Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rajoni, nën “ethet” e gazit

Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po nxitojnë që të përfshijnë në planet e tyre angazhimet në korridoret e gazit. Është Maqedonia e cila po synon që të krijojë një lidhje me Greqinë, për të përdorur Trans Adriatik Pipeline për furnizimin nga Azerbajxhani. Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Macedonian Energy Resources Skopje”, në një intervistë ekskluzive për median azere online Trend News, tha se mes MER dhe DESFA u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi për ndërtimin e një linje interkonjeksioni 160 km, për të përfituar nga gazi azer.

Sipas Miladinov, ndërtimi i këtij interkonjeksioni do të bëjë të mundur furnizimin me sasi të konsiderueshme të gazit natyror nga disa burime të ndryshme si Rusia dhe Azerbajxhani, por edhe nga terminalet ekzistuese, si nga Revithoussa në Greqi.

Në lidhje me fazën e ndërtimit, Miladinov tha se projekti aktualisht është në fazën e përgatitjes së studimit për realizimin. “Pas përfundimit të kësaj faze, do të nisë menjëherë ndërtimi. Parashikohet që të nisë në vitin 2017 dhe të përfundojë në vitin 2020”,- tha Miladinov.

Duke ndërtuar interkonjeksionin me greken e DESFA S.A., Maqedonia do të jetë e aftë që të shfrytëzojë të gjitha burimet e Greqisë, por edhe nga kuotat tranzite të vendeve të BE-së. Të gjitha këto do të rrisin sigurinë e furnizimit me gaz natyror.

Në anën tjetër, është Bullgaria. Afati i fundit për të dorëzuar ofertat për përdorimin e gazit natyror për interkonjeksionin mes Greqisë dhe Bullgarisë (IGB) është zgjatur deri më 30 nëntor.

IGB pritet të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik dhe do të lejojë që Bullgaria të marrë gazin e Azerbajxhanit.
Në fillim të dhjetorit 2015, Bullgaria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për investim të përbashkët për projektin IGB.

Aksionerë në këtë projekt janë: Kompania shtetërore bullgare e Energjisë (50%), kompania greke DEPA dhe ajo italiane Edison me 25% secila.

Në Shqipëri, aktualisht janë shtruar 22 kilometra tuba, ndërsa janë importuar rreth 50% e totalit.

Revista Monitor,  03.11.2016