‘CEZ’, rrëzohet kërkesa e Ismailajt
Procesi ndaj Kastriot Ismailajt ish-administratorit të borxheve të CEZ do të vazhdojë të drejtohet nga gjyqtarja Vjollca Spahiu e anëtarët Martin Deda dhe Bedri Qorri.
Ka qenë ky vendimi i gjyqtarit Altin Abdiu që këtë të enjte rrëzoi kërkesën e Ismailajt për përjashtim të trupit gjykues.
Por përse e kërkoi Ismailaj ndryshimin e gjyqtarëve?
Sipas avokatit të tij Alban Qafa shkak është fakti se këta gjyqtarë pranojnë të administrojnë një dëshmi të Elvis Matës marrë nën presion.
“Këto deklarime të tij të mos lexohen dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është se në seancën kur ka deklaruar përpara trupit gjykues dëshmitari i akuzës që ka marrë dhe mbrojtje të veçantë policore Romeo Kara. Ka deklaruar se dëshmia e Elvis Matës është dhënë në ndikim në presionin e shtetit shqiptar”, u shpreh avokati i tij Alban Qafa.
Prej më shumë se 5 seancash procesi ndaj Ismailajt nën akuzë për vjedhje me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve është bllokuar dhe shkak është bërë mos prania e avokatëve dhe kur ata kanë qenë prezent kërkesa e tij për të mos pranuar deklarimet e Matës si provë.
Për herë të parë avokati i Ismailajt deklaroi se ata kanë kryer kërkime me detektiv privat dhe tashmë ata dinë ku ndodhet dëshmitari i kërkuar prej tyre.
“Ka një adresë të njohur jeton me dokumente të rregullta me një kontratë pune në gjermani në Mynih dhe kemi angazhuar një investigator privat që të na sjelli në dispozicion adresën e tij”, u shpreh Alban Qafa.
Shqiptarja.com 28.10.2016