Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et dhe qeveria gjejnë gjuhën e përbashkët

Pas konflikteve mes përfaqësuesve të hidrocentraleve privatë (të përfaqësuar nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme) dhe Ministrisë së Energjisë, lidhur me ligjin e ri të energjisë së rinovueshme, palët duket se po shkojnë drejt konsensusit, me ndihmën edhe të përfaqësuesve të Komunitetit të Energjisë.

Në një deklaratë zyrtare, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) vlerësojnë progresin e bërë në diskutimet për ligjin për “Energjinë e Rinovueshme” me Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, me praninë e përfaqësuesve të Komunitetit të Energjisë.

AREA përshëndet vendimin e Komisionit Parlamentar përgjegjës për rishikimin e nenit 22 të draftit të Ligjit për Energjinë e Rinovueshme, me ndryshimet e mëposhtme:

  1. HEC–et prodhuese bëhen subjekte disbalancash pas bërjes aktive të tregut ditor të energjisë.
  2. Çmimi i energjisë së prodhuar nga HEC–et e vogla do të përcaktohet nga një metodologji e rënë dakord mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Komunitetit të Energjisë.

Në të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe AREA dëshiron që të vazhdojnë diskutimet edhe për ndryshimin e çmimit dysheme të energjisë së prodhuar nga HEC–et e vogla i cili në këto momente është larg çmimit optimal që siguron operim normal të Hidrocentraleve.

AREA dëshiron të theksojë se prodhuesit e energjisë së rinovueshme janë të interesuar të gjejnë zgjidhje që do të sjellë stabilitet për investimet e tyre ekzistuese veçanërisht për çmimin që është elementi më jetik i suksesit të projektit, pas momentit të realizimit të investimit, thuhet në deklaratë.

Revista Monitor,  21.12.2016