Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e ministrit Gjiknuri në tryezën e Energy Charter

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri:

I nderuar z.Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të Energy Charter,

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që së pari të ju falenderoj për zhvillimin e këtij aktiviteti sot në Tiranë. Një tryezë që konfirmon padyshim gatishmërinë tonë si Qeveri për respektimin e të gjitha angazhimeve të ndërmarra në kuadër të këtij organizmi shumë të rëndësishëm.

Intensifikimi i rrugëve të tranzitimit të energjisë, rritja e efiçencës në nivel kombëtar e rajonal apo më gjerë mbeten sfidat tona të përbashkëta që garantojnë një element mjaft të rëndësishëm si siguria e furnizimit.

Tre paketa rregullatore kanë hapur tashme tregjet e Bashkimit Evropian dhe po bëjnë të mundur tregtinë ndërkufitare përmes tregjeve në kohë reale. Synohet pikërisht heqja e pengesave për një treg të brendshëm të energjisë elektrike që përfshin të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Përfitimet e mundshme të tregjeve sot janë të rëndësishme. Tregjet likuide ndërkufitare do të çojnë në reduktim të kostos për konsumatorët e energjisë përmes konkurrencës dhe përdorimit më efektiv të kapaciteteve ekzistuese e të infrastrukturës së transmetimit në rajon. Kjo gjithashtu do të krijojë mundësi më shumë për tërheqjen e investimeve dhe do të rrisë sigurinë e furnizimit.

Tregu rajonal i energjisë është gjithashtu një parakusht për të organizuar tregjet e energjisë në një mënyrë më miqësore për mjedisin. Integrimi i kërkesës me rajonet më të mëdha tregtare, do të bëhet një faktor kusht kyç për përdorimin me eficencë të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme si uji, era dhe dielli.

Zgjerimi i energjive të rinovueshme në tregjet e vogla të izoluara do të kërkonte investime të konsiderueshme në kapacitetin rezervë, i cili do të rriste edhe më tej shpenzimet për konsumatorët.

Zhvillimet ekonomike të viteve të fundit sollën domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve transmetuese dhe garantimin e sigurisë së furnizimit. Duke konsideruar këtë fakt si shumë të rëndësishëm, vizioni i qeverisë u drejtua në kryerjen e investimeve në “autostradat energjitike”.

Zhvillimi i infrastrukturës së interkonjeksioneve ka krijuar kushte për të realizuar një treg të hapur dhe konkurrues duke shfrytëzuar gjithë mundësitë për kapacitetet tona prodhuese.

Shqipëria është sot më e ndërlidhur me vendet fqinje. Është funksionale lidhja e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe me Greqinë. Vetëm pak ditë më parë përfundoi linja që na lidh me Kosovën dhe vitin e ardhshëm nis ndërtimi i një tjetër linje, asaj me Maqedoninë.

Ju tanimë e dini se Shqipëria deri dy-tre vite më parë ka përjetuar një moment prag kolapsi energjitik. Qeveria u angazhua për marrjen e masave për stabilizimin e situatës dhe rimëkëmbjen e këtij sektori. Disiplina e pagesave të energjisë, rritja e likuiditetit dhe shëndoshja financiare krijuan bazën e sigurtë për të nisur reformat.

Shqipëria tanimë ka kryer një reformë ligjore në përputhje me paketën e tretë rregullatore e cila parashikon liberalizimin e tregut dhe ndarjen e sektorit midis prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit.

Kjo ndarje krijoi mundësi që në prodhim të krijoheshin mundësi konkurruese për të gjetur rrugë sa më efektive të prodhimit të energjisë si nga pikëpamja e lëndëve të para ashtu dhe teknologjive.

Shqipëria kryen tashmë ankandet e kapaciteteve në mënyrë të koordinuar rajonale dhe është pjesë e një tregut rajonal, funksional përsa i takon kapaciteteve të interkonjeksionit.

Jemi të angazhuar për të zbatuar një listë të masave ligjore dhe rregullatore të energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike. Këtu përfshihet zhvillimi i spot market dhe bashkimi i tregjeve rajonale, balancimi rajonal dhe alokimi i kapaciteteve në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Masat parashikojnë heqjen e barrierave ekzistuese ligjore dhe rregullatore.

Në bashkëpunim me konsulencën e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë po punohet për organizimin e tregut të një dite më parë (day ahead market) nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Power Exchange (PX).

Si një hap i rëndësishëm i këtij procesi të nisur tashmë do të jetë organizimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë nëpërmjet Market Coupling duke krijuar mundësitë për zhvillime të një tregu rajonal.

Ne kemi ndërmarrë një program ambicioz për të kryer investime serioze që e kanë bërë Shqipërinë një vend të hapur dhe bashkëpunues me tregun rajonal e ndërkombëtar të energjisë në çdo sektor të saj.

Synimi ynë është shfrytëzimi i pozicionit të rëndësishëm strategjik gjeografik që ka vendi për ta transformuar sistemin tonë në një qendër të tranzitimit të energjisë drejt lindjes dhe veriut në Europë, si edhe në një aktor të rëndësishëm në integrimin e këtij tregu jo vetëm në nivel rajonal si Ballkan Perëndimor, por edhe më gjerë, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm rregullator në këtë treg.

Për shumë vite, pyetja më intriguese dhe domethënëse në rrafshin strategjik, ishte se cilën rrugë do të zgjedhë Korridori Jugor i Gazit për të shtrirë rrjetin e tij drejt Evropës. Zgjidhja e kësaj dileme, i dha njëkohësisht Shqipërisë një pozicion mjaft të favorshëm duke bërë që harta e saj energjitike të ndryshojë thuajse totalisht.

Siguria e furnizimit është një çështje e cila prek çdo shtet, qoftë ky anëtar i Bashkimit Evropian apo aspirant. Qartësisht, të gjitha ato shtete që kanë varësi nga vetëm një burim furnizimi janë të destinuara të përballen me pasojat negative të zhvillimeve ekonomike.

Për të garantuar sigurinë e furnizimit, na duhet që të sigurojmë diversifikimin e nevojshëm të burimeve të energjisë. Është pikërisht diversifikimi i burimeve, furnizuesve dhe rrugëve që e bën tregun energjitik në tërësi më konkurrues dhe padyshim konsumatorët kanë mundësinë të kenë një shërbim më të mirë, me një çmim më të pranueshëm.

Në një kohë kur po synojmë që të rrëzojmë kufijtë e brendshëm në familjen evropiane për lëvizjen e lirë të qytetarëve, kapitalit, shërbimeve dhe mallrave, ne duhet të jemi në gjendje që të eliminojmë edhe kufijtë energjitik mes shteteve.

Kjo ndodh veçse duke zhvilluar një sistem interkonjeksioni mes shteteve, drejt një tregu të hapur dhe të integruar. Hapi i parë në këtë drejtim, është ndërtimi i kabllove, shtyllave dhe tubacioneve që i bëjnë të padukshëm kufijtë mes shteteve.

Mungesa e lidhjeve mes vendeve fqinje bën që kostot me të cilat ndeshen konsumatorët të jenë më të larta dhe të përballemi me më shumë vulnerabilitet në termat e sigurisë energjitike.

Sot, projekti i gazsjellësit TAP i ka hapur Shqipërisë mundësi të reja zhvillimi. Nuk është thjesht një tubacion gazsjellës që kalon nëpër Shqipëri por e ka kthyer vendin në një nyje të furnizimit me gaz.

Gazi Kaspik mund të rrjedhë edhe në tregjet në rritje në Ballkan dhe në Evropën Juglindore që aktualisht varen nga një furnitor i vetëm gazi. TAP po bashkëpunon me zhvilluesit e Gazsjellësit të planifikuar Jonian Adriatik (IAP) për të diskutuar mundësitë e lidhjes me tregjet pa gaz në Kroacinë Jugore, Shqipëri, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinë.

Shqipëria sëbashku me këto tre vende janë dakordësuar dhe mbështesin degëzimin e TAP me gazsjellësin IAP. Me mbështetjen e Komunitetit të Energjisë është hartuar Studimi i Fizibilitetit dhe tanimë po punohet për gjetjen e financimit për ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme.

Ekziston potenciali që në të ardhmen të mund të zhvillohet një tjetër degëzim drejt Kosovës, çka e shndërron Shqipërinë në një nyje të degëzimit të tubacioneve të gazit. Lidhja e gazsjellësit TAP edhe me Trans Anatolian Pipeline dhe intekonektorin Greqi-Bullgari bën edhe më të dukshëm efektin e këtij projekti strategjik për të gjithë rajonin.

Për të përfituar maksimalisht nga projekti i gazsjellësit, Shqipëria po i ndërmerr hapat për procesin tejet të rëndësishëm të gazifikimit të vendit. Ka përfunduar Masterplani i Gazit dhe po nis puna për studimin e fizibilitetit. Këto dy dokumente do të shërbejnë si udhërrëfyes për opsionet e ndërtimit të infrastrukturës së shpërndarjes së gazit në vend, duke orientuar dhe identifikuar projektet specifike.

Të nderuar të pranishëm,

Për ta përmbyllur, besoj se bashkëpunimi ynë me International Energy Charter për tranzitimin e energjisë së prodhuar apo tregtuar, si edhe me Union for the Mediterranean për zhvillime të reja në sektorin e energjive të rinovueshme dhe të eficiencës do të jetë i vazhdueshëm dhe i sigurtë.

Kemi shprehur solidaritetin tonë që ky organizëm të integrohet më tej me Komunitetin Europian të Energjisë duke synuar integrimin gjerësisht të politikave Europiane dhe mesdhetare për zhvillimin e sektorit të energjisë në përgjithësi, në të gjitha drejtimet e tij: gaz, energji elektrike, energji të rinovueshme dhe eficiencë energjitike.

Çdo ditë e më tepër kuptohet se sfidat me të cilat përballemi janë aq të mëdha sa do të ishte e pamundur që një vend i vetëm ti përballonte ato. Vetëm integrimi dhe ndërlidhja mes tregjeve të sa më shumë vendeve do mund të jetë përgjigja dhe zgjidhja më e mirë për këto sfida.

Sëbashku mund të bëjmë shumë më tepër se të ndarë,

Faleminderit!

energjia.al  14.07.2016