Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shpërthim në rafinerinë e naftës

Një person ka humbur jetën, ndërsa 7 janë të plagosur mes tyre edhe një zjarrfikës nga një shpërthim i fuqishëm që ka ndodhur rreth orës 22:45 në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh.

Shpërthimi i valvulës së pompës së hidrogjenit në repartin nr. 3, në seksionin 92 është shoqëruar me flakë te mëdha duke sjellë një të vdekur.

Viktima është Shkëlqim Muça 40-vjeç, ndërsa 4 nga 7 të plagosurit u dërguan në Tiranë për mjekim të specializuar, pasi kanë djegie të rëndë në trup mbi 50%.

Të plagosurit që u transportuan në Tiranë janë Fatos Bushaj, Kovac Pashaj, Aleks Kube dhe Viktor Proska.

Tre personat e tjerë të plagosur që ndodhen në Fier, mes tyre edhe zjarrfikësi, Gramoz Fejzo janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas dëshmive të para shpërthimi ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turneve nga punëtorët, ndërsa në uzinë ishin mbi 30 persona në repartin ku ndodhi ngjarja.

Banorët e zonës kanë qenë të parët që u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve, ndërsa deklarojnë se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm, sa është lëkundur edhe toka.

Ekipet e emergjencave kanë evakuuar të gjithë punëtorët nga uzina, ndërsa zjarri në qendrën e përpunimit të naftës është shuar pas rreth 50 minutave.

Ministri Gjiknuri ka mbërritur në uzinë, ndërsa Beqaj nga spitali i Fierit u shpreh se akoma është herët për të thënë nëse të plagosurit e kanë kaluar rrezikun nga djegia.

Sipas kryebashkiakut të Ballshit defekti që solli shpërthimin ishte konstatuar 4 ditë më parë, ndërsa Prefekti deklaroi se nuk ka rrezik sektori i reaktorëve dhe se puna vijon në repartet e tjera.

Uzina e naftës ishte vendosur në punë vetëm 10 ditë më parë pas ndërprerjes për disa muaj.

Grupi i hetimit me 2 prokurorë të Fierit ka nisur punën për shkaqet që sollën shpërthimin në uzinë.

Shqiptarja.com  11.11.2016