Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjermania mbështet ndërtimin e Interkonjeksionit

Në mjediset e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë u firmos sot Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen financiare të projektit “Linja e transmisionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni.

Dokumenti u firmos nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, zonja Susanne Schütz.

“Është nënshkrimi i një marrëveshjeje shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për një nga projektet jashtëzakonisht të rëndësishme të ndërlidhjes, një axhendë që tanimë siç dihet mbështetet edhe nga procesi i Berlinit. Janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme dhe procesi po ecën në rrugë të mbarë”, theksoi ministri Gjiknuri duke sqaruar se përmes kësaj linje do të përmbyllet lidhja me vendet e rajonit.

Z.Gjiknuri falenderoi Gjermaninë si mbështetëse e sektorit energjitik duke bërë të mundur edhe realizimin e projekteve të ndërlidhjes si linjën me Malin e Zi, linjën me Kosovën e tashmë edhe linjën me Maqedoninë. “Reformat në sektorin elektroenergjitik kanë bërë të mundur që projektet të materializohen dhe ne të jemi në gjendje për të mbështetur ato”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Ambasadorja znj.Schütz deklaroi se bashkëpunimi ekonomik midis Gjermanisë dhe Shqipërisë është shumë i rëndësishëm. “Që prej vitit 1988 Gjermania ka vënë në dispozicion rreth 810 milionë euro për bashkëpunimin teknik e financiar duke qenë edhe donatori më i madh në nivelin bilateral. Përmes mbështetjes që japim duam të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit tuaj, ti japim shans brezit të ri që të ndërtojë jetën në vendin e vet por dhe të mund të ndalojmë emigracionin”, u shpreh zonja Schütz.

Duke ju referuar projektit konkret të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë, ajo sqaroi se janë vënë në dispozicion 30 milion euro dhe marrëveshja për 20 milionë eurot e miratuara do të nënshkruhet pas pushimit veror.

“Ky financim është kontribut për një furnizim të qëndrueshëm me energji, kusht për rritjen e mëtejshme ekonomike dhe shans për tu kthyer në vend eksportues të energjisë”, sqaroi ambasadorja.

Në territorin shqiptar projekti përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 deri në kufi me Maqedoninë, rreth 56 km. Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2 me dy zbara dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr.

Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Gjithashtu, projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit.

Zbatimi i projektit në territorin shqiptar ka një kosto prej 70 milion Euro. Punimet do të financohen nëpërmjet një skemë ku kombinohen fonde grant në shumën 14 milion Euro, të Bashkimit Evropian, me kredi zhvillimore në shumën 49.8 milion Euro të mundësuar nga KfW, me koston lokale në shumën 5 milion Euro të mbuluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).

Kosto e përgatitjes së projektit të zbatimit dhe përgatitja e dokumentave të tenderit për linjën Elbasan 2 në kufi me Maqedoninë mbulohen nga fonde grant (600,000 Euro) të mundësuara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet WBIF, kurse përgatitja e dokumentave për linjën Elbasan 2 – Fier do të mbështetet me fonde grant (600,000 Euro) nga KfW.

Projekti parashikohet që të fillojë zbatimin në fillim të vitit 2017 ndërsa përfundon në fillim të vitit 2020.

energjia.al  27.06.2016