Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Stavileci: Punëtorët e KEDS kishin kontrata deri këtë vit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci raportoi sot para anëtarëve të Komisionin për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës është pyetur për disa tema të ndryshme që lidhen me fushën së cilës ai i përket si ministër.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj- Bujupi e ka pyetur ministrin Stavileci për largimin e rreth 300 punëtorëve nga puna nga KEDS-i.

Bujupi tha se punëtorët janë larguar në mënyrë kolektive gjë që sipas saj përbën shkelje të Ligjit të Punës.

Stavileci po ashtu u pyet për prodhimin dhe regjistrimin e energjisë elektrike, duke u pyetur nëse duhet sa ka humbje apo ku ndodh humbja e energjisë elektrike.

“Bëhet fjalë për 300 punëtorët e KEDS-it, të cilët janë larguar nga puna brenda 3 viteve pas privatizimit, ndërkohë që në momentet diku në vitin 2012-13 kur ka filluar ai privatizim është zotuar Qeveria e asaj kohe e udhëhequr prej PDK-së që do të ketë investim prej 300 milionë euro investime dhe nuk do të ketë largime të punëtorëve, por do të ketë rritje të numrit të punëtorëve sepse bëhet fjalë për një investim të madh. Tash investimet nuk kanë ndodh, ndodhin kohë pas kohe mirëmbajtje të rrjetit por jo investime, aq më pak jo 3 milionëshe ndërkohë janë larguar 300 punëtorë dhe ky largim përbën shkelje të ligjit të punës sepse është largim kolektiv vetëm gjatë dy muajve të viti të fundit janë larguar 93 sosh”, tha ajo.

Në lidhje me këtë pyetje ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se punëtorët kanë pasur kontrata deri në vitin 2016. Ai tha se në lidhje me këtë çështje kanë pasur takime me disa nga organizata që i përfaqësojnë punëtorët.

“Kontratat e tyre kanë qenë maj 2013-maj 2016 por unë mendoj që edhe në kuadër të kësaj strategjisë për vitet e ardhshme do të kemi mundësi për të bërë zgjidhje të kombinuara dhe të pjesshme edhe vet KEDS-i po ma merr mendja që nëse keni pas takime me këta punëtorë iu kanë treguar se edhe aty nuk ka pasur ndonjë masë drastike pa u bërë një zgjedhje sepse u kanë paralajmëruar edhe ata për një lloj kundërshpërblimi për vitin e parë që do të thotë se ata nuk mund të riintegrohen”, tha ai.

Interesimi i kolegut të tij nga PDK-ja Fatmir Xhelili ishte humbja e energjisë elektrike. Ai kërkoi të dijë nga Stavileci se sa është humbja e energjisë që bëhet. X

Mirëpo, në këtë pyetje Stavileci nuk pati përgjigje pasi tha se për çështje të caktuara ekziston edhe arkitektura e përgjegjësive duke u shprehur se nuk është qëllimi t’i ikë përgjegjësive.

“Besoj për secilën prej këtyre pjesëve do të keni përgjigje edhe më të plota edhe me detaje dhe pastaj mundemi që në ndërkohë përsëri të diktojmë për këto por duhet pasur parasysh edhe për këto edhe për një pjesë që u fol për çështjen e çmimit për disa pyetje që ishte ndoshta e përbashkët duhet ditur që ne kemi një arkitekturë të sistemit jo pse unë dua ti iki përgjegjësive, ato përgjigje që i kam dhe në ato që mundohemi vazhdimisht të kontribuojmë për ta zgjidhur situatën siç ishte hera e fundit me Ferronikelin edhe pse papërgjegjësi direkt besoj që e kemi menaxhuar mirë situatën, ju e dini që e kemi zyrën e Rregullatorit të Energjisë që është përsëri një trupë që është jashtë kompetencës qeveritare”, tha Stavileci.

Kurse Xhavit Haliti e pyeti për basenin e qymyrit në Dukagjin, për të cilën kompania “Envidity’ ka kërkuar leje të hulumtimit nga Qeveria.

Haliti ka thënë pse duhet t’i jepet një leje e tillë e hulumtimit, kur Kosova dihet në çdo milimetër se sa thëngjill përmban dhe ku ka pasuri të kësaj lënde djegëse.

Haliti: Pse t’i jepet leje kësaj kompanie tani kur Evropa nuk e përdor thëngjillin për energji elektrike

Video “Tani unë besoj që nuk ka milimetër katror të territorit të Kosovës ku nuk dihet se sa ka qymyr dhe ku është, unë nuk e kuptoj pse duhet me i dhënë dikujt leje në emër të hulumtimit të qymyrit dhe pastaj të derivojnë kontrata me emra të ndryshëm ë cilët nganjëherë njerëzit tonë i prekin duke shfrytëzuar emra për qëllime thjesht përfitimi të veçantë mos të përmendi emra. Në krejt Evropën prodhimi i energjisë me qymyr është i ndaluar dhe mbi të gjitha as Ministria as institucionet tjera nuk kanë shfrytëzuar ose nuk e kanë bërë kontakte me publikun”, ka pyetur Haliti.

Ndërkohë, Stavileci ka deklaruar se kompania në fjalë i ka përmbushur shumë aspekte teknike e procedurale dhe se përgjegjësia për të bie në pesë ministri të ndryshme, duke i ftuar anëtarët e Komisionit që për informata shtesë t’i drejtohen edhe me shkrim apo të vijë edhe herëve tjera të raportojë në detaje.

“Për licencën e ‘Envidity’, në fakt e dini interesin publik, edhe këtu ne kemi një komitet ndërministror për partneritetin publiko-privat i cili është brenda ministrisë së Financave, pra ka një departament i cili funksionon pastaj në cilësinë e sekretariatit për komitetin drejtues të ministrave, jemi 5 Ministri dhe në këtë rast edhe kërkesat e komunave edhe kërkesat e nivelit ministror, edhe këto dyja që kanë qenë kanë ardhë në atë komitet dhe i kanë pas të plotësuara kushtet mbi bazën e kërkesave që i ka dërguar departament i BBP-së, pra janë më shumë aspekte teknike dhe procedurale dhe administrative të cilat ata i kanë përmbushur”, tha Stavileci.

Stavileci u pyet edhe për çështje tjera si dërgesat postare ku Vjosa Osmani pyeti pse kur një dërgesë bëhet nga disa shtete të caktuara, ajo figuron si: Kosovë-Serbi si dhe pyetje tjera në të cilat ministri Stavileci dha përgjigje.

Telegrafi,  01.11.2016