Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sistemi i adresave, 400 mln lekë për OSHEE

Pajisja e qytetarëve me adresa të sakta, mungesa e të cilave ka qenë një problem i hershëm në vendin tonë është një projekt që së shpejti do të vihet në jetë.

Qeveria ka miratuar vendimin  sipas të cilit “Ministria e Punëve të Brendshme, pas njoftimit të OSHEE, sh.a.-së, për nënshkrimin e kontratës, bën transferimin e fondit në vlerën 400 milion lekëve, nga të cilat 150 milion lekë janë nga zëri “Investime” dhe 250 milion lekë nga zëri “Mallra dhe shërbime”, parashikuar në programin e Gjendjes Civile për projektin “Ndërtimi i një sistemi funksional adresash”, tek OSHEE, sh.a.-ja.

Për shërbimet, për të cilat përfituese është Ministria e Punëve të Brendshme (DPGJC), OSHEE, sh.a.-ja, kryen pagesën pas konfirmimit të marrjes në dorëzim të këtyre shërbimeve nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një tjetër vendim që është miratuar në mbledhjen e qeverisë është ai për “eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”. Ky vendim zbatohet për kimikatet industriale, pesticidet dhe biocidet, të cilat janë të ndaluara ose të kufizuara nga legjislacioni në fuqi për t’u prodhuar, vendosur në treg dhe përdorur, për arsye të rrezikut që paraqesin në shëndet dhe mjedis.

Vendimi në fjalë përcakton masat administrative lidhur me procedurën e Njoftimit të Eksportit të kimikateve të rrezikshme ndërmjet palëve dhe çdo shteti tjetër si edhe listën e kimikateve dhe artikujve të rrezikshëm që i nënshtrohen Njoftimit të Eksportit;  procedurën e Informimit të Pëlqimit Paraprak (PIC) për disa kimikate të rrezikshme dhe pesticide në tregtinë ndërkombëtare si edhe listën e kimikateve dhe artikujve të rrezikshëm që i nënshtrohen Procedurës së Informimit të Pëlqimit Paraprak (PIC).

Scan Tv,  22.09.2016