Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rrëshen, dy persona vrasin punonjësin e OSHEE

Dy persona të maskuar kanë qëlluar sot për vdekje një punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Saimir Jakun ndërkohë që një tjetër person ka mbetur i plagosur.

Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë të ditur se Jaku është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të maskuar, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit bashkë me një shok të tij.

Ngjarja ka ndodhur në pak minuta dhe dëshmitarët kanë thënë se autorët menjëherë pas krimit janë larguar me automjet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin që ndodhet jo më larg se 20 metra larg komisariatit të policisë Rrëshen.

Pas marrjes së provave në vendin e ngjarjes, efektivët e policisë kanë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur edhe ekzekutimi mafioz i Jakut.

Burime pranë grupit hetimor, bëjnë me dije se pista kryesore e hetimit është fakti se Jaku përpara disa viteve ka qenë emigrant në disa shtete të ndryshme të Europës, atje ku mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitetit kriminal.

Megjithatë, policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare rreth ngjarjes, motiveve apo edhe personave që kanë kryer krimin.

Saimir Jaku është anëtarë i Partisë Socialiste dhe anëtarë i Këshillit të Qarkut Lezhë.

Aktualisht ai punonte si shef sektori në Drejtorinë Qendrore të OSHEE-së në Tiranë, ndërkohë që më parë ka qenë ish-drejtor i OST-së për Veriun.

Shqiptarja.com