Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, inaugurohet fabrika më e madhe për panele diellore

Me një ceremoni solemne, në fshatin Sllatinë në afërsi të Fushës Kosovës, u inaugurua fabrika më e madhe në rajon për prodhimin e paneleve diellore nga kompania vendore “Jaha Energy”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, bëri të ditur se në këtë projekt në të cilin planifikohet prodhimi i 200 mijë paneleve në vit është investuar rreth 5 milion euro. Ajo shtoi se në fabrikë momentalisht janë të punësuar 50 persona, ndërsa në të ardhmen ky numër parashikohet të rritet.

“Energjitë rigjeneruese janë tregu i së ardhmes. Pa marrë parasysh sfidat globale të ngrohjes klimatike në të gjitha vendet e botës, edhe Kosovës do t`i duhet patjetër që të shfrytëzojë në mënyrë të përforcuar energjitë rigjeneruese”, u shpreh Viets.

Nga ana tjetër, kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli duke falënderuar investitorët gjerman dhe bashkëpronarët e kompanisë, deklaroi se gjithashtu edhe në Podujevë, qytetin veri-lindor të Kosovës, do të hapet fabrika e cila do të mundësojë punësimin e 650 punonjësve.

Ndërkaq, Fadil Hoxha përfaqësues i kompanisë “Jaha Energy”, u shpreh se Kosova duhet ngritur në nivelin e duhur, aty ku meriton. “Nuk kemi ardhur që të bëjmë vetëm punë dhe investime, të bëjmë vende punës ku vjedhin djersën e njerëzve. Jo, do të krijojmë dinjitet. Ajo do të na duhet”, u shpreh ai.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhoz, si dhe biznesmenë dhe të ftuar të tjerë.

Revista Monitor,  09.06.2016