Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP shtroi 58 km rrugë, ndërtoi dhe rikonstruktoi rrugë

Në fund të vitit 2016 Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG përfundoi fazën e parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përmirësimin e rreth 58 km rrugë ndihmëse, ndërtimin e dy urave të reja dhe përmirësimin e strukturës së 40 urave të tjera.

Punimet zgjatën një vit e gjysmë dhe u kryen nga një siipërmarrje e përbashkët (joint venture) e përbërë nga kompania shqiptare Gener 2 Sh.p.k dhe Sicilsaldo S.p.A.

Infrastruktura e përmirësuar rrugore do të lehtësojë transportimin e tubave dhe pajisjeve të nevojshme për veprimtaritë ndërtimore të gazsjellësit.

Ajo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore dhe bizneseve përreth në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rreth 200’000 persona do të përfitojnë nga kjo infrastrukturë rrugore e përmirësuar.

Punimet u projektuan që të kishin ndikim minimal në mjedis dhe në komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Më shumë se 600 punëtorë u përfshinë në këtë proces dhe më shumë se 99% e tyre ishin shqiptarë.

Karl Roberts, Menaxheri i Projektit TAP për Shqipërinë tha: “Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar për arritjen e këtij suksesi. Me gjithë relievin e ndërlikuar dhe problematik, me pika që arrin në lartësi 1.800 metra, punimet u mbyllën në kohë, sipas buxhetit, dhe mbi të gjitha sipas standardeve më të larta të sigurisë.
Për më tepër, jemi krenar të theksojmë disa arritje në Shqipëri. Është hera e parë që urat janë përforcuar pa ndërprerë qarkullimin rrugor, është hera e parë që guroret dhe vendet e derdhjes së materialeve natyrore janë rehabilituar sipas standardeve të rrepta mjedisore dhe është hera e parë që është treguar kaq kujdes për ruajtjen, monitorimin dhe shpëtimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore”.

Faza e dytë e përmirësimit të rrugëve, përbërë nga rreth 120 km rrugë, do të zbatohet nga kontraktori i TAP-it për Inxhinierinë, Prokurimin dhe Ndërtimin Spiecapag.

Ora, News,  13.01.2017