Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efikasiteti i energjisë, populizmi shijon i nxehtë

Thekëset e bukës dhe enët e kuzhinës nuk janë më në duart e BE-së

Më herët këtë vit, David Coburn, i cili përfaqëson në Parlamentin Europian Partinë e Pavarur Britanike, një grup euroskeptik, erdhi me një argument tepër të çuditshëm për largimin nga BE-ja: cilësinë e vaktit të mëngjesit. Ai tha se legjislacioni i BE-së nënkupton se thekëset e bukës do të kenë fuqinë e një qiriu, duke mos e thekur bukën ashtu siç do të donte ai, dhe duke mos e ngrohur mirë.
Në fakt, BE-ja nuk rregullon me ligj konsumin e energjisë për thekëset, dhe më 25 tetor duket se braktisi çdo plan për ta bërë këtë. Sipas dokumenteve të brendshëm nga Komisioni Europian, thekëset e bukës, enët e kuzhinës dhe tharëset e flokëve nuk kanë gjasa që të përfshihen në listën produkteve të reja në direktivat e Ecodesign, që vendos rregulla mbi përmirësimin e efikasitetit të Energjisë mbi pajisjet.
Ligje të tilla janë gjerësisht jopopullore, jo vetëm te britanikët e zemëruar. Në faqen e internetit, alternativa e partisë së krahut të djathtë në Gjermani “i shet” llambat inkandeshente (joekonomike) si një gjest proteste për ndriçimin e zbehtë. Edhe në Danimarkë, njerëzit u detyruan të blinin me nxitim pastrues të fuqishëm me vakum (fshesat me korrent) përpara se të ishte shumë vonë, kur BE-ja i përfshiu këto produkte në direktivat e saj, dy vite më parë.
Megjithëse vendimi i Komisionit do të kënaqë euroskeptikët, konsumatorët do të jenë më pak të lumtur. Kjo do të thotë se pajisjet e tyre, frigoriferët, pastruesit me vakum apo televizorët, do të jenë më ekonomike gjatë gjithë përdorimit të jetës së tyre, edhe pse produkti fillimisht do të kushtojë shumë shtrenjtë. Sipas raportit më të fundit të Komisionit, konsumi i energjisë për produktet sipas direktivave të BE-së, do të jetë rreth 18% më pak deri në vitin 2020. Kursimi në Energji do të jetë i barasvlershëm me 165 milionë tonë naftë në vit, më shumë se gjysma e konsumit të energjisë së Gjermanisë, dhe gjysma e objektivit të kursimit europian deri në vitin 2020.
Ekologjistët janë të shqetësuar në lidhje me vendimin e Komisionit për të ngadalësuar rishikimin e standardeve ekzistuese. ECOS, një OJF mjedisore, thotë se planet e diskutuara këto kohë janë të vonuara prej 18 muajsh. Përllogaritet se vonesa mund t’iu grabisë konsumatorëve dhe firmave 10 miliardë euro kursime deri në vitin 2030.
Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit, nuk njihet si mbështetës i lehtë i opozitës. Megjithatë ai dukej veçanërisht i shqetësuar nga reagimi kundër politikës së efikasitetit të energjisë. Kjo tregon se sa e ndjeshme është bërë BE-ja ndaj pakënaqësive popullore, që tashmë është bërë mjaft e zakonshme: Nga një sondazh i fundit, Brukseli është i besuar vetëm nga një e treta e europianëve. Nga tregtia e lirë deri tek emigracioni dhe pajisjet elektro-shtëpiake, politikat e BE-së duken të shijshme sa një copë e djegur buke e thekur.

Revista Monitor,  30.11.2016