Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TransAtlantic vijon të jetë i bllokuar

Edhe sot puset e marra me koncesion nga Transatlantic Petroleum nuk kanë nxjerrë naftë. Puna u bllokua të premten pasdite nga punonjësit, të cilët njoftuan për këtë veprim me një shkresë kryeministrin, ambasadorin e SHBA-ve dhe drejtuesit e Albpetrol.

Punonjësit në shkresën e tyre pohojnë se arsyeja kryesore e këtij veprimi lidhet me pushimin nga puna të një kolegu të tyre dhe me terrorin, sipas tyre të ushtruar nga administrator i ri, z.Neim Kasa. Ata kërkojnë kryerjen e pagesave të prapambetura dhe të pagesave sipas kontratës. Edhe ditën e henë nuk u arrit të gjendej një konsensus mes punonjësve dhe drejtuesve të kompanisë.

Ekspertët pohojnë se rreziku më i madh në këtë rast është bllokimi i puseve nga mosshfrytëzimi (rivënia e tyre në punë ka një kosto të lartë).

Ndërkohë, burime zyrtare nga Albpetrol, që menaxhon kontratën koncesionare, thanë se ata kanë filluar tashmë procedurat e prishjes së marrëveshjes koncesionare me Transatlantic, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale (detyrimet që kompania ka ndaj Albpetrol kanë arritur në 15 milionë euro).

Transatlantic Petroloeum Ltd (ish Stream Oil), shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas Bankers Petroleum, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend.

Në shkurt të këtij viti Continental Oil & Gas (mëma) dhe GBC Oil Company Ltd. (bija) deklaruan blerjen e Transatlantic Petroloeum Ltd. Pas GBC Oil (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë Phoenix Petroleum (z.Neim Kasa është aksioner i kompanisë Phoenix Gas që ka në pronësi Phoenis Petroleum), që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion.

Revista Monitor,  26.04.2016