Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interes i shtuar për fizibilitetin e Trepçës

Në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit një prej pikave më me prioritet ishte ndërmarrja Trepça dhe tenderi i hapur i prokurimit për Ofruesin e Shërbimeve Profesionale për studimin e fizibilitetit të Trepçës.

Në këtë mbledhje u raportua për një interesim të madh të kompanive dhe konzorciumeve ndërkombëtare për të marr pjesë në këtë proces, me ç ‘rast 26 prej tyre kanë marr dosjen e tenderit deri më tani, përderisa 7 nga ato kanë dorëzuar ofertat. Kështu thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga AKP.

Në ndërkohë, Menaxhmenti ka formuar Komisionin për Vlerësim të Ofertave nga ekspert të brendshëm. Për të monitoruar procesin janë ftuar pjesëtarë të Shoqërisë Civile si dhe përfaqësues të Zyrave Diplomatike në vend.

“Ndër të tjera u diskutua gjerësisht mbi statusin e Trepçës, kornizën ligjore, operacionet ditore, të hyrat si dhe pagat dhe u vendos që Bordi i Drejtorëve së bashku me Menaxhmentin të bëjnë një vizitë, më 22 qershor 2016, në objektet dhe minierat e Trepçës”, thuhet në komunikatë.

Bordi ka diskutuar edhe për lirimin e aseteve, dhe është vlerësua progresi i arritur, duke falënderuar veçanërisht Policinë e Kosovës për përkrahje. Sa u përket aseteve në veri te vendit, u raportua për progresin e konsiderueshëm të arritur. Deri më tani nëntë shfrytëzues të aseteve kanë hyrë në marrëveshje të qirasë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shfrytëzuesve të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar marrëveshjen.

Një prej pikave më të ndjeshme dhe komplekse që u diskutua në këtë mbledhje është edhe çështja e kërkesës së punëtorëve të NSH IMK Fabrika e Tubave, në Ferizaj. Bordi i Drejtorëve pas shumë diskutimeve dhe pas shqyrtimit të të gjitha çështjeve relevante u dakordua që: Organi kompetent për shqyrtimin dhe aprovimin e pagesës së kreditorëve sipas ligjit të AKP-së është Autoriteti i Likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore (NSH) Fabrika e Tubave, i cili me prioritet të lartë, siç kërkohet edhe me vendimet ligjore përkatëse, ka vendosur të zbatoj vendimet gjyqësore konform ligjit në fuqi dhe brenda fondit në dispozicion të NSH Fabrika e Tubave në likuidim.

Duke iu referuar vendimit nr. 102/2014 të datës 30 Prill 2014 të Qeverisë së Republikës të Kosovës, ky vendim nuk e liron Agjencinë nga përgjegjësia ligjore që sipas nenit 19.3.3 të ligjit të AKP-së të transferoj “fondet tepricë” Qeverisë së Kosovës, të cilat fonde tepricë trajtohen sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Se afatet e përcaktuara për pagesa në vendimin nr. 04-V-799 i datës 19 Mars 2014 i Kuvendit të Kosovës, për Autoritetin e Likuidimit nuk mund të realizohen për shkak të procedurave gjyqësore të shqyrtimit të ankesave në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Agjencia do të kërkoj nga Dhoma e Posaçme që të trajtoj me prioritet ankesat e parashtruara në procedurën e likuidimit të Fabrikës së Tubave.

Bordi i Drejtorëve unanimisht aprovoi 14 Raporte të përkohshme të shpërndarjes të Ndërmarrjeve Shoqërore, ndërsa vlera e mjeteve që do të shpërndahen tek kreditoret është €1,613,553.20.

Veç kësaj, Bordi i Drejtorëve gjithashtu miratoi raportin e Komisionit për shitjen e 31 banesave të Ndërmarrjeve Shoqërore.

Bordi po ashtu vendosi për fillimin e auditimit të ndërmarrjeve të privatizuara me kushte: Fabrika e Amortizatorëve, FBI Trepça dhe Spitali Special për rehabilitim – Banja e Pejës.

KosovaPress,  23.06.2016