Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ZRRE: Çmimi nuk është rritur

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke iu pëgjigjur shqetësimeve të konsumatorëve, ka sqaruar situatën e çmimeve të energjisë elektrike, duke thënë se ato nuk kanë ndryshuar që nga viti 2014.

“Për shkak të reagimeve të shumta në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, ZRRE dëshiron të sqarojë për të gjithë qytetarët se çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak janë të njëjta që nga viti 2014. Përderisa Struktura Tarifore nuk ka ndryshuar që nga viti 2007. Struktura e tanishme tarifore e energjisë elektrike është vendosur nga Bordi i ZRRE si zgjidhje për të përshtatur çmimet me karakteristikat e sistemit elektro-energjetik në vend, me qëllim të sigurimit të shërbimeve me çmime që mbulojnë kostot e arsyeshme të këtij sistemi”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

Siç thuhet në komunikatë, ZRRE vazhdimisht është përpjekur të sqarojë për konsumatorët se duke filluar nga muaji tetor fillojnë tarifat e sezonit dimëror- tarifat e larta.

“Arsyeja e ndarjes së tarifave sezonale është që të bëhet përshtatja me kërkesën e konsumit të energjisë elektrike e që me fillimin e sezonit të lartë konsumi i energjisë elektrike fillon të rritet dhe në të njëjtën kohë çmimet janë më të larta. Qëllimi i vendosjes së tarifës së sezonit së lartë është që të nxitet kursimi i energjisë elektrike gjatë muajve kur ngarkesa rritet dhe zvogëlohen mundësitë për të furnizuar të gjithë konsumatorët vetëm nga gjenerimi vendor. Në këtë mënyrë imponohet importi i energjisë me çmime më të larta”, thuhet në njoftim.

Konsumatorët në sezonin e ulët, sipas tyre, paguajnë tarifa nën kosto mesatare të shërbimit, ndërsa e kundërta ndodh për sezonin e lartë.

“ZRRE gjatë përcaktimit të strukturës tarifore, me qëllim që të nxisë konsumatorët ta kursejnë energjinë si dhe të mbrojë konsumatorët me të ardhura më të ultë ka krijuar grupet tarifore. Blloku i parë tarifor aplikohet tek konsumatorët që kanë konsumin mujor deri në 200kWh; blloku i dytë tarifor aplikohet tek konsumatorët me konsum mujor nga 201kWh/muaj deri në 600 kWh dhe blloku i tretë tarifor aplikohet për konsumin mujor mbi 600 kWh”, thuhet në njoftim, teksa bëhet thirrje që të kursehet energjia elektrike gjatë këtij sezoni.

“Rritja e konsumit, sidomos duke përdorur energjinë elektrike për ngrohje, mund t’i vendos ata në grup të konsumit më të lartë dhe duke pasur parasysh edhe diferencën nga çmimet e sezonit të ulët faturat e tyre mund të dyfishohen”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Telegrafi,  23.11.2016