Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, siguria e energjisë, kusht zhvillimi

Akterët kyç të sektorit të energjisë të Kosovës u takuan në Forumin e Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe mbështetur nga Projekti REPOWER i USAID-it, ku diskutuan zhvillimet aktuale në këtë sektor, me ç’rast u theksua nevoja për përfshirje më të madhe të komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e këtij sektori.

Në hapje të këtij forumi morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtarë, përfshirë Kryeministrin Isa Mustafa, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, Drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli dhe përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e komunitetit të industrisë, organizatave jo-qeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.

Sipas organizatorëve, viti 2016 do të sjell një numër sfidash dhe mundësish, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për sektorin e biznesit në përgjithësi dhe mundësi për rritje të ekonomisë në përgjithësi. Mirëpo, për të arritur sigurinë e energjisë, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje aktive nga partnerët e vetë ndërkombëtarë.

“Jemi këtu bashkë, të gjithë akterët kryesorë të sektorit të energjisë, grupet e konsumatorëve, organet qeveritare dhe ato rregullatore si dhe partnerët ndërkombëtar, për të sforcuar kështu mirëkuptimin kolektiv karshi këtyre sfidave dhe përkushtimin për t’i tejkaluar ato”, tha Ministri Stavileci.

Ai tha se synimet e Qeverisë janë të bazuara në balancimin e këtyre katër premisave: siguria e furnizimit për nevojat e Kosovës; çmimet e energjisë të jenë të përballueshme për qytetarët dhe bizneset; të mbrohet ambienti dhe të shfrytëzohen resurset në mënyrë efikase dhe të ngriten investimet private dhe krijohen vende të reja të punës.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se si parakusht themelor i zhvillimit ekonomik është sigurimi stabil i energjisë elektrike, dhe ne duhet ta bëjmë këtë. “Orientimi ynë themelor është që të investojmë tani në ndërtimin e Kosovës së Re. Ne e vlerësojmë shumë rezultatin i cili është arritur deri më tani, dhe marrëveshjen e cila është nënshkruar me investitorët privat amerikanë, me përkrahjen e Bankës Botërore, dhe mbesim të përkushtuar që ne ta realizojmë këtë projekt”, tha ai, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për të respektuar standardet mjedisore.

Nga ana e tij, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen ekonomike, “Një nga objektivat kryesore të asistencës Amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë”, tha ai.

Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë, tha se ky institucion do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë u pajtuan se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mbështetet në thëngjill dhe bazuar në politikat e saj monetare dhe fiskale nuk ka mundësi që në periudhë afatmesme të rritet esencialisht gjenerimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Megjithatë, folësit nënvizuar se iniciativa të reja janë zbatuar nga Qeveria e Kosovës për të promovuar energjinë e gjelbër, por projektet e energjisë së ripërtëritshme kanë nevojë për subvencione për t’u bërë fitimprurëse, të cilat në fund të fundit paguhen nga konsumatorët. Në kontekst të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës duhet të mbrojë konsumatorët më të cenueshëm nga rritja e çmimeve.

Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë. Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë i bazuar kryesisht në hidro, dhe gjenerimi i Kosovës i bazuar kryesisht në thëngjill, janë konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale.

Ishte konkluzion i përbashkët i pjesëmarrësve se rimëkëmbja e tërë ekonomisë së Kosovës varet nga suksesi i politikave energjetike, dhe se partnerët ndërkombëtarë duhet të mbështesin këto përpjekje me veprime si dhe ti mundësojnë Kosovës liri veprimi në respektimin e standardeve mjedisore të BE-së.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 02.03.2016