Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pensionistët, shtyhet afati i kamatave

Shtyhen edhe 6 muaj afatet e vlefshmërisë së ofertave për faljen e kamatëvonesave të dritave të papaguara për pensionistët kryefamiljarë dhe qytetarët.

Bëhet fjalë për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor të 2015-s. Kusht përfitimi është lidhja e një aktmarrëveshjeje me OSHEE-në.

Gazeta zbardh vendimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së, me shtyrjen e afateve të katër skemave, për faljen e kamatëvonesave deri më 31 dhjetor 2016.

Kategoritë përfituese janë të gjithë pensionistët, pensionistët kryefamiljarë, familjet me ndihmë ekonomike dhe qytetarët e tjerë që kanë detyrime të pashlyera të faturave të dritave deri në dhjetor të 2015-s. Afati i ri për lidhjen e aktmarrëveshjes me OSHEE-në do të jetë deri më 31 dhjetor të 2016-s, nga 30 qershori që ishte sipas vendimit të më- parshëm.

OSHEE-ja miratoi edhe hedhjen në treg të një skeme të re për shlyerjen e detyrimeve me këste fikse 2800 lekë në muaj për qytetarët që kanë krijuar detyrime deri më 31 dhjetor të 2015-s.

KATEGORIA E PARË

Në kategorinë e parë përfituese, OSHEE–ja ofron për të gjithë pensionistët kryefamiljarë që kanë detyrime të lindura para datës 31 dhjetor 2015 lidhjen e një aktmarrëveshjeje për të përfituar faljen e kamatave.

Me ofertën e OSHEE-së detyrimet e prapambetura duhet të shlyhen me këste 1200 lekë në muaj, nëse lidhet një aktmarrëveshje. Në rast të respektimit të pagesës së kësteve dhe pagesës së faturave korrente brenda afatit kohor të një viti, pensionistëve kryefamiljarë do t’u falen kamatëvonesat kundrejt pagesës simbolike 20 lekë.

Po ashtu përfitues të shtyrjes së afatit për faljen e kamatëvonesave kundrejt shumës prej 20 lekësh do të jenë edhe kategoritë e tjera të pensionistëve. Për të lidhur aktmarrëveshjet, pensionistët duhet të paraqesin në sportelet e OSHEE-së certifikatën familjare, dhe shkëputja e anëtarëve të tjerë të trungut familjar duhet të jetë bërë para 1 dhjetorit, kartën e identitetit, librezën e pensionit, si dhe librezën e energjisë.

KATEGORIA E DYTË

Në kategorinë e dytë përfituese, OSHEE–ja ofron për të gjitha familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe kanë detyrime të lindura para datës 31 dhjetor 2015 lidhjen e një aktmarrëveshjeje për të përfituar faljen e kamatave.

Me ofertën e OSHEE-së detyrimet e prapambetura duhet të shlyhen me këste 1200 lekë në muaj, nëse është lidhur një aktmarrëveshje. Në rast të respektimit të pagesës së kësteve dhe pagesës së faturave korrente brenda afatit kohor të një viti, familjarëve do t’u falen kamatëvonesat kundrejt pagesës simbolike 20 lekë.

Kusht i përfitimit të reduktimit të kamatëvonesave është lidhja e aktmarrëveshjes, afati i së cilës është deri në 31 dhjetor të 2016-s. OSHEE-ja ka ndryshuar edhe afatin e skemës për reduktimin e kamatave në 70 për qind, në rast të pagesës së menjëhershme të detyrimeve.

Panorama,  14.07.2016