Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hoti, marrëveshje të fshehtë me “HIB Petrol”

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka nënshkruar fshehtë kontratën 12 milionëshe mes Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) dhe kompanisë “Hib Petrol”, për furnizim me derivate për rreth 80 Institucione të Kosovës, raporton portali INFOKUSI.com.

Ministri Hoti ka bërë nënshkrimin e kontratës 12 milionëshe, por një gjë të tillë ai është munduar ta mbaj larg opinionit, por edhe larg autoriteteve që janë pjesë e kësaj kontrate.

Kah fundi i muajit janar të këtij viti, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një shkresë ka kërkuar nga ministri Avdullah Hoti më shumë informata rreth tenderit në fjalë, por më 25 janar të këtij viti, ministri Hoti ka njoftuar ministrin Bajrami, se ai më nuk është përgjegjës për nënshkrimin e kontratës më të madhe publike në vend, atë mes kompanisë “Hib Petrol” e cila ka aktakuzë për mashtrim dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik (AQP), raporton INFOKUSI.com.

“I nderuar ministër Bajrami. Më ligjin numër 05/L-068 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin numër 04L-237 neni 12 nga ky vit Autoriteti kompetent për nënshkrimin e kontratave të prokurimeve të centralizuara përfshirë edhe kontratën ‘Furnizim me naftë për Autoritete Kontraktuese’ është Agjencia Qendrore e prokurimit”, thuhet në letrën që ministri Avdullah Hoti i ka dërguar ministrit të Arsimit Arsim Bajrami.

Po ashtu më 3 shkurt të këtij viti përmes një letre edhe Agjencia Kosovare e Pronës ka kërkuar nga ministri Hoti informacione rreth procesit të Prokurimit.

“Më 8 prill të vitit 2015 ne jemi njoftuar nga AQP-ja se AKP do të jetë pjesë e kësaj kontrate të centralizuar. Më këtë rast na lejoni të iu njoftojmë se më 21 janar 2016, ka skaduar kontrata për furnizim me derivate të naftës me kompaninë ‘Hib Petrol’ dhe pas kësaj date si dhe pas kërkesave të vazhdueshme drejtuar AQP-së, nuk kemi pranuar asnjë njoftim të vetëm”, thuhet në letrën që AKP-ja ia ka dërguar ministrit të Financave.

Por, në realitet kontratën në fjalë ministri Hoti e ka nënshkruar më 15 dhjetor të vitit 2015, por ai dhe ministria që ai drejton, këtë detaj e kanë mbajtur larg syve të opinionit, raporton INFOKUSI.com.

Në bazë të dokumentit që ka siguruar, Infokusi.com shihet se kontratën në fjalë së pari e ka nënshkruar më 05.11.2015 Behxhet Rukiqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik.

Pesë ditë më vonë kontratën e njëjtë e ka nënshkruar edhe Mursel Rraci, zyrtar kryesor administrativ në AQP, më 15 dhjetor 2015 e ka nënshkruar ministri Financave Avdullah Hoti, si dhe më 11 shkurt 2016 e ka nënshkruar Fatbardh Xhaferi, Menaxher Gjeneral i Kontratave në kompaninë “Hib Petrol” , raporton INFOKUSI.com.

Po ashtu, në fillim të këtij viti kompania për shitjen e derivateve “Petrol Company” nga Prishtina, ka paditur Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP) në lidhje me tenderin 12 milionë euro për furnizim me derivate për 80 institucione të Kosovës. Këtë tender AQP-ja ia ka dhënë kompanisë “Hib Petrol”, edhe pse në garë ka pasur kompani që kanë ofertuar më çmime shumë më të lira se kjo.

Po ashtu, para pak kohësh Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ndaj kësaj kompanie ka ngritur aktakuzë për mashtrim rreth tenderit për “Furnizim me derivate” për disa institucione të komunës së Prishtinës, por kjo fare nuk i ka bërë përshtypje ministrit aktual të Financave Avdullah Hoti, raporton Infokusi.com.

Në procesverbalin e siguruar nga Infokusi.com, shihet se në këtë tender 8 operatorë ekonomikë (OE) i kanë tërhequr dokumentet. Ndërkaq, vetëm 4 prej tyre i kanë dorëzuar në AQP. Në këtë tender kompanitë kanë ofertuar vetëm me profitin e tyre, ndërkaq çmimi i derivateve llogaritet ai i tregut në kohën kur kompania i dërgon derivatet në institucionin e kontraktuar.

Në bazë të procesverbalit të hapjes së ofertave, më 21.08.2015, shihet se për këtë tender kompania “Hib Petrol” ka aplikuar me 634 mijë e 748 euro, kompania “Al Petrol” ka aplikuar me 11 mijë e 540 euro, si dhe konsorciumi “Petrol Company & A&V Gas &Lab Oil” me 1 mijë e 154 euro, si dhe “Ex Fis” me 890,303 euro.

Infokus.com  24.02.2016