Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria, e treta në Europë për importet e energjisë

Shqipëria është vendi i tretë në Europë me përqindjen më të lartë të importeve të energjisë elektrike në raport me konsumin, edhe pse territori i vendit ka dendësinë më të lartë të ujërave nga lumenjtë si asnjë vend tjetër evropian.

Instituti Europian i Statistikës duke iu referuar të dhënave të konsumit dhe importit të energjisë për periudhën 1990 -2014, zbardhi faktin se Shqipëria bashkë me Lituaninë dhe Luksemburgun kanë importet më të larta.

Gjithashtu, Shqipëria vjen e para në rajon për importet e larta të energjisë. Sipas Eurostatit, Shqipëria në dy dekadat e fundit ka importuar rreth 47 për qind të energjisë elektrike që i duhej për konsum.

Varësinë më të lartë nga importe e energjisë e ka Lituania me 83 % të konsumit dhe Luksemburgu me 79 % të konsumit. Në rajon, pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të importeve të energjisë e ka Maqedonia me 44 % të konsumit të brendshëm.

Ndërsa eksportues neto të energjisë janë Bullgaria, Çekia, Estonia, Franca, Rumania, Sllovenia dhe Suedia.

Në BE, konsumi i energjisë elektrike është rritur ndjeshëm gjatë viteve ’90, por është stabilizuar gjatë 10 viteve të fundit. Konsumi final i energjisë për ngrohje ka qëndruar në të njëjtin nivel me kalimin e kohës.

Sektorët e banesave dhe shërbimeve janë përgjegjës për rritjen e konsumit të energjisë elektrike, ndërsa konsumi në sektorin e transportit ka mbetur stabël gjatë viteve. Konsumi i energjisë elektrike në sektorin industrial ka ndjekur ciklin ekonomik.

Konsumi i energjisë elektrike në vitin 2014 në sektorin e shërbimeve pothuajse është dyfishuar në krahasim me vitin 1990, ndërkohë që konsumi i energjisë elektrike në sektorin e banesave është rritur me 29% gjatë të së njëjtës periudhë.

Në vitin 1990, konsumi i energjisë elektrike nga familjarët ishte 38% më i lartë se i shërbimeve, në vitet e fundit konsumi i energjisë elektrike i sektorit të shërbimeve ka tejkaluar konsumin e energjisë elektrike në familje.

Gazeta Shekulli,  29.08.2016