Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta rrëzon ekonominë saudite

Ekonomia e Arabisë Saudite vazhdon të përkeqësohet dhe diçka të tillë e konfirmojnë të dhënat e fundit. Gjatë shkurtit, qytetarët kanë tërhequr dhe shpenzuar më pak para, ndërkohë që indikatori M3, që mat qarkullimin e parasë, u tkurr për të parën herë që prej vitit 2000, kohë kur filluan edhe matjet e para të këtij indikatori.

Ndërkohë që Mbretëria është një ndër vendet me rezervat më të larta në valutë të huaj në glob, shkurtimet e shpenzimeve qeveritare për ti ardhur në ndihmë financave publike, po dëmtojnë rëndë ekonominë.

Rritja ekonomike mund të ngadalësohet në 1.5% gjatë këtij viti, tregojnë projeksionet. Ky do të ishte edhe ritmi më i dobët i rritjes që prej vitit 2009. Ekspertët shprehen se, të dhënat e fundit sinjalizojnë një besim të dobët konsumator.

Rimëkëmbja në këtë drejtim përgjatë këtij viti është thuajse e pamundur, nënvizojnë ekspertët. Në krahasim me një vit më parë, transaksionet nëpërmjet kartave të kreditit janë tkurrur me mbi 4 miliardë dollarë, ose 9%. Huadhënia ndaj biznesit, paradoksalisht regjistrohet në rritje me 10%.

Por ekspertët shprehen se kjo e dhënë nuk sinjalzion një zgjerim të aktivitetit të biznesit.  Kolapsi i çmimeve të naftës duket se po çon në buzë të greminës ekonominë saudite ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë masa ekstreme për të mënjanuar një situatë edhe më kaotike. As rritja e çmimeve të energjisë duket se nuk ka ndihmuar dot qeverinë të mbulojë një defiçit buxhetor prej 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Scan TV, 29.03.2016