Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OST dhe kfW nënshkruan financimin e linjës Maqedoni-Shqipëri

Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Banka Gjermane kfW firmosën sot marrëveshjen e financimit për projektin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, Ambasadorja Gjermane Znj. Susanne Schütz dhe i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Jan Rudolf.

“Një nga investimet e rëndësishme ka qenë linja me Kosovën dhe kfW ka qenë një pioner e mbështetjes për forcimin e rrjetit elektroenergjitik. Për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim megjithë lobingun e përpjekjet tona. Përfitoj nga rasti dhe jam i sigurtë se edhe kryeministri Rama do ta trajtojë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, sepse na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale. Bllokimi dëmton marrëdhëniet por mbi të gjitha dëmton integrimin e rrjetit energjitik siç dëshiron edhe vet Bashkimi Evropian”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Duke ju referuar linjës me Maqedoninë, ai tha se do të jetë një gur kilometrik për formimin e tregut energjitik. “Shqipëria po bën hapat e saja për krijimin e Bursës së Energjisë dhe liberalizimin e tregut por pa investime konkrete mbeten në letër. Jam i lumtur se progresi në sektor me mbledhjen e faturave, reduktimin e faturave, formalizimin e sektorit dhe ndërmarrjen e reformave ka bërë të mundur që të shtohen investimet”, theksoi Gjiknuri.

Ambasadorja gjermane deklaroi se sektori energjitik është një nga sektorët kyc të Bashkepunimit Financiar Gjermano-Shqiptar, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 270 milionë euro, që nga viti 1998. “Për momentin, KfW siguron financime për një gamë të gjërë projektesh, duke perfshirë këtu linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Kosovës, linjën unazore 110 kV në jug të Shqipërisë, masa të lidhura me eficencën e energjisë në ndërtesat publike, rehabilitim efiçent nga ana e energjisë të konvikteve studentore të Qytetit Studenti I dhe II”, u shpreh ajo.

Administratori i OST-së Engjell Zeqo, deklaroi se projekti si pjesë e infrastrukturës së korridorit të 8 evropian përmirëson sigurinë e furnizimit me energji elektrike në rajon dhe veçanërisht për 2 vendet. Do të rrisë kapacitetin transmetues ndërkufitar në vendet tona, si dhe në Evropën juglindore.

“Me këtë investim do të maksimalizohen përfitimet dhe do të minimizohen kostot financiare për sigurinë e shërbimeve që ne do të ofrojmë për tregun e energjisë elektrike”, nënvizoi Zeqo.

Në total huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion Euro. Në pikpamjen strategjike, Projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise, dhe si pjesë e infrastrukturës së Koridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë. Krijohen kushte për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën Fier – Vlorë me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë). Inkurajon zhvillimin ekonomik të rajonit Jugor dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike. Gjithashtu reduktohen humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit.

Ky projekt përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin Shqiptar; zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan2 me zbarrë dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr; ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier dhe zgjerimin e nënstacionit Fier me një Autotransformator 400 MVA dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.

Kosto e përgjithshme e projektit është rreth 70 milion Euro prej të cilave: Huaja e Bankës KfW, 50 milion Euro; Grant nga WBIF, 20% e projektit, 14 milion Euro; Grant nga WBIF për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Kufi, 0.6 milion Euro; Kontribut i KfW për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Fier, 0.6 milion Euro dhe kontributi i OST, 5 milion Euro.

Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017 ndërsa projekti të mund të përfundojë në vitin 2019.

energjia.al  19.11.2016