Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Kosova e Re”, boshti i energjisë kosovare

Projekti i TC “Kosova e Re”, rehabilitimi i TC “Kosovës B”, potenciali gjenerues nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe zbatimi i masave të eficiencës së energjisë janë disa nga projektet konkrete të cilat e mbajnë boshtin e strategjisë së energjisë 2016-2025. Kështu ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të premten në një konferencë për media. Ai ka thënë se projektet për TC “Kosovën e Re” janë në rrugë të drejtë ku, sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm pritet që të nisë ndërtimi. Ndërsa sa i përket TC “Kosovës A” Stavileci ka thënë se ky termocentral do të ketë jetëgjatësinë derisa “Kosova e Re” të vijë në funksion.

“Ne jemi në fazën e fundit të negociatave me kompaninë amerikane ‘Contur Global’ dhe në mbledhjen e kaluar ne kemi aprovuar pjesën e parë të negociatave dhe presim që pas përfundimit të këtyre negociatave të fundit të jemi të gatshëm për nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve komerciale. Posa të nënshkruajnë do të jemi në fazën e fundit për të bërë fazën tenderuese, ku ne presimin kompanitë që do ta bëjnë ndërtimin. Ndërsa, ‘Kosova B’ është duke vazhduar studimin e fizibilitetit, ku pritet të kryhet në maj të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Stavileci tha se edhe për termocentralin “Kosova A” është paraparë që të fillojë studimi i fizibilitetit. “Si pjesë e këtyre skenarëve është edhe termocentrali ‘Kosova A’, të cilën ne i kemi tri skenarë me tri alternativa të zhvillimit të saj, dy që lidhen me numrin e orëve me të cilat ajo do të operojë sepse kemi një obligim në kuadër të një plani kombëtar të emetimeve, se sa orë mund të punojnë termocentralet që kanë kapacitet të vjetruar, në këtë rast ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ dhe si pjesë e skenarit që ne e kemi shënuar si më të përshtatshëm për të vazhduar tutje që ‘Kosova A’ duhet të operojë deri në momentin e vënies në funksion të ‘Kosovës së Re’”, ka thënë ai.

I pari i MZHE-së sqaroi se Drafti i Strategjisë shoqërohet me pesë objektiva, ku qëllimi kryesor, sipas tij, do të jetë furnizimi i rregullt me energji elektrike.

“Duke u bazuar në analizën e problematikave që ka sektori i energjisë, nevojave për energji, si dhe potencialit të saj për të arritur qëllimin e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji për periudhën dhjetëvjeçare, ka përcaktuar pesë objektiva strategjike: Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike; Integrimi në tregun rajonal të energjisë; Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja; Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror; Përmirësimi i shfrytëzimit me eficiencë të energjisë, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mjedisit sipas kërkesave të Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së”, ka thënë ai.

Ndryshe, Drafti i Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës 2016/2025 pritet që shumë shpejt të shkojë për miratim në Qeveri dhe më pas të procedohet për në Kuvend

Gazeta Zëri,  14.09.2016