Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BERZH: Ekonomia shqiptare do nxitet nga TAP

Shqipëria pritet të rritet me 3.3% në 2016-n dhe 3.5% në 2017-n, sipas raportit të fundit rajonal të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të publikuar sot. Pritshmëritë kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me raportin e mëparshëm, ndërsa vendi pritet të ketë rritje më të lartë se mesatarja e Europës Juglindore që parashikohet të zgjerohet përkatësisht me 2.8% dhe 3% në 2016-2017. BERZH është pak më konservatore se qeveria dhe FMN, që presin një rritje të vendit prej 3.4% për 2016-n.

Për vitin 2015, sipas BERZH, rritja në Shqipëri ishte 2.8%, me një përmirësim prej një pikë përqindjeje krahasuar me 2014. Ky gjallërim i rritjes u orientua kryesisht nga investimet dhe në njëfarë mase edhe nga eksportet neto. Rritja vazhdoi dhe në gjysmën e parë të 2016-s në 3.1% me bazë vjetore. Politika zgjeruese monetare e Bankës Qendrore ka çuar normën bazë në nivele historike minimale prej 1.25%, që është shoqëruar me rënie të interesave. Shpenzimet qeveritare kanë qenë relativisht të frenuara në vitet e fundit dhe pritet të mbeten të tilla, teksa qeveria vazhdon një politikë të kujdesshme fiskale në linjë me qëllimin e programit të FMN-së. Buxheti i vitit 2016 synon një suficit parësor prej 0.3% të PBB-së. Ritmi ekonomik pritet të mbahet në afatin e shkurtër, me rritjen e PBB-së që pritet të zgjerohet në 3.3% në 2016, me një tjetër përshpejtim prej 3.5% në 2017. BERZH pret që rritja të jetë e orientuar nga investimet, teksa TAP do të hyjë në fazën e plotë të investimit në 2016-2017, me një investim total prej rreth 1.5% të PBB-së në vit për secilin vit.

Rajoni i BERZH, që shtrihet nga vendet mesdhetare të jugut dhe lindjes deri në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, pritet të rritet mesatarisht 1.6% këtë vit (një rishikim me rritje prej 0.2 pikë përqindje në raport me krahasimin e mëparshëm në maj) dhe 2.5% vitin tjetër, në raport me rritjen prej 0.5% në 2015.

Europa Juglindore, si e tërë, është në rritje. Greqia po merr kthesë në sajë të një sezoni të mbarë turizmi dhe rritjes së besimit të bizneseve. Serbia dhe Rumania po rriten mbi mesataren, ndërsa Maqedonia është ndikuar negativisht nga një krizë politike.

Lidhur me daljen e Britanisë nga BE, BERZH thekson se investimet dhe tregtia e Britanisë me rajonin e BERZH është e ulët, ndaj çdo ndikim afatmesëm pritet të jetë indirekt. Gjithsesi, ndonëse indirekt, ai mund të jetë domethënës nëse një ngadalësim në Britani ndikon rritjen në Eurozonë.

Revista Monitor,  04.11.2016