Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BERZH blen borxhin e KESH në banka

Në muajin korrik të këtij viti, Koorporata Elektroenergjtike Shqiptare nënshkroi një marrëveshje kredie për ristrukturim borxhi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Përmes kësaj marrëveshjeje, BERZH do të blejë borxhin e KESH në bankat shqiptare, për një shumë prej 218 milionë eurosh, duke ofruar kushte më të favorshme krahasuar me ato të ofruara nga bankat tregtare.

KESH ka një ekspozim të konsiderueshëm në sistemin bankar shqiptar, që në mesin e këtij viti kishte shumën e 30.4 miliardë lekëve ose rreth 220 milionë euro. Kreditë janë marrë me qëllim blerjen e energjisë dhe mbulimin e nevojave të kompanisë për likuiditet, pas krizës financiare që përfshiu sistemin energjetik dhe që kulmoi me paralizimin e operatorit të shpërndarjes, tre vjet më parë.

Përgjithësisht, këto kredi janë mbartur prej vitesh dhe janë rinovuar në momentin kur maturoheshin, falë garancisë së dhënë nga qeveria shqiptare. Por, pas marrëveshjes me BERZH, këto kredi nuk do të rinovohen më, çka do të lirojë sasi të mëdha likuiditeti në tregun bankar.

Vetëm në fund të muajit shtator të këtij viti, janë maturuar pesë kredi të KESH pranë Raiffeisen Bank, për një vlerë totale rreth 21 miliardë lekë ose rreth 150 milionë euro. Me shumë të ngjarë, mosrinovimi i këtyre kredive do të reflektohet në një rënie të konsiderueshme të kredisë gjatë muajit shtator.

Largimi i kredive të KESH mund të bëhet një problem më shumë për sistemin bankar, në kushtet kur dobësia e ekonomisë dhe problemet e disa korporatave të mëdha e kanë vështirësuar kreditimin.

Alternativa ka qenë kreditimi i qeverisë dhe i koporatave të mëdha publike, si KESH. Tashmë që edhe kjo alternativë është mpakur ndjeshëm, bankat, sidomos ato më të mëdhatë, do të përballen me sfida të reja për menaxhimin e fondeve dhe gjetjen e mënyrave të leverdisshme për të investuar.

Pavarësisht masave rregulluese të Bankës së Shqipërisë, vitet e fundit bankat kanë zgjeruar ndjeshëm investimet jashtë vendit. Në mesin e këtij viti, 10% e totalit të kredisë mbahej nga debitorë jorezidentë në Shqipëri, ndërsa në total investimet e bankave jashtë përbënin 26% të totalit të aktiveve.

Scan Tv,  11.10.2016