Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Borxhi i energjisë, deputeti fillon shlyerjen

Pas denoncimit të bërë në 13 shkurt nga gazeta “Shqiptarja.com”, se deputeti Eduart Ndocaj kishte plot 19 milionë lekë të vjetra energji elektrike pa paguar, ligjvënësi “Kaubojs” ka filluar shlyerjen e borxhit. Gazeta ka mësuar se menjëherë pas kthimit nga Italia, Ndocaj ka shkuar pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, ku ka pranuar të nënshkruajë disa kontrata për shlyerjen me këste të detyrimit.

Bëhet fjalë për 3 kontrata të shtëpive të banimit, ku vlera e borxhit ishte rreth 1 milionë lekë të vjetra. Në këto banesa ku është nënshkruar kontrata, energjia është rilidhur, ndërsa për apartamentet e tjera, nuk është nënshkruar kontrata, dhe si rrjedhim nuk po furnizohen me energji. Deputeti Ndocaj konfirmoi në një prononcim për “Shqiptarja.com” se kishte nënshkruar disa kontrata, ndërsa të tjerat, nuk i pranonin si borxhe.

Duke i quajtur pjesën më të madhe të faturave si abuzive, deputeti “Kaubojs”, thotë se do t’i kundërshtojë ato në gjykatë. “Po, kam nënshkruar disa kontrata. Ato që ishin për tu nënshkruar. Të tjerat do t’i ballafaqoj në gjykatë”-tha Ndocaj. Deputeti i Lezhës u shpreh se nuk ka pasur dijeni për borxhin ndër vite. “Faturat janë të gabuara dhe po përgatitem për një proces gjyqësor ndaj OSHEE-së. Janë apartamente që nuk funksionojnë dhe nuk janë me qira. Në shtëpinë time kam 3 muaj që jetoj tani dhe gjatë 3 viteve kam jetuar 30 ditë gjithsej, sepse është bosh që kur është ndërtuar. Kjo e bën procesin politik dhe sulm mediatik.

Nuk kam marrë asnjë faturë të vjetër apo paralajmërim se jam në borxh”-tha ai. Për plot një javë deputeti i parlamentit shqiptar, Eduart Ndocaj nuk pati drita në shtëpinë e tij në Lezhë. OSHEE në këtë qytet, i preu energjinë elektrike deputetit kaubojs, në datën 8 shkurt. Gjithçka erdhi pas një borxhi të madh të akumuluar nga familja Ndocaj, dhe mospagesës edhe në kohën kur ai u kthye në Shqipëri për të ushtruar mandatin e deputetit.

“Shqiptarja.com” publikoi dokumentin e plotë të të dhënave në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku rezultonte, se deputeti ka 14 kontrata për furnizim energjie me OSHEE-në, dhe në 13 prej tyre, ai kishte konsumuar energji, të cilën nuk e kishte paguar, duke shtuar kështu në faturën e tij personale edhe kamatëvonesat. Fatura e tij totale ndaj OSHEE-së, për 14 objektet në pronësi të tij, arrinte në vlerëson e 19 milionë lekëve të vjetra.

Në terma fikse, fatura ishte 1 915 846.04 lekë të rinj. Veç shtëpisë së tij të banimit, Ndocaj zotëron dhe më shumë se 10 objekte të tjera, apartamente dhe dyqane në zonën e Shëngjinit, të cilat i jep me qira për pushuesit. Prej faturave të papaguara, edhe këtyre objekteve, energjia ju është ndërprerë që në fund të verës dhe ende nuk ju është rilidhur. Edhe vlera e kamatëvonesave është e madhe, çka tregon se koha e fillimit të “borxhit” ndaj OSHEE-së është e gjatë, dhe borxhi i deputetit, shtohet përditë.

Marrja e mandatit të deputetit nga Ndocaj, nuk e ka penguar OSHEE-në të ndërpresë energjinë në objektet e tij. Edhe në reagimin e tij të parë pas publikimit të lajmit, Ndocaj nuk kundërshtoi borxhin, por tha se faturat ishin abuzive, madje shprehu gatishmëri për të dhuruar një apartament shtetit.

Shqiptarja.com  29.02.2016