Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Veseli: Nëntoka e Kosovës do shfrytëzohet

Një ditë para hyrjes në fuqi të Ligjit për Trepçën, në hollin e Kuvendit është hapur ekspozita “Kristalet e Trepçës”, ku janë ekspozuar disa nga mineralet, pasuritë e nëntokës së Kosovës.

Të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, ishin dhe studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe nxënësit e gjimnazit të Prizrenit, të cilët bartnin dhe pajisjet e punëtorëve të Trepçës, si uniformat dhe helmetat.

Vonesa prej dhjetë minutave e kryeparlamentarit Kadri Veseli, bëri që nxënësit e gjimnazit të Prizrenit të largohen dhe holli të zbrazet vetëm pak minuta para arritjes së Veselit.

Por me insistimin e zyrtarëve të Kuvendit, një pjesë e nxënësve u kthyen në holl, pas arritjes së Veselit.

E kryeparlamentari Kadri Veseli i cili bëri hapjen e kësaj ekspozite tha se ndihet krenar, pasi që gjiganti ekonomik i Kosovës “Trepça”, tanimë e ka rrugëtimin e saj të sigurt dhe se pasuria e nëntokës së Kosovës, nuk do të mbetet më në zgafella.

“Nga dita e nesërme, kur do të futet në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e Kosovës, pasuria e nëntokës së Kosovës, nuk do të mbetet më në zgafella”, ka thënë ndër tjerash Veseli.

Veseli po ashtu tha se mesazhi i kësaj ekspozite, është se Kosova është e pasur, do të zhvillohet fuqishëm ekonomikisht dhe se njerëzit në këtë vend nuk do të jenë të varfër.

Telegrafi,  02.11.2016