Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Transparenca, faktor kyç në administrimin e burimeve

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në konferencën e organizuar nga Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse e cila publikoi raportet e viteve 2013-2014

Mirëdita të gjithëve!

Dua të falënderoj zonjën Çinari për prezantimin dhe punën e bërë. Është shumë e rëndësishme që këto raporte të dalin sa më të sakta dhe të informohet publiku. Më pare, transparenca ka qenë një pikë e dobët e qeverisjes, sidomos kur flitej për çështjet e industrisë nxjerrëse dhe industrisë minerare në përgjithësi, ato që lidhen me burimet natyrore. Po të shikojmë historinë e mbarë vendeve të cilët kanë burime natyrore, shpesh thuhet se burimet e shumta natyrore mund të jenë edhe mallkim për disa vende për shkak të konflikteve që lindin rreth mënyrës se si ndahet fitimi i tyre për privatit dhe publikut. Marr shembujt e Afrikës këtu apo vende të tjera që kanë pasuri por kanë destabilitet. Ajo që më mbetet në mendje dhe që është kyç është transparenca. Pra, se sa transparente është çështja e ndarjes? Sa shkon për interes të publikut? Si ndahen këto të ardhura? Si përdoren? Kjo, në fund të fundit vendos legjitimitetin e demokracisë ose të çdo lloj regjimi juridik mbi pasuritë natyrore.

Këto raporte që u prezantuan këtu, janë në themel të këtij elementi kaq kyç në mirëqeverisje. Realisht është një kontribut shumë i madh në mirëqeverisjen e vendit transparenca e plotë se çfarë përfiton publiku, në këtë rast shteti. Kur them shteti kam parasysh taksapaguesit shqiptar, mbarë publiku që merr përfitimin nga shfrytëzimi i pasurive të veta natyrore. Madje, këto të dhëna shërbejnë të kuptosh edhe më mirë se cilat janë gjërat që çalojnë, çfarë mund të presësh nga zhvillimi i industrisë nxjerrëse, sa mund të kontribuojë në buxhet, sa mund të kontribuojë në punësim dhe disa elementë që meritojnë për tu korrigjuar? Në fund të fundit gjithçka fillon nga transparenca. Kur kemi pikturën e qartë ka shumë pyetje për politikën, ka shumë presion nga publiku dhe ne në fund të fundit këtu jemi. Këto të dhëna, sa më shumë të diskutohen mes publikut aq më mirë do të jetë edhe për autoritetet shtetërore për të dhënë përgjigjet e duhura.

Raporti për industrinë nxjerrëse, këtë vit përfshin edhe prodhimin e energjisë elektrike, që siç u tha u fut për herë të parë. Është gjë e mirë që u fut për herë të parë sepse lidhet në fund të fundit me shfrytëzimin e burimeve natyrore. Shikojmë që është një komponent shumë i rëndësishëm i industrisë së vendit. Një komponent shumë i rëndësishëm për punësim edhe pse mbase nuk është nga ato lloj industrish që është intensive nga pikëpamja e krahut të punës. Kuptohet, janë disa lloj industrish të tjera që kontribuojnë më shumë me punësim, krah pune, siç janë fasonët apo bujqësia. Por është e rëndësishme që rritja e prodhimit vendas nga industria nxjerrëse dhe përpunuese të jetë e lartë. Po të shikojmë, vitet e fundit kemi një rritje të industrisë së ferrokromit duke rritur punësimin vendas, duke rritur vlerën e shtuar brenda vendit, duke rritur vlerën e produktit i cili eksportohet. Të gjitha këto industri kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në bilancin tregtar, në atë që çdo vend ka nevojë për valutë për të përmirësuar bilancin tregtar.

Rritja e prodhimit, qoftë në energjinë elektrike, qoftë ne energjinë të themi nga fosilet, nga nafta, apo edhe nga burimet e tjera është shumë e rëndësishme për përmirësimin e bilancit tregtar. Është një mundësi e madhe për vendin për të thithur investime të huaja.

DIHET QË SEKTORI ENERGJETIK, PËRFSHIRË NAFTËN DHE HIDROENERGJINË, KA QENË SEKTORI QË KA THITHUR MË SHUMË INVESTIME TË HUAJA. MJAFTON QË TË SHIKOJMË RAPORTIN E FUNDIT TË BANKËS QENDRORE, NË MOS GABOJ SEKTORI ENERGJETIK KA THITHUR MBI 80% TË INVESTIMEVE TË HUAJA. NE DUHET TA MBAJMË KËTË RITËM, PAVARËSISHT SE KA DISA KËRCËNIME QË TASHMË PUBLIKU I GJERË E DI, QË NGA ULJA E ÇMIMEVE, SIDOMOS MINERALEVE POR DHE NAFTËS, NJË SITUATË JASHTËZAKONISHT E RËNDË NGA PIKËPAMJA E ÇMIMEVE NDËRKOMBËTARE. PO TË SHIKOJMË ÇMIMIN E BRENTIT KA VAJTUR NË KUFIJTË MË TË ULËT HISTORIK DHE KËTO PADYSHIM NDIKOJNË DREJTPËRDREJT NË ULJEN E INVESTIMEVE. NUK ËSHTË GJË E MIRË PASI MUND TË SHKAKTOJË ULJE TË PRODHIMIT, NJËKOHËSISHT ULJE TË TË ARDHURAVE PËR SHTETIN DHE NJËKOHËSISHT RËNIE TË INVESTIMEVE TË HUAJA.

Në këto kushte të vështira, mjafton që të shikojmë një element krahasues aty që dua të jua sjell në vëmendje për të hapur debat. Në fund të fundit, nuk jemi këtu që të paraqesim pikëpamjen tonë vetëm pozitive për industrinë, por duam të hapim debat.

Debati është gjëja më e mirë që ne presim pasi qeverisjet bëhen më të mira kur shifrat transparente hidhen, futen element krahasimore dhe nxirren konkluzionet e duhura. Mjafton të ju jap një element, shikoni të ardhurat nga nafta në vitet 2013-2014. Megjithëse në vitin 2014 filloi tendenca e rënies së çmimeve dhe po të shikojmë çmimet ndërkombëtare kanë qenë gati 12% më të lira, niveli i të ardhurave nuk ka ndryshuar. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë që së pari është shtuar prodhimi. E dyta, që ka pasur një mirë administrim të këtij sektori. Mund të shikoni që të ardhurat në vitet 2012-2013, kur çmimi i naftës ka qenë më i lartë janë thuajse të njëjta me të dhënat e vitit 2014 kur ka filluar tendenca e rënies së theksuar të çmimit. Kjo do të thotë se kontrolli ka qenë më i mirë, raportimi ka qenë më i mirë, ndryshimet në regjimin fiskal që ne bëmë në vitin 2014 duke rifutur disa elementë fiskalë tek industria nxjerrëse e naftës kanë dhënë efektin e tyre. Po i referohem këtu pagesës së akzicës mbi hidrokarburet që ata përdornin për operacione prodhimi. Futja e TVSH-së, rimbursimi i TVSH-së njëkohësisht përmirësoi më mirë administrimin e sektorit të naftës dhe ja rezultatet e para. Patjetër, pa ndikuar në efektin ekonomik të kompanive dhe të kontratave, pasi një pjesë e tyre kishin klauzola stabiliteti fiskal, të cilat u negociuan me prodhuesit kryesorë dhe njëkohësisht shteti mori në avancë, pra në një avancë kohore më shumë të ardhura për interesat e veta.

Ju e dini tanimë synimin tonë në nënshkrimin e kontratave të reja, pas një randi të suksesshëm për fushat e lira të naftës, pavarësisht sfondit negativ të tregut ndërkombëtar. Në kontratat të cilat po negociojmë me kompaninë Delek Group dhe me SHELL, në negociata e për interes të publikut po fusim një model më të mirë ekonomik. Kjo po bëhet duke vendosur për herë të parë në Shqipëri, dhe këtë dua ta theksoj, atë që quhet tavan për shpenzimet. Deri sot, gjithë nafta që prodhohej shkonte për të mbuluar shpenzimet e kompanive, derisa ato të rikuperonin faktorin “R” dhe pastaj fillonte shteti të merrte të ardhura të tjera përveç rentës. Siç u tha edhe në raportin që u prezantua, asnjë kompani deri më tani nuk ka dalë me fitim.

Për herë të parë po vëmë një tavan, që do të thotë se një pjesë e naftës, para se kompania të rikuperojë kostot të futet si naftë e ndashme për fitim. Nafta e vlefshme për tu ndarë mes shtetit dhe privatit të fillojë që në momentin e parë që del fuqia e parë. Që tek fuqia e pare, shteti do të marrë më shumë se çfarë ka marrë deri tani. Kjo është falë politikave tona. Madje ju them edhe një gjë, ne do të rinegociojmë edhe një pjesë të kontratave që janë në fuqi, përfshirë edhe kontratën më të madhe të Shqipërisë siç është Bankers Petrolium. Kemi objektivin të të rinegociojmë termat, pas mbylljes së disa elementëve kontradiktorë ose konfliktualë që kanë të bëjnë me pagesën e tatim fitimit.

Ndërkaq, për herë të parë u pagua tatim fitimi falë punës intensive të agjencive kontrolluese si AKBN-ja, Albpetroli dhe vet Ministria e Energjisë. Për herë të parë arritëm të reflektojmë dhe të evidentojmë shpenzimet e vërteta të përdorura në industrinë e naftës. Këto elementë kanë shumë rëndësi për transparencën, qoftë edhe për kujdesin që duhet të tregojmë, kujdes më të tepruar përsa i përket interesit të shtetit. Kjo bën të mundur që të vilet për herë të parë tatim fitimi, të ulemi të negociojmë marrëveshje të reja me kompanitë hidrokarbure, duke vënë për herë të parë një nivel maksimal i cili mundet të përdoret për rikuperim të shpenzimit dhe pjesa tjetër të shkojë në fitim. Të gjitha këto do të thonë më shumë të ardhura për vendin.

Kuptohet, janë disa faktorë që nuk janë në dorën tonë siç janë çmimet ndërkombëtare. Në vlerë absolute, mbase të ardhurat do të bien për shkak të rënies së çmimeve dhe kjo është tashmë fakt i njohur. Nuk ka pse të bëhet as politikë sepse dihet që industritë që bazohen tek çmimet ndërkombëtare patjetër afektohen nga ulja e tyre. Po të shikosh nivelin e të ardhurave, edhe për ato njësi prodhimi, pavarësisht me vlera më të ulëta për shkak të çmimeve ndërkombëtare, ato do të jenë më të mira për shtetin. Në fund të fundit, ky është roli i Ministrisë së Energjisë, që të promovojë industrinë nxjerrëse por njëkohësisht edhe të mbrojë interesat e publikut. Unë them që gjatë këtij viti është bërë një punë shumë e mirë dhe kontrata e parë që po lidhim do të jetë shumë më ndryshe nga ato që kanë qenë të lidhura nga qeveritë e mëparshme. Do të thotë një stad më i avancuar dhe kjo është një meritë e punës së të gjithë këtyre njerëzve, të gjithë institucioneve shqiptare që punojnë tek aspekti rregullator i naftës, gjithmonë në dobi të shtetit.

Nga ana tjetër, doja të theksoja diçka për industrinë minerare. Megjithëse industria minerare është një kontribut shumë i rëndësishëm i ekonomisë, edhe ata janë në një gjendje shumë të vështirë, pra flas për kromin, bakrin dhe të gjithë metalorët. Ne duhet të synojmë politika nxitëse, në mënyrë që kjo industri të mos vdesë, të mos ndikohet nga rënia drastike e çmimeve.

Së bashku me Ministrinë e Financave, jemi duke punuar për një paketë nxitëse për disa lehtësira, për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë prodhuesve të mineraleve në vend, në mënyrë që aktiviteti të vazhdojë. Ne të gjithë e dimë se shumë zona në veri jetojnë kryesisht me industrinë minerale. Njëkohësisht, duhet të nxisim edhe përpunimin vendas dhe industritë vendase të lidhura me minierat. Këto dy vitet e fundit është bërë një punë shumë e mirë për rritjen e kapaciteteve të përpunimit të mineraleve vendase, siç është rasti i ferrokromit. Për herë të parë u vu në punë dhe u zgjerua edhe kapaciteti i Uzinës së ferrokromit në Elbasan. U vë në punë Uzina e Burrelit që për shumë vite nuk ka qenë funksionale. Mund të shfrytëzohen rezerva të reja të kromit në Bulqizë, për shkak të investimeve në pusin e thellësisë. Të gjitha këto arrihen falë një bashkëpunimi intensiv, por në respektim të ligjit mbi të gjitha, sepse ato kanë qenë detyrime në kontratë koncesionare, detyrime për të cilat vazhdimisht janë mbyllur sytë. Kjo është e vërteta! Vazhdimisht janë mbyllur sytë mbi detyrimet që kanë pasur kompanitë private në këtë drejtim.

Një qeverisje e përgjegjshme mjafton të zbatojë edhe kontratat në fuqi, ti zbatojë ato në mënyrë të kujdesshme. Duhet të arrihet që të zhvillohet industria e të merren më shumë të ardhura për shtetin, por njëkohësisht të krijohen më shumë fronte pune dhe investime në industrinë e kromit apo qoftë edhe industritë e tjera metalore e jo metalore. Këto të dhëna, realisht na ndihmojnë ne dhe publikun për të pasur një dialog më të mirë, për të na kërkuar llogari më shumë, por njëkohësisht për të na nxitur ne për të ndërmarrë politikat e duhura që të ardhurat e shtetit të vijnë duke u shtuar dhe industria të jetë funksionale.

Shpeshherë, në politikë është shumë kollaj të bësh populistin dhe realisht spekulohet për qëllime politike. Unë gjithmonë kam thënë se industritë strategjike, sidomos sektori elektro energjetik nuk mund të kthehen në tabela për qitje politike mbi arsye populiste. Pse?! Do të bjerë në kurriz! Kushdo që të vijë në qeveri do ti ketë këto sfida gjithmonë. Është kollaj të spekulosh me çmimet e energjisë, kollaj të spekulosh duke thënë do e jap këtë apo do të bëj këtë. Nuk bëhet. Duhet të ja themi troç publikut për ato që nuk bëhen. Ndaj është e rëndësishme të unifikojmë qëndrimet përsa i përket këtyre industrive strategjike për të ardhmen e vendit.

Këto janë pasuri që na i ka dhënë Zoti, ne duhet ti shfrytëzojmë shumë mirë. Edhe prodhimi i energjisë elektrike është shumë i rëndësishëm, prodhimi nga uji vazhdon rritet për shkak të investimeve private. Parashikohet që deri në vitin 2020 Shqipërisë ti shtohen edhe 350 megavat kapacitete të reja të instaluara nga hidroenergjia. Pse?! Po vazhdon procesi, pra investimet në kaskadën e Devollit, po përfundon njëkohësisht Kaskada mbi lumin Fan. Pasi ne të bëjmë procedurat konkurruese mund të fillojë shumë shpesh dhe Katundi i Ri. Projekti i Poçemit gjithashtu është kapacitet i ri shtesë, mbi të gjitha me një model të ri kontraktor. Është shumë i rëndësishëm modeli ekonomik sepse është folur shpesh për rritjen e kapaciteteve. Bëhet edhe një garë se kush qeveri paska qenë nxitëse për këto lloj investimesh. Duhet të kuptoni një gjë; që investimet të jenë të sigurta duhet të jenë të qëndrueshme. Do të thotë se duhet të bazohen tek një model ekonomik i qëndrueshëm dhe jo mbi premtime. Është kollaj të japësh një kontratë koncesioni dhe të thuash mere një letër, ndërtoje se unë do të garantoj blerjen e energjisë. Po pastaj? Kur vjen fundi nuk i garanton dot asgjë sepse sektori është totalisht në krizë, ke borxhe të mëdha, nuk garanton dot as blerjen. Mbi të gjitha, politikat e tua nuk shkojnë përshtat me tendencat që ka tregu ndërkombëtar dhe mbi të gjitha modelet e qëndrueshme ekonomike.

Cilat janë modele të qëndrueshme? Modelet që atë prodhim energjie që mund të dalë nga investimi privat të mund të ketë një treg, të ketë likuiditet, pagesa në kohë dhe që të shlyejnë investimet. Investimet e reja të mëdha po bëhen pa garanci blerje energjie për të stimuluar një gjë shumë të rëndësishme, që ne e kemi prioritet si qeveri. Bëhet fjalë për liberalizimin e tregut të energjisë, krijimin e tregut energjetik, tregtimin e energjisë edhe brenda ditës. Shqipëria, jo më kot po investon në interkonjeksione, pra në lidhjen me rrjetet europiane të energjisë në të cilat tashmë jemi edhe anëtarë. Do të përfundojë shumë shpejt lidhja me Kosovën, do të fillojë lidhja me Maqedoninë. Çdo të thotë kjo? Mundësi këmbimi energjie, mundësi harmonizimi të prodhimeve, të avantazheve tona të energjisë elektrike me shtetet fqinjë. Shkëmbime me Kosovën, me Maqedoninë nesër, të cilat mund të kenë burime alternative. Të gjitha këto do të krijojnë një treg dhe treg do të thotë më shumë likuiditet.

Çmime më të qëndrueshme për konsumatorin por edhe më shumë para për të gjithë investitorët. E gjitha mbi bazat e një ekonomie tregu, siç të gjithë ne synojmë dhe jo marrjen përsipër të garancive qeveritare, të cilat zhysin vendin në borxhe publike dhe nuk garantojnë investimet. Përkundrazi, krijojnë një flluskë ëndrrash të bukura por që në realitet dështojnë, siç ndodhi me HEC-et private, të cilat u garantuan me pretendime të mëdha por që kjo politikë shkoi në një spirale krize dhe borxhet në vitet 2013-2014 shkuan mbi 90 milion USD. Pra, ne likuiduam mbi 90 milion USD borxhe që ishin nga kjo skemë e krijuar. Në mënyrë që kontratat të jenë të sigurta, këto janë fenomene që nuk duhet të ndodhin. Këtë po promovojmë edhe me investimet e reja. Pavarësisht se ka kritika, ka mendime të ndryshme për politikat që ndjek qeveria për shtimin e kapaciteteve gjeneruese. Dikush mbase ka në mendje ëndrra dhe projekte të para 50 viteve që bëheshin në një kontekst të caktuar, ku elementët e kostove sociale-mjedisore apo shpronësimet nuk merreshin parasysh se ishin pa lekë, ishte një shtet që gjithçka e kishte pronë të veten. Këto projekte, edhe mbi bazën e standardeve ndërkombëtare, nganjëherë janë të pamundura që të bëhen sot. Atëherë, duhet të bëjmë gjëra që tërheqin kapitalin privat, minimizojnë ose çojnë në zero rriskun e shtetit, njëkohësisht të krijojmë një politikë të qëndrueshme për aspektet e modeleve ekonomike. Do të thotë që krijojmë një treg që ta nxisë kapitalin për tu investuar dhe ne po shkojmë në këtë drejtim. Po ecet ngadalë, nuk është e thjeshtë, nuk është e kollajtë të reformosh sistemet energjitike. Energjia është një problem mbarë botëror, qoftë energjia elektrike, qoftë nafta me goditjet që ka nga çmimet. Ristrukturimi i këtyre sektorëve është i vështirë kudo. Shqipëria, vitet e fundit ka qenë pararojë në Ballkan për shkak të masave të forta dhe politikave të forta liberalizuese e reformuese, qoftë edhe reforma tarifore. Kjo e fundit ishte një reformë e suksesshme, duke mbrojtur vetëm të varfrit dhe duke shmangur subvencionimet për shtresat që nuk duhet ta kishin subvencionimin. Këto kanë krijuar likujditet më të qëndrueshëm, ndaj të dhënat financiare të sektorit elektroenergjitik janë shumë më të sigurta. Ato mund të shërbejnë si premisë për krijimi e tregut, qoftë edhe për garancinë e investimeve private.

Kjo është qasja jonë, dhe dua ti kthehem prapë asaj që e nisa në fillim. Në fund të fundit, këto politika do të bëhen më të besueshme kur ka transparencë, kur ka transparencë për gjithçka, qoftë për kontratat që jepen, të dhënat financiare të kontratave, qoftë për të gjitha të dhënat e bilancit energjitik. Gjë që po bëhet një mënyrë konstante dhe ky raport patjetër kontribuon dukshëm në këtë proces. E them me bindje dhe madje që në momentet e para që mora detyrën dhashë orientimin për krijimin e një regjistri koncesionesh. Ai ka përfunduar në Ministrinë e Energjisë dhe pritet çertifikimi nga autoritetet elektronike, që të gjitha të dhënat për kontratat koncesionare të jenë aty. Pra, cilat janë koncesionet aktive, në çfarë faze zhvillimi janë ato, cilat kanë dështuar?

Ato që kanë dështuar nuk e meritojnë të qëndrojnë më, dhe mundësisht tua kalojnë të tjerëve. Ose kanë qenë projekte që shpesh herë kanë qenë të pabazuara mbi të dhëna reale, mbi të dhëna hidrologjike që nuk ekzistojnë apo mbi të dhëna financiare që janë thjesht për të gënjyer bankat për të marrë kredi. Vet tregu, vet koha ka bërë të mundur shoshitjen e projekteve të suksesshme nga ato që kanë qenë në letër me qëllim rishitjeje. Edhe rishitja është e vështirë pasi nuk ka budallenj që të blejnë të tilla projekte, aq më tepër kompanitë e huaja që konsultohen me bankat. Ka ikur ajo kohë kur mjafton të merrje një koncesion dhe dilje të shisje letrat. Nuk është më e lehtë kjo gjë dhe realisht u bëj thirrje edhe atyre që i mbajnë këto letra, më mirë le ti lëshojnë vet e të mos hyjnë në beteja ligjore që nuk kanë vlerë. Ndryshe, ato bëhen të pa financueshme por pse janë të pafinancueshme? I ka ikur koha, vitet kanë kaluar, investitori që do ta shohë, do thotë ke 10 vjet që ke marrë këtë koncesion, asgjë ske bërë. Pse do vijë ai? Që të marrë në kurriz rriskun që ke patur ti që nuk ke bërë asgjë. Është një thirrje miqësore që ti hapet rrugë zhvillimit të të tjerëve që kanë më shumë interes.

Për ta mbyllur, ju falenderoj për bashkëpunimin që keni patur për dhënien e informacioneve. Dua të falënderoj edhe njëherë EITI-in për punën e mirë që ka bërë dhe vlerësimin që ka patur nga institucionet tjera ndërkombëtare.

INKURAJOJ KËTË INSTITUCION QË TË VAZHDOJË ME TRANSPARENCËN, PËR TI DHËNË TË QARTË PUBLIKUT SE ÇFARË PËRFITOHET NGA INDUSTRIA NXJERRËSE.

Faleminderit.

energjia.al  20.01.2016