Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

200 punonjë të KEDS rrezikojnë vendin e punës

Distribucioni i Furnizimit më Energji Elektrike – KEDS, në Kosovë ka larguar nga puna 80 punëtorë, kurse 200 të tjerë rrezikohen që muajin e ardhshëm të mbesin pa punë. Këto shqetësime i paraqesin udhëheqës të sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie.

Ky distribucion është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak” i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro.

Para tre vitesh konsorciumi kishte premtuar se për 15 vitet e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë euro për distribuimin e energjisë elektrike.

Po ashtu, kompania ishte zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë, ishte zotuar se do të mbrojë të drejtat e punëtorëve.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektro-Kosova në këtë kompani, tregon se largimi i punëtorëve po ndodh për shkak se muajin tjetër është përfundimi i mbikëqyrjes së kontratës së blerësit nga qeveria.

Kjo sindikatë, edhe përkundër kërkesave zyrtare për posedim të kontratës së shitblerjes nuk ka pasur mundësi të sigurojë këtë marrëveshje. Ai për ketë shprehet kritik në adresë të menaxhmentit të KEDS-it, por edhe Qeverisë se Kosovës.

Megjithatë, Pajaziti tregon se në kohën e privatizimit në kompani kanë qenë rreth 2 mijë e 600 punëtorë, kurse aktualisht numëron rreth 2 mijë e 200.

‘’KEDS po vazhdon më avazin e vjetër. Tash i ka larguar 80 punëtorë, kurse edhe 200 punëtorët të tjerë janë të rrezikuar që pas 7 majit, kur përfundon monitorimi i kontratës Qeveri – KEDS , t’ju ndërpritet kontrata”, ka thënë Pajaziti.

Ndryshe, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se në bazë të marrëveshjes për implementim, KEDS-i do të vazhdojë të ruaj numrin e punëtorëve të punësuar.

“KEDS-i do të vazhdojë të ruaj punësimin për gjithë punëtorët në datën e përfundimit (ashtu siç përkufizohet ky term në Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve), për një periudhë minimale prej tri vitesh që prej asaj date”, thuhet në përgjigje.

“Sa i përket punëtorëve, një nen tjetër i marrëveshjes garanton kontratat e punëtorëve për periudhën 3 vjeçare që nga data e privatizimit, që i bie deri në muajin maj 2016. Deri më tani, kontrata është respektuar dhe nuk ka pasur largime të punëtorëve nga puna”, thekson Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Zyrtarë të KEDS-it ndërkaq kanë thënë se shumica dërmuese e kontratave po vazhdohen.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë paralajmëruar për një largim eventual të punëtorëve nga kjo kompani. Kjo për faktin që sipas tyre, procesi i privatizimit të KEDS-it nuk ka qenë transparent.

Po ashtu, ishte nënvizuar se qasja me kontratën e nënshkruar në mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Çalik- Limak ka qenë e pamundur.

Visar Azemi, koordinator në Konsorciumin e Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID, për Radion Evropa e Lirë thotë se KEDS do të vazhdojë largimin edhe të punëtorëve të tjerë, pasi kompania sipas tij, do të mundohet që të zvogëlojë shpenzimet operacionale.

Azemi, madje thotë se Qeveria e Kosovës duhet të merret me këtë çështje, pavarësisht faktit, se nuk dinë çfarë kompetencash në bazë të kontratës ka ekzekutivi. Ai e quan të pakuptimtë mbajtjen sekrete të kontratës së privatizimit.

“Unë nuk di sa ka hapësirë qeveria, por megjithatë qeveria duhet t’i dalë në ndihmë punëtorëve të Kosovës, dhe të gjenden modalitet se si të kalohet kjo krizë. Sepse do të ketë një numër të madh të atyre që do t’i shkëputet kontrata dhe do të krijohet pakënaqësi sociale duke e ditur që gjendja e tyre është e rënduar dhe rezultatet do të jenë shumë negative”, ka thënë Azemi.

Sidoqoftë, sindikata e punëtorëve të kësaj kompanie edhe më herët ka paraqitur akuza për keqtrajtim të punëtorëve nga KEDS. Se në këtë kompani situata është konfuze, për Radion Evropa e Lirë, kishin pranuar edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Redio Evropa e Lirë,  19.04.2016