Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rinovohet rrjeti në Spitallë dhe ish-Kënetë, Durrës

Dyzetmijë banorë dhe biznese në zonën e Spitallës dhe Durrësit të Ri (ish Këneta) nuk do të vuajnë më ndërprerjen e energjisë elektrike për shkak të rrjetit tejet të amortizuar, defekteve të shpeshta teknike dhe nivelit të tensionit në rrjet. Me një investim prej  6,5 milionë dollarë është ndërhyrë në rrjetin ekzistues, ku nuk ishin kryer investime prej 50 vitesh dhe janë ndërtuar dy fidera të rinj 20kV Spitallë-Durrës dhe rrjeti i ri 20kV në zonën e ish Kënetës. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitallë sëbashku me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe kreun e OSHEE-së Adrian Cela, ku u njoh nga afër me këtë investim.

Në këtë zonë ka përfunduar shtrimi i mbi 130 kilometra linjë e tensionit të mesëm 20 kV dhe ABC, është sistemuar rrjeti ekzistues dhe janë ndërtuar i 36 kabina të reja dhe 2000 shtylla. Rrjeti i ri, i ndërtuar në formë unazore, do të sigurojë vazhdimësi në furnizimin me energji elektrike, eliminon luhatjet e theksuara të tensionit që jo rrallë ka shkaktuar dëme në pajisje, si dhe zvogëlon humbjet në rrjet, që për vitin 2016 parashikohen të ulen në nivelin e 20%.

Një nga banorët e zonës, e njohur si një nga zonat informale të vendit ku kanë munguar mbi 20 vjet investimet, tregoi situatën tepër të rëndë të furnizimit me energji. “Është investim i paparë. 20 vjet nuk ka pasur drita këtu. Nuk shkonim në shtëpi, merrnim në telefon kur binte shi dhe pyesnin “ka drita?” dhe nuk shkonim, rrinim në lokale, se ku do shkoje. Tani, ky ishte një investim kolosal. 20 vjet pa drita, tani me drita. Më kujtohet kur erdhët tek te Pallati i Sportit, pashë 2-3 super të Saliut. I thashë “po ti do vish?” S’i kam dhënë votën, më tha, por tani do t’ia jap votën se kam drita, vetëm për atë që bëri për dritat,” – u shpreh ai.

Edhe në këtë zonë, investimet janë realizuar nga OSHEE falë edhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar për të paguar energjinë e konsumuar, të cilat tashmë po i rikthehen qytetarëve në investime në rrjet. Arkëtimet në raport me vitin 2013 janë rritur pothuaj 4 herë. Në Durrës janë në proces investime të tjera, shumë të rëndësishme për fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes për 30 vitet e ardhshme. “Brenda viti do fillojë edhe ndërtimi i nënstacionit të ri të Shkozetit, sepse gjithë këto investime që ne bëjmë, ku sigurojmë qytetin e Durrësit për 30 vitet e ardhshme, nuk mund t’i përgjigjet të gjithave, një stacion ekzistues 40 vjeçar. Paratë që qytetarët paguajnë, duke iu përgjigjur thirrjes së reformës së qeverisë dhe kompanisë, për të paguar konsumin e energjisë, kompania po ja kthen me investime efikase,”- tha drejtori i OSHEE.

Një i moshuar e vlerësoi investimin në një mënyrë të veçantë: “Faleminderit për investimin që keni bërë këtu. Na u duk një cikë idhët, por i thotë populli hidhnimi ka gëzimin në fund. Dhe me këtë dritë që na ke pru, na ka ardh drita e syrit.”

“Vërtet i paguam debitë dhe kjo qe “e hidhura”, që paguam debitë që kishim, por ama, shyqyr Zotit, falë qeverisë na i ktheu në investime. Për këtë jemi super të kënaqur,” – u shpreh një tjetër banor.

Rritja e mbështetjes publike që iu dha përpjekjeve për formalizimin e sektorit, theksoi Kryeministri, përkthehet në rritje të cilësisë së shërbimit. “Këto investime të mëdha që po bëhen sidomos në zona të vështira janë rezultat i bindjes që po nuk u paguan dritat, nuk mundet të ketë shërbim as me drita, as me fatura si duhet, as me sportele si duhet. Faktikisht, për shkak se në këtë zonë filloi shlyerja e borxheve, filloi pagesa e rregullt, por bëhet një investim që po i jep fund problemit të furnizimit me energji dhe të gjithë zonës,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë ka përfunduar pajisja e abonentëve të kësaj zone me matës elektrikë dhe vazhdon vendosja e tyre në qytetin e Durrësit, ku aktualisht janë montuar 6500 matës dhe brenda qershorit do montohen edhe 1400 të tjerë. Kryeministri Rama i informoi se së shpejti do të hiqet aforfeja, një problem i  trashëguar që ka rënduar qytetarët. “Ne do t’i qëndrojmë edhe një zotimi shumë të rëndësishëm që brenda muajit qershor do të heqim aforfenë. Nuk do të ketë më fatura aforfe që janë një problem i madh, por një problem të trashëguar për shkak se historia u bë “o burra kush të vjedhë, kush t’ia hedhë tjetrit”. Ju ia hidhnit shteti, shteti ua hidhte juve dhe u bë bërllok. Ajo që po ndodh është një kthesë e madhe. Sigurish ka akoma punë të mëdha, jemi shumë larg stacionit ku duhet të mbërrijmë, sepse ia kemi hedhur njëri tjetrit 20 e ca vjet.”​

energjia.al  04.05.2016