revista Monitor,  02.02.2017