Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum, ja si do bëhet ristrukturimi

Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend ka nisur zyrtarisht në gjykatë procesin për falimentimin dhe riorganizimin. Tashmë kompania që do të menaxhohet nga një administrator ( Lindita Kikino) do të duhet të paraqesë planin e Riorganizimit. Gjykata e Shkallës së parë Tiranë në vendimin e saj bën të ditur se deri në datë 18 Maj duhet të ngrihet Komiteti i Kreditorëve. Këta të fundit duhet që deri në mesin e muajit qershorë të paraqesin pranë administratores pretendimet. Gjithashtu në vendim thuhet se procedura e falimentimit duhet të shpallet si në QKR, ashtu edhe në median e shkruar.

Kurum shpalli falimentin për qëllim ristrukturimi në shkurt të këtij viti. Vlerësohet që kompania ka mbi 300 milionë dollarë detyrime, gjysma e të cilit është ndaj bankave dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Arsyet që e çuan Kurum drejt falimentit janë të shumta. Më herët Monitor ka zbardhur të gjithë skemën e detyrimeve që ka kjo kompania.
Kompania rezulton me një levë të lartë financiare, me raportin detyrime/kapital i vet që ishte 3.8 në fund të vitit 2014 (çka nënkupton se detyrimet janë gati 4 herë më të larta se mjetet e veta), ndërkohë që një raport maksimal i levës ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm, është 1.5. Blerja e hidrocentraleve tërësisht me kredinë prej 106 milionë eurosh ka shtuar dukshëm barrën e borxheve të Kurum.

Ajo u zhyt në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve. Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme si rrjedhojë e krizës së ndërtimit duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare kompanisë. Në bilancin e 2014-s, Kurum konstaton se sektori i ndërtimeve, me të cilin Kurum e ka të lidhur ngushtësisht aktivitetin, ka rënë për dy arsye, se pari shteti ka pezulluar lejet e ndërtimit dhe së dyti ka rënë shitja e apartamenteve. Efektet e krizës globale financiare kanë vijuar të kenë ndikim të rëndësishëm në likuiditetet e kompanisë. “Kohëzgjatja e krizës dhe rritja e vonuar e industrive dhe sektori bankar mund të shkaktojë një reduktim në para të gatshme nga operacionet, disponueshmërinë e kredisë, një rritje të kostove dhe një vonesë në kohën apo zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të planifikuara”, thuhet në bilanc. Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e Kurum në maj të vitit të mëparshëm.

Kreditë e Kurum

Janë një sërë institucionesh financiare, banka rajonale e vendase që kanë qenë të ekspozuar ndaj kompanisë së prodhimit të çelikut dhe energjisë, që shpalli falimentin për qëllime ristrukturimi së fundmi. Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, ka qenë pjesëmarrëse në një paketë borxhi për Kurum prej 106 milionë eurosh, së bashku me kreditorë të tjerë. Huaja është marrë nga Kurum në kuadër të privatizimit të katër hidrocentraleve Bistrica 1, 2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MW, që ajo i bleu nga qeveria shqiptare për rreth 109 milionë euro në fillim të vitit 2013. Krahas IFC, borxhi është bashkëfinancuar nga hua paralele nga Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania. Financimi gjithashtu përfshin hua B nga FMO (Netherlands Development Finance Company), IFC, dhe Odeabank (dega turke e bankës Audi-Lebanon). Pjesa e financuar nga IFC është 30 milionë euro. Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), një bankë rajonale ka gjithashtu një ekspozim mbi 30 milionë euro te Kurum. Ajo, sipas burimeve zyrtare nga faqja e internetit, i ka dhënë kompanisë së prodhimit të çelikut dy hua, të parën prej 20 milionë eurosh në vitin 2011 (dhënë për të rritur prodhimin, ndërkohë që plotësoheshin standardet e BE-së për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë në punë) dhe të dytën prej 18 milionë eurosh në fund të 2013-s, në kuadër të paketës së huave prej 106 milionë eurosh, të përmendur më lart. Nga bankat vendase mësohet se ekspozimin më të lartë e ka Raiffeisen, që ka dhënë rreth 30 milion euro në paketën e financimit të HEC-eve.

Në total, sipas bilancit, Kurum ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave e institucioneve financiare e pjesa tjetër ndaj të tretëve. Së fundmi Pro Credit dhe NBG kanë kërkuar bllokimin e kuotave të Kurum për mos kthim kredie.

Ja se çfarë parashikon vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të cilin palët mund të bëjnë anksim të veçantë deri në datë 20 prill :

Konform nenit 127 të K.Pr.Civile dhe nenit 26 e vijues të ligjit nr.8901 datë 23.05.2002 “Për falimentimin” i ndryshuar me ligjin nr.9919 datë 19.05.2008, Gjykata, vendosi :

1) Pranimin e kërkesës.
2) Hapjen në orën 10.20 të datës 15 prill 2016 të procedurës së falimentimit për Riorganizim për kërkuesin Shoqëria “Kurum International” SHA me NIPT K02727230T, me administrator Ysuf Sezai Kurum, me seli në Tiranë, Rr. “Ibrahim Rrugova”, Pll. 14, Green Park, Ap nr. 39, kt. 6.
3) Autorizimin e Debitorit Shoqëria “Kurum International” SHA të administrojë dhe disponojë pasuritë e masës së falimentimit nën kontrollin e Mbikqyrësit apo Administratores së Falimentimit.
4) Emërimin me statusin e Mbikëqyrësit, Administratoren e Falimentimit Znj.Lindita KIKINO, e liçensuar nga Ministria e Drejtesise me Nr. Liçence 12, me adresë veprimtarie Rr. “Jordan Misja”,Pallati “Sara El”,Sh. 1, ap nr. 1, Tiranë.
5) Ngarkohet Debitori me hartimin e Planit të Riorganizimit nën asistencën e Mbikqyrësit.
6) Administratorja e Falimentimit ( Mbikqyrësi) t’i paraqesë Gjykatës së Falimentimit Raport mbi listën transaksioneve të kryera nga KURUM INTERNATIONAL SHA ne 3 (tre) muajt e fundit ,të kryejë vlerësimin e duhur ligjor të tyre për mundësinë mbi anullimin veprimeve juridike sipas kritereve përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Falimentimin.
7) Të gjithë subjektet qe kanë detyrime ndaj debitorit “Kurum Internacional” SHA , duhet t’ia paguajnë dhe t’ia shlyejnë debitorit i cili për çdo rast njofton administratoren e Falimentimit.
8) Mbledhja e kreditorëve te shoqërisë “Kurum International” sh.a për caktimin e Komitetit të Kreditorëve, të mbahet në datën 18 Maj 2016 ora 11.00.
9) Të gjithë kreditorët e shoqërisë kanë të drejtë të brenda dates 15 qershor 2016 të gjitha pretendimet e tyre tek Administratorja e Falimentimit duke i njoftuar asaj pretendimet dhe të drejtat e siguruara që kanë mbi pasuritë e debitorit. Mbledhja për raportim caktohet ne datën 20 qershor 2016 ora 11.00.
10) Mbledhja e Kreditoreve të subjektit “Kurum International” sh.a, për verifikimin e pretendimeve mbahet brenda 60 ditëve nga data e mbledhjes për Raportim. Data përkatëse e mbledhjes per verifikim vendoset në mbledhjen për raportim.
11) Mbledhja për përcaktimin e të drejtës së votës të kreditorëve për votimin e Planit të riorganizimit të mbahet dy javë para datës së mbledhjes që do të caktohet për diskutimin dhe votimin e planit të riorganizimit.
12) Mbledhja e kreditoreve te subjektit “Kurum International” sh.a, për diskutimin dhe votimin e Planit të Riorganizimit të mbahet jo më vonë se 1 muaj nga të mbledhja për verifikim. Data e mbledhjes per votimin e Planit të Riorganizimit do të vendoset në mbledhjen e kreditorëve për verifikimin e pretendimeve.
13) Urdhërohet ndalimi i ekzekutimit mbi të gjithë pasuritë e debitorit nga çdo kreditor apo palë e tretë gjatë procedurës së falimentimit, qofshin këto pasuri materiale apo të drejta.
14) Urdhërohet publikimi i vendimit për hapjen e procedurave të falimentimit te shoqërise “Kurum International” sh.a, ne Buletinin Zyrtar të Njoftimeve Publike.
15) Urdhërohet publikimi dy herë i këtij vendimi, prane Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në adresën zyrtare në internet të këtij institucioni, në adresën zyrtare në internet të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në adresën zyrtare në internet palës kërkuese “Kurum International” sh.a në këtë gjykim si dhe pranë Drejtorise se Pergjithshme te Tatimeve.
16) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet Zyres Qendrore te Rregjistrimit te pasurive te Paluajtshme.
17) Një kopje e vendimit per hapjen e procedures se falimentimit te Shoqerise “Kurum International” sh.a, t’i dergohet te gjitha bankave te nivelit te dytë , të gjithë kreditorëve të listuar dhe debitorëve të “Kurum Internacional”Sha .
18) Një kopje e vendimit per hapjen e procedures së falimentimit te Shoqerise “Kurum International” sh.a, t’i dergohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
19) Një kopje e vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërise “Kurum International” sh.a, t’i dërgohet Autoritetit Rrugor Kombëtar,Autoritetit Portual Shqiptar, dhe Zyrës së Regjistrit të Barrëve Siguruese.
20) Një kopje e vendimit per hapjen e procedures se falimentimit të Shoqerise “Kurum International” sh.a, t’i dergohet subjekteve të specifikuara në nenin 29 te ligjit nr. nr.8901 datë 23.05.2002 “Për falimentimin”i ndryshuar.
21) Urdhërohet publikimi dy herë i vendimit të shkurtuar për hapjen e procedurës së falimentimit të Shoqërisë “Kurum International” sh.a, në dy gazeta me qarkullim kombëtar.
22) Shpenzimet gjyqësore proceduriale në ngarkim të palës kërkuese.
23) Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 diteve afat që për palët prezent fillon nga dita e nesërme e shpalljes dhe për subjektet jo prezent nga e nesërmja e marrjes dijeni.

Revista Monitor,  19.04.2016