Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Shpërblim për punonjësit e OSHEE

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE, Adrian Çela ishin sot në qarkun e Kukësit për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të dëborës.

Ministri inspektoi nënstacion elektrik të zonës, duke theksuar se Operatori i Shpërndarjes me punonjësit e tij ka reaguar në mënyrën e duhur duke përballuar një situatë të jashtëzakonshme.

Duke i falenderuar të gjithë punonjësit e OSHEE dhe OST për sakrificën e bërë, z.Gjiknuri tha se 1800 punonjës në të gjithë Shqipërinë do të marrin shpërblim për punën e vështirë që kryen duke marrë një pagesë ekstra.

Ndërsa administratori i OSHEE-së, Ardian Çela tha se reforma e nisur në shtator solli një rritje të pagës bazë të punonjësve, ndërkohë që është bërë dhe sigurimi i jetës së tyre si dhe pajisja me uniforma.

Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë:

Periudha e dimrit është një test për aftësinë e OSHEE për të reaguar dhe një test për ne për të provuar investimet si nga ana operacionale, teknike, dhe në fund të fundit OSHEE provon vetveten.

Festat e fundvitit përfshi dhe situatën e emergjencës tregoi se të gjitha investimet e kryera kanë dhënë rezultat si nga ana profesionale, pra OSHEE me punonjësit e saj reagoi në mënyrën e duhur duke përballuar një situatë të jashtëzakonshme, duhet ta kuptojmë pavarësisht se ka spekulime politike që thonë se ka ndërprerje energjie. Sepse kudo ku ka problem me motin ka dhe me energjinë, sidomos në kushtet e rrjetit shqiptare.

Në një periudhë shumë të shkurtër, të gjithë strukturat e OSHEE dhe OST për rastin e Kukësit, bënë të mundur rikuperimin e avarive. Vetë abonentët e kanë ndjerë këtë, kanë parë dhe kushtet e vështira në të cilët ato punojnë. Dua ti falenderoj për sakrificën këta njerëz dhe pikërisht një aspekt i reformës në energjetikë është rritja e pagës së punonjësve tanë, përfshi dhe për këtë periudhë në dimër, është parashikuar një pagesë ekstra. Janë 1800 punonjës në të gjithë Shqipërinë që do të marrin shpërblim për punën e vështire që kryen, sepse sollën energjinë në shtëpitë e shqiptarëve duke punuar në kushte të vështira.

Investimet do të vazhdojnë në sistemin energjetik. Nëse do të mbajmë këto parametra financiarë dhe kjo qëndrueshmëri e të gjithë sektorit energjetik do të përkthehet në investime Janë parashikuar 100 mln dollarë, investimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në sektor. Do ketë probleme? Sigurisht që do të ketë, sidomos në zonat rurale pasi zgjidhja  përfundimtare e furnizimit me energji do dojë disa vjet. Nëse vazhdon kjo marrëdhënie e mirë me OSHEE dhe abonentët, ulja e humbjeve, ulja e abuzimit, shtimi I pagesave, investimet do të jenë të pranishme kudo, si në Kukës ashtu dhe në të gjithë Shqipërinë. Kjo është garancia e vetme. Kompanitë energjetike si KESH, OST, mbi të gjitha OST, janë kthyer në kompani suksesi duke kontribuar në buxhetin e shtetit. Nga gropa që ishin para disa vitesh janë kthyer në faktor stabiliteti duke ofruar dhe paketa sociale.

A do të ndërtohet unaza e furnizimit me energji nga ana e Dibrës. Nga ana e Dibrës ju e dini ka qenë problem me një linjë private, sepse qeveria e shkuar, një linjë të tensionit të lartë ia ka lënë në pronësi një subjekti privat. Ne po gjejmë zgjidhje ligjore që kjo linjë të vihet në shërbim të sektorit public, pra OST, dhe që këtej e tutje të ketë një linjë të dytë  e bërë vitet e fundit, nga qeveria jonë. Ju garantoj se Kukësi do të ketë një linjë të dytë brenda këtij viti dhe  në dimrat e tjerë s’do ketë problem me energjinë.

Adrian Cela, administrator i OSHEE:

U vu re një reagim nga ana e kompanisë për eliminimin e defekteve dhe kthimin e energjisë në një kohë shumë të shpejtë. Brenda ditës, janë eliminuar gjatë këtyre 4 ditëve të gjitha defektet e ndodhura gjatë natës, megjithëse kushtet e motit ishin ekstreme.

Nëse do të krahasonim situatën me janarin e 2015, në zonën e Malësisë së Librazhdit dhe Kukësit pati temperatura jo kaq ekstreme, por reshje bore intensive, defektet zgjatën më shumë dhe një numër i konsiderueshëm abonentësh mbetën për një kohë më të gjatë pa energji. Këtë radhë, kompania pati një reagim të menjëhershëm për shkak dhe të investimeve që janë kryer këto dy vite, si dhe përkushtimin e punonjësve tanë. Ndaj jemi këtu bashkë me ministrin për ti falenderuar të gjithë punonjësit tanë jo vetëm këtu në Kukës, por dhe punonjësit nga drejtoritë e OSHEE nga veriu në jug që me përkushtim kanë riparuar në kohën maksimale të mundur defektet dhe risollën energjinë tek abonentët.

Investimet që kompania ka bërë gjatë këtyre dy viteve, dhanë rezultat dhe kapërcimi i situatës në këto kushte ekstreme, janë treguesit më të mire. Kompania i ka pasur parasysh këta punonjës që punojnë në kushte të vështira dhe gjatë këtyre viteve i ka shpërblyer me disa paga. Ajo reformë që nisëm në shtator për rritjen e pagës së bazës është një shpërblim për punën që kanë bërë këta punonjës. OSHEE ka bërë edhe sigurimin e jetës në rast aksidentesh si dhe pajisjet e tyre me veshjet e duhura në këto kushte ekstreme, njësoj si punonjësit e kompanive simotra në botë.

energjia.al  10.01.2017